Në mungesë të mbrojtjes shtetërore, monumentet e trashëgimisë arkeologjike po shkatërrohen, mes tjerash edhe nga gurthyesit e licencuar nga shteti. Banorët e fshatit Korroticë e Epërme të Drenasit po pretendojnë se një gurthyes ua shkatërroi një shpellë, të cilën e kishin zbuluar mbi 7 vjet më parë. E për rrezikimin e monumenteve arkeologjike, të shtunën Komuna e Obiliqit ia ka pezulluar aktivitetin gurthyesit “SB Construction”
Banorët e Korroticës së Epërme po pretendojnë se u dëmtua një trashëgimi arkeologjike e këtij lokacioni.
Një shpellë, që ngjason me atë të Gadimes së Lipjanit, të cilën thonë se e kishin zbuluar më 2014, po ankohen se ua shkatërroi operimi i një gurthyesi.
Pa dashur të identifikohen, banorët kanë thënë se është zhgënjyese se si nuk ka pasur interesim të shtetit që t’i ruajë pasuritë që ua ka falur natyra.
Nga ndërmarrja “Trasing Group” thonë se nuk e kanë prekur e as dëmtuar ndonjë pjesë të vendit të cilit banorët i referohen si Shpellë.
“E ashtuquajtura shpellë nuk ka të bëjë fare me pjesën e zonës ku operon gurthyesi Trasing Group. E ashtuquajtura shpellë, nuk është dëmtuar nga ana jonë”, kanë thënë nga kjo ndërmarrje.
Një fotografi, sesi dukej kjo shpellë në kohën kur ishte zbuluar, është shpërndarë edhe në Grupin për Mbrojtjen e Mjedisit në rrjetin social Facebook.
Lidhur me këtë çështje, të shtunën Koha e ka pyetur edhe Komunën e Drenasit dhe Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës se si janë pajtuar që të lejohet operimi i një gurthyesi në atë zonë, i cili rrezikon trashëgiminë arkeologjike, por ata nuk janë përgjigjur.
Pikërisht nga gurthyesit është rrezikuar një monument tjetër arkeologjik në fshatin Graboc të Obiliqit, i njohur si Maja e Zezë.
Të shtunën Gurthyesit “SB Construcion” i është tërhequr pëlqimi mjedisor nga Komuna e Obiliqit me ç’rast i është pezulluar aktiviteti në afërsi të atij lokalitetit arkeologjik.
Ndalimi i operimit të gurthyesit në atë zonë kishte qenë kërkesë e banorëve të fshatrave Sibofc, Graboc, Shipitullë dhe Palaj.
“‘Maja e Zezë’ është zonë e listuar në kategorinë e trashëgimisë arkeologjike, pikë strategjike dhe turistike dhe pas angazhimit të banorëve, Komisionit Parlamentar për Mjedis, Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Mjedisit kjo zonë do të mbrohet. Gjithashtu Departamenti i Mbrojtjes së Mjedisit dhe Ujërave në Ministrinë e Mjedisit ka filluar procedurën për tërheqje të pëlqimit mjedisor që i ka dhënë në vitin 2018 kompanisë SB Construction”, ka njoftuar MKRS-ja.
Për rrezikim e zonave të mbrojtura arkeologjike nga gurthyesit ka pasur hulumtime të shumta nga organizatat joqeveritare.
Se fundmi, nga një hulumtim i “Preportr” lidhur me dëmtimin e objekteve të trashëgimisë kulturore nga gurthyesit, del se mbi 200 licenca që janë dhënë nga organet shtetërore për gurthyesit rrezikojnë zonat e mbrojtura nga shteti.