Arbëri

Shqipëria ka nisur t’i kthejë në vendime marrëveshjet me Kosovën

E para marrëveshje e kthyer në vendim është ajo që ka të bëjë me krijimin e Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar. Ky sekretariat do të koordinojë qeveritë e Shqipërisë e Kosovës në funksion të të gjitha marrëveshjeve dhe të gjitha angazhimeve, si një mekanizëm i ri funksional, i cili raporton dhe njëkohësisht orientohet nga zyrat e dy kryeministrave

Qeveria e Shqipërisë ka filluar të kthejë në vendime marrëveshjet e firmosura në mbledhjen e përbashkët me Qeverinë e Kosovës, mbajtur në Elbasan më 26 nëntor. E para marrëveshje e kthyer në vendim është ajo që ka të bëjë me krijimin e Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar.

“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, ‘Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë’, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave i Republikës Shqipërisë vendosi: Miratimin e protokollit të bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, për krijimin e Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi”, thuhet në njoftimin e Këshillit të Ministrave, pas mbledhjes së ditës së premte.

Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar për Koordinimin e të dyja qeverive u krijua në mbledhjen e përbashkët të qeverive që u mbajt më 26 nëntor në Elbasan. Ky sekretariat do të koordinojë qeveritë e Shqipërisë e Kosovës në funksion të të gjitha marrëveshjeve dhe të gjitha angazhimeve, si një mekanizëm i ri funksional, i cili raporton dhe njëkohësisht orientohet nga zyrat e dy kryeministrave.

“Krijimi i Sekretariatit është një hap ku ne së bashku besojmë fort se do të na sjellë përshpejtimin e të gjithë hapave të tjerë. Mos mendoni që Sekretariati është një mekanizëm që e shpikëm ne sot. Ka qenë prej kohësh një kërkesë e vetë punës, me emra të ndryshëm, por nuk është bërë asnjëherë. Sot kemi një Sekretariat dhe e kemi sekretariatin të formalizuar sot, por ndërkohë sekretarin, koordinatorin e këtij Sekretariati e kemi në punë qysh prej takimit që bëmë në Prishtinë, pasi dakordësuam parimisht që do ta ngremë këtë Sekretariat dhe ky është personi, ju e njihni personin. Është një rast konkret dhe domethënës i një individi, figure që gëzon respekt të plotë nga të dyja palët dhe që ka filluar punën konkretisht”, deklaroi pas mbledhjes së përbashkët kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Koordinator i Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar do të jetë Gentian Sala, ish-kryetari i Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) në Shqipëri, i njohur si aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri dhe person i afërt me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Përveçse si aktivist i VV-së, ajo që e lidh me Kosovën Gentian Salën është fakti se gjatë luftës, në vitin 1999 ka qenë pjesë e grupit fakt-mbledhës të masakrave serbe ndaj popullsisë shqiptare.

Sala ka drejtuar projektin “Blej Shqip”, një organizatë jo-fitimprurëse që në periudhën 2009-2014 nxiti një fushatë ndërgjegjësimi te konsumatorët shqiptarë që të zgjidhnin më tepër konsumin e produkteve “Made in Albania” ose “Made in Kosovo”.