Ish-diplomati britanik dhe profesori në Universitetin e Cambridget, Timothy Less, ka thënë se pasi Britania e Madhe ka emëruar një të dërguar të posaçëm për Ballkanin Perëndimor, nuk do të habitej që këtë ta bënte edhe Rusia, e ndoshta edhe Kina e Turqia.
Less ka thënë se Rusia, Turqia e Kina, “nuk do të lejojnë kundërshtarët e tyre të formësojnë zhvillimet në Ballkan në mënyrën që janë në kundërshtim me interesat e tyre kombëtare”.
Stuart Peach të enjten është emëruar i dërguar i posaçëm i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor.
“Për ata që e njohin historinë e rajonit, e gjithë kjo do të jetë shumë e njohur. Ky është një zhvillim domethënës dhe lë të kuptohet se Britania e Madhe beson se ekziston një rrezik serioz për stabilitetin e rajonit dhe integritetin e marrëveshjeve aktuale. Serbët po kundërshtojnë hapur status quon në Bosnjë, dhe tensionet po thellohen mes Serbisë e Kosovës, ndërsa Prishtina po tenton ta konfirmojë sundimin e saj mbi veriun dhe Serbia po hakmerret”, ka thënë Less në “Kosovo Online”.
Ai thotë se gjithë kjo është problem për Londrën që ka interesa në Ballkan, ndërsa i pyetur nëse Peach do të bashkëpunojë me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçan dhe me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ai beson se bashkëpunimi do të jetë i ngushtë.
“Britania ka luajtur rol të rëndësishëm në formësimin e zgjidhjes, veçanërisht në Bosnjë dhe Kosovë, dhe nuk dëshiron që puna e saj të anulohet. Londra gjithashtu nuk dëshiron një konflikt në të cilin Britania, me një nga ushtritë më të fuqishme në Evropë, duhet të intervenonte. Vendimi i Britanisë së Madhe për të emëruar përfaqësuesin e saj, natyrisht se është pasojë e vendimit të saj për t’u larguar nga BE-ja, që do të thotë se nuk mund të bëjë presion në Bosnjë nëpërmjet Brukselit”, ka thënë Less.