Arbëri

Radikalizmi nuk konsiderohet si kërcënim i madh i sigurisë në Kosovë nga akterët lokalë

Radikalizmi i frymëzuar nga religjioni nuk konsiderohet një kërcënim i madh i sigurisë në Kosovë nga akterët lokalë.

Kështu thuhet në një hulumtim të bërë nga organizatat CBM dhe KIP, me mbështetje financiare nga Ambasada e Holandës në Kosovë.

Dy organizatat kanë bërë studim gjithëpërfshirës për çështjen e radikalizmit në Kosovë, duke bërë 164 intervista në 34 komuna. Studimi është kryer nga Dr. Gëzim Visoka e Dr. Adem Beha.

“Gjetja kryesore e këtij studimi është se përkundër ngjarjeve të fundit, radikalizmi i frymëzuar nga religjioni nuk konsiderohet një kërcënim i madh i sigurisë në Kosovë nga akterë lokal. Ndryshe, ka pasiguri të tjera më të ngutshme dhe të përditshme që shqetësojnë komunitetet lokale në vend. Përshtypja e akterëve lokal është se radikalizmi në të kaluarën u shkaktua dhe u mundësua nga tre grupe faktorësh: padrejtësia sociale dhe ekonomike dhe qeverisja politike; keqinformimet fetare dhe shpëlarja e trurit nga predikuesit joformalë; indiferenca kulturore dhe stigmatizimi i atyre që praktikojnë fenë në publik. Fakti që disa nga këta shkaktar janë duke u adresuar ka ndikuar në reduktim të rrezikut nga radikalizmi në Kosovë”, thuhet në studim.

Në studimin thuhet se mekanizmat komunