Arbëri

Mbrojtja thotë se Policia ka ofruar garanci për lirimin e Thaçit

Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi përmes një shkrese ka renditur argumente për lirimin në arrest shtëpiak të Thaçit.

Ndër të tjera në shkresën e avokatit Gregory W.Kehoe përmendet siç thotë ai, edhe garancia dhënë nga Policia e Kosovës dhe garancitë e vendeve të treta.

Mbrojtja ka theksuar se Thaçi mund të lirohet sipas kushteve që i konsideron të nevojshme Gjykata e Procedurës Paraprake.

Derisa janë renditur shumë arsye, mbrojtja ka kërkuar që të thirret seancë dëgjimore për t’i dëgjuar pikëpamjet e Policisë së Kosovës për realizueshmërinë e lirimit të Thaçit në arrest shtëpiak, pikëpamjet e qeverive të treta për lirimin e Thaçit në territoret e tyre përkatëse, pikëpamjet e palëve dhe të urdhërojë lirimin e përkohshëm të Thaçit në kushte të tilla që konsiderohen të përshtatshme.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, qe akuzuar më 5 nëntor të vitit të kaluar. Ai akuzohet për krime lufte. Pos tij, akuzat e njëjta i ngarkojnë edhe Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin e Kadri Veselin si ish-krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.