Arbëri

Ahmetasheviq për Asociacionin: Kosova s’do ta kopjojë Bosnjën sepse është shtet më i fuqishëm

Sipas Nixhara Ahmetasheviq, redaktore regjionale në revistën “Kosovo 2.0”, Kosova me Asociacionin e komunave me shumicë serbe nuk do të kopjonte modelin e funksionimit që e ka Bosnja.

Ajo ka thënë se Kosova dallon nga Bosnja sepse, sipas saj, është shtet më i fuqishëm.

“Unë nuk besoj se ju do të kopjoni modelin, por besoj se dikush prej jashtë mund të kopjojë modelin dhe këtë kanë bërë për 25 vjet, dhe kjo është çfarë kanë provuar të bëjnë. Çfarë Kosova ka për dallim prej Bosnjës është fuqia e shtetit. Ju keni një shtet më të fuqishëm edhe pse nuk duket edhe shumë si i tillë. Por po, është ndryshe, e keni vetëm një president, vetëm një kryeministër dhe ju e dini se kujt t’ia adresoni problemet që keni”, ka thënë ajo në Interaktiv të KTV-së.

Sipas saj, qytetarët në Bosnje s’kanë adresë ku të ankohen dhe këtë e bëjnë duke iu drejtuar Ambasadës amerikane.

Ajo ka thënë se Serbia dhe një pjesë e komunitetit ndërkombëtar do të donte edhe në Kosovë një Republikë Serbe. Megjithatë, sipas saj, Bosnja është shembulli më i mirë se një gjë e tillë s’është e mirë.

Se përse do të donte komuniteti ndërkombëtar një zgjidhje të tillë, Ahmetasheviq ka thënë se kjo “është më së lehti”.

Për qasjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin, ajo ka thënë se ky shtet i ka telashet e veta më të mëdha sesa që të fokusohet në Ballkan.

Për emërimet e ambasadorëve të rinj amerikanë në Ballkan, Ahmetasheviq ka thënë se popujt duhet të bëjnë vetë ndryshimin e të mos presin nga askush që vjen prej jashtë. E kjo periudhë, sipas saj, nuk është larg.

Ahmetasheviq ka thënë se nuk i beson as idesë së “Ballkanit të hapur”.