2 perditesime
21:04

Mehmeti thotë se Pfizeri mbron deri në 90% ndaj variantit Omicron

Vaksina Pfizer mund të mbrojë deri në 90% ndaj variantit më të ri të koronavirusit, të quajtur Omicron, ka thënë infektologu kosovar Murat Mehmeti.

Sipas tij, ky është një lajm i mirë për qytetarët e Kosovës, marrë parasysh se një numër i madh i tyre janë vaksinuar me këtë lloj të vaksinës.

“Duket që vaksina e Pfizerit mbron edhe ndaj kësaj variante deri në 90%. Kështu që nuk kemi tjetër rrugë përveç se të vazhdojmë edhe më tutje që të mbahen masat të cilat dihen tanimë, dhe sigurisht masa kryesore apo vaksinimi në asnjë mënyrë nuk guxon të bie, përkundrazi edhe më shumë duhet që sa ma shumë të vaksinohet popullata. Shumë pak ka informata se si do të sillet ky virus në një të ardhme të afërt. Duke pasur parasysh faktin që vaksina Pfizer është efektive ndaj kësaj variante, unë shpresoj që edhe kjo variante nuk ishte dashur të sjellë telashe”, ka thënë Mehmeti në “DESKU” të KTV-së.

Ai ka shtuar se vaksinimi duhet të bëhet para një vale të re. Kjo sepse trupit i duhet të fitojë imunitetin e duhur, ka thënë ai.


Dobroshi-Deva: Delta u përhap nga dasmat e ahengjet në verë, s'pati kontroll

Doktoresha Edona Dobroshi-Deva thotë se ndalesa e lëvizjes së lirë nuk është gjë e mirë, porse në disa raste është e domosdoshme në mënyrë që të parandalohet përhapja e virusit.

Ajo ka treguar se shumë vende kanë ndaluar udhëtimet me shtetet nga kontinenti i Afrikës për shkak të variantit të ri Omicron.

Dobroshi-Deva ka thënë se duhet marrë mësim nga valët e kaluara të pandemisë.

“E kuptoj se bashkatdhetarët kanë shumë dëshirë e mallë për atdheun, por besoj se edhe ata duhet kuptuar se në raste të krizave duhet të përmbahemi nga lëvizjet. Nuk jemi ne popull me mentalitet nordik, por jemi me mentalitet mediteran , kemi dëshirë të qëndrojmë afër njëri-tjetrit, kemi dëshirë të bëjmë ahengje. Është vërtetuar në dy muajt e fundit kur ka rënë numri i rasteve, se në fakt mu ato ahengje, ato klube të natës, si duket kanë qenë burime të përhapjes së infeksionit. Unë me sarkazëm e them se nëpër ahengje e dasma që janë bërë, nuk kanë hedhur valle njerëzit por ka hedhur valle Delta. Delta është përhapur në masë të madhe mu nëpër ahengje e dasma që janë bërë, ku nuk ka pasur kontroll”, ka thënë Dobroshi-Deva në DESKUN e KOHËS.

Ajo po ashtu ka thënë se është duhet forcuar kontrollet e inspektimi, ndërsa nuk ka logjikë që të bartet maska jashtë e të mos bartet në ambient të mbyllur.


Mehmeti: Duhet të vaksinohemi para valës së re të COVID-it

Infektologu Murat Mehmeti ka bërë thirrje për vaksinim para vakës së re të pandemisë.

Ai ka thënë se janë të përgatitur për valët e reja të pandemisë, porse shpresojnë që të mos vijnë.

“Sigurisht se kemi krijuar një eksperiencë nga përballjet me valët e pandemisë. Ne realisht me kapacitete që disponojmë, sigurisht se jemi të përgatitur për çdo valë të mundshme, që do të vinte. Sido që të jetë unë po shpresoj që një gjë e tillë të mos ndodhë. Është momenti i fundit, nëse në fillim nuk kishte vaksina e njerëzit ankoheshin se nuk ka, tash ka vaksina e duhet të vaksinohemi. Për të mirën tonë, të familjeve e të personelit shëndetësorë. Vaksinimi duhet të ndodhë para se të vijë vala, pasi kur ndodh është paksa vonë”, ka thënë Mehmeti në DESKUN e KOHËS.

20:44

Dobroshi-Deva: Ka pasur rënie të testimit për HIV

Doktoresha Edona Dobroshi-Deva, menaxhere e programit për HIV në CDF, ka thënë se ka pasur rënie të testimit për HIV gjatë kohës së pandemisë COVID-19.

Dobroshi-Deva në DESKUN e KOHËS ka thënë se në 6 mujorin e parë të vitit 2020, kur e gjithë bopta ka qenë e mbyllur shkaku i pandemisë, shërbimet që kanë qenë specifike për HIV ose janë ndërprerë ose janë vështirësuar.

