Arbëri

Profesionistët shëndetësorë e konsiderojnë të rrezikshëm përhapjen e variantit Omicron

Ndërkohë që numri i personave të vaksinuar në Kosovë ka rënë në treshifrorë, profesionistët shëndetësorë të Kosovës e konsiderojnë të rrezikshëm variantin e ri të koronavirusit. Ata bëjnë thirrje për kujdes e për vaksinim, teksa thonë se masa shtesë për parandalim të përhapjes së COVID-19 janë të nevojshme

Masat shtesë për personat që vijnë nga vendet e ndryshme të botës po konsiderohen të nevojshme nga profesionistët shëndetësorë, për të parandaluar përhapjen e varianteve të reja të koronavirusit. Qeveria e Kosovës pritet t’i votojë ndryshimet që janë propozuar nga MSH-ja.

është njoftuar që ndryshimi në masa do të ketë vetëm te hyrje-daljet në kufijtë, ku personave që hynë në Kosovë ju kërkohet vaksinimi i plotë.

Masat tjera do të mbesin ashtu siç janë.

Infektologu Arben Vishaj ka thënë se mundësia që të vijë në Kosovë varianti i ri i quajtur Omicron ekziston. Ka theksuar se ky variant po prek më shumë gjininë mashkullore nën moshën 40 vjeç.

Vishaj ka shtuar se simptomë dalluese është lodhja e madhe, porse shton se, sipas të dhënave aktuale, është më i lehtë se varianti Delta dhe Delta plus. “Ende nuk kemi shumë të dhëna për variantin e ri se si do të ndikojë te personat e vaksinuar. Nuk dihet nëse vaksinat që i kemi në dispozicion a janë parandaluese kundër këtij virusi. Por të gjithë duhet të vaksinohemi për shkak edhe të uljes së temperaturave por edhe ardhjes së bashkatdhetarëve”, ka thënë ai.

Sipas drejtorit të Klinikës Infektive, ku tashmë po trajtohen 8 pacientë, rënia e temperaturave në ditët e fundit mbledh njerëzit më shumë në hapësira të mbyllura, gjë që çon në grumbullimin e më shumë personave.

Kujdes të shtuar, për shkak të rrezikut nga variantet e reja, po kërkon edhe doktori Driton Vela, i cili në një intervistë në emisionin 60 minuta të KTV-së, tha se edhe virusi përhapet më së shumti në vendet e mbyllura. “Mutacionet janë fakt i natyrës dhe ndodhin te çdo specie. Ajo që e rrit rrezikun e shfaqjes së varianteve të reja është numri i vogël i të vaksinuarve. Një grup i veçantë i njerëzve janë personat me imunitet të dobësuar dhe ata mund të jenë burim i varianteve të reja. Edhe personat e vaksinuar nuk janë të parrezikuar. Në shumë vende të botës ka shumë rritje të rasteve për shkak edhe të rënies së vaksinimit. Doza përforcuese duhet të bëhet nga të gjitha vendet”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se qytetarët janë relaksuar më shumë sesa që duhet, duke shtuar se një relaksim i tillë vërehet edhe në qendrat tregtare, ku nuk respektohet asnjë masë, gjë që nuk duhet të ndodhë.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në ditët në vazhdim pritet që të ketë ndryshim të masave antiCOVID, duke mos e përjashtuar mundësinë e ashpërsimit të tyre.