Arbëri

Institucionet s’e zbatojnë ligjin që u jep të drejta punësimi personave me aftësi të kufizuara

Kosova e ka shpallur vitin 2022, vit të personave me aftësi të kufizuara. Kjo është bërë me rastin e shënimit të 3 dhjetorit, Ditës ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuara. Edhe në këtë ditë është ritheksuar fakti që as institucionet publike nuk e zbatojnë Ligjin që i obligon që në çdo 50 punëtorë të kenë të punësuar një person me aftësi të kufizuara.

Institucionet publike ende nuk e zbatojnë Ligjin që i obligon që në çdo 50 punëtorë të kenë të punësuar një person me aftësi të kufizuara. Kjo është ritheksuar edhe në Ditën Ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuara.

Në shënimin e kësaj dite, Qeveria e ka shpallur vitin 2022, vit të kësaj kategorie. Kjo është bërë me qëllim të mobilizimit për një Kosovë që ofron mundësi dhe qasje të barabartë për të gjithë.

Në konferencën “Mundësi të barabarta për të gjithë”, e cila është organizuar nga Zyra për Qeverisje të mirë, që funksionon në kuadër të Kryeministrisë, zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut, Emilia Rexhepi, tha se synojnë që të ndërtojnë infrastrukturë dhe t’i zbusin kriteret diskriminuese, në mënyrë që askush të mos ndihet i hendikepuar.

“Si qeveri kemi ndërmarrë shumë aktivitete të rëndësishme që të ndodhë kjo dhe unë kam kërkuar personalisht te të gjitha ministritë në nivel qendror dhe lokal që të punësojmë së paku nga një person në të gjitha institucionet, në mënyrë që të japim hapësirë dhe t’i respektojmë ligjin dhe t’i japim hapësirë që njerëzit e rinj që kanë kryer fakultetin të punësohen në ato institucione”, u shpreh Rexhepi.

Ndërsa drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë, që vepron në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, Habit Hajredini, tha se në vitin 2022 synojnë që të jenë aktivë dhe të realizojnë të gjitha aktivitetet e parapara në kalendarin e buxhetuar të Qeverisë së Kosovës.

“Qeveria në të njëjtën kohë ka miratuar kalendarin e aktiviteteve që të gjithë dikasteret e ministrive dhe të strukturave të tjera qeveritare do të punojnë gjatë vitit 2022 në të gjitha specifikat që përfshijnë arsimin, shëndetësinë, mirëqenien sociale, punësim, qasje në parandalim dhe luftim të diskriminimi”, u shpreh Hajredini.

Me rastin e shënimit të Ditës së Personave me Aftësi të Kufizuara dhe shpalljen e vitit 2022 si vit të kësaj kategorie, nëpërmes një videomesazhi, presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, kryeministri Albin Kurti, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, si dhe drejtori ekzekutiv i “Handikosit”, Afrim Maliqi, kanë folur për rëndësinë e përmirësimit të pozitës së personave me nevoja të veçanta në shoqëri, përmirësimin e legjislacionit për këtë kategori, si dhe avancimin e pozitës së tyre në shoqëri.

Në Kosovë jetojnë rreth 200 mijë persona me aftësi të kufizuara.