“Flas për trajtimin, por edhe shërbimet parandaluese, testimin, reduktimin e dëmit. Të gjitha këto kanë stagnuar. Ngjashëm si te ne. Nuk kërkon shpjegim të hollësishëm. Pasi te ne shumë shërbime shëndetësore janë ndaluar e janë prioritizuar vetëm intervenime të nxehta siç themi. Ka pasur një rënie në përgjithësi, në botë, të personave që marrin trajtim për HIV, për shkak të pamundësisë së lëvizjes për shkak të barrierave të ndryshme. Kur flas për botën, nuk them për shtetet e zhvilluara. Pasi ato nuk i kanë ndërprerë shërbimet e tilla”, ka thënë Dobroshi-Deva.

Ajo ka shtuar se ka pasur përparim në trajtimin për HIV krahasuar me fillimin, porse ende nuk ka një vaksinë.

“Trajtimi ka avansuar shumë nga viti 1987, kur pacienti është detyruar të marrë tri herë në ditë nga 12 tableta. Tash ka kaluar në një tabletë në ditë. Ka avancuar mjaft. Trajtimi është shumë i suksesshëm, e suprimon virusin. E ul në nivelin e ngarkesës virale në organizëm deri në nivel të padetektueshëm. Kur është i padetektueshëm është i patransmetueshëm. Së fundi Moderna e ka publikuar hulumtimin, është në fazën e hulumtimit te njerëzit tash, duke shfrytëzuar metodologjinë e njëjtë MRNA si për vaksinën anti-COVID. Është duke testuar në disa vende në Afrikë. Është stadi i parë, duhet kaluar dy-tri stade të hulumtimeve, për të parë nëse vaksina është e suksesshme”, ka thënë Dobroshi-Deva.

Ajo ka thënë se pa testim, rritet rreziku i identifikimit në fazën e tretë.



20:28

Mehmeti: 8 raste të reja me HIV/AIDS në Kosovë gjatë vitit 2021

Murat Mehmeti, infektolog në Klinikën Infektive të QKUK-së ka thënë se gjatë vitit 2021, në Kosovë janë identifikuar 8 raste të reja me HIV AIDS.

Mehmeti ka thënë në “DESKU” të KTV-së se Kosova identifikohet si vend me prevalencë të ulët të HIV virusit.

“AIDS në Kosovë nuk kisha me thanë se është i përhapur shumë. Prej vitit 1986 nga rasti i parë i identifikuar në Kosovë e deri tani, sipas statistikave të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHPK) gjithsej janë në evidencë 139 raste ndërkohë që sivjet, gjatë këtij viti janë identifikuar 8 raste të reja. Kosova identifikohet si vend me prevalencë të ulët të HIV virusit. Këto raste që i kemi nën mbikëqyrjen tonë vazhdojmë t’i trajtojmë në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka thënë Mehmeti.

Sipas tij, Klinika Infektive disponon me terapi të mjaftueshme për të trajtuar të prekurit me HIV, e cila është falas.

“Në Klinikën Infektive deri para pandemisë kemi pasur dhe vazhdojmë ta kemi Qendrën për Këshillim dhe Testim vullnetar, i cili testim është kryer pa pagesë, një test i shpejtë i cili ka dhënë rezultat por më pak se 10-15 min. Gjatë pandemisë është ndërprerë procesi i testimit të personave të dyshuar, dhe tani që kemi një situatë më të qetë të pandemisë, pritet që të funksionalizohet kjo qendër”, ka thënë Mehmeti.

1 dhjetori është Dita Botërore kundër HIV/AIDS. E vendosur në vitin 1988, Dita Botërore kundër Sidës është një rast për të përkujtuar njerëzit që kanë humbur jetën nga kjo sëmundje. Ky është gjithashtu një rast që bota të vlerësojë përpjekjet e tanishme për të ndihmuar njerëzit e prekur nga virusi HIV i cili shkakton Sidën dhe për t’u ri-angazhuar në luftën për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të këtij virusi.

Mehmeti: Prej 41 personave me HIV, asnjë s'është i shtrirë në spital

Infektologu Murat Mehmeti ka thënë se asnjë nga 41 personat me HIV/AIDS nuk është i shtrirë në spital.

Ai ka thënë se ata janë mirë me shëndet dhe terapia u jepet çdo tre muaj, përderisa shpjegoi se gjatë mbylljes për shkak të COVID-19, ekipet u kanë dërguar terapitë nëpër shtëpi.

“Kur ka qenë mbyllja, është marrë terapia dhe u kemi dhënë terapi personit të caktuar dhe janë bartur barnat deri te shtëpitë e tyre. Gjatë mbylljes është bërë një distribuim i tillë. Këta persona, ata që qëndrojnë mirë me shëndet, kanë stabilitet me shëndet u japim terapi për çdo 3 muaj dhe nuk është barrë shumë e madhe. Shumica e tyre qëndrojnë mirë me shëndet. Prej 41 asnjë nuk është i shtrirë në klinikë, qëndrojnë mirë me imunitet dhe u jepet terapia çdo 3 muaj”.