Arbëri

“Ecim për Adrianën”, solidarizim i gjerë me aktoren

Një ecje solidarizimi do të mbahet të martën për aktoren dhe deputeten Adriana Matoshi e cila sot gjatë ditës njoftoi se i është rikthyer tumori në tru.

Sipas njoftimit ecja do të mbahet nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri te Teatri Kombëtar i Prishtinës.

“Në nder të aktores së mirënjohur dhe shumë të dashur për gjithë publikun shqipfolës, Adriana Matoshi e cila përsëri u diagnostikua me tumor në tru, organizohet ecja nga Sheshi Zahir Pajaziti deri te Teatri Kombëtar në Prishtinë”, thuhet në njoftim. “Duam që me anë të kësaj ecje, të solidarizohemi me sfidën e Adrianës, për të cilën lutemi të gjithë që ta fitoj si çdo peripeci që e ka kaluar në jetë”.

Matoshi sot përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se pas 10 vjetësh i është rikthyer tomori në tru. Ajo ka marrë mbështetja nga figura të ndryshme në vend.

Ndërkaq përmes postimit të saj ku ka treguar për sëmundjen ka bërë thirrje te të gjithë që ta duan vetën dhe t’i kushtojnë rëndësi vetvetes. 

Njoftimi i saj, ku foli për kthimin e sëmundjes, u shpërnda në Facebook mbi 1000 herë për tetë orë, ndërkohë mori edhe rreth 10 mijë komente mbështetëse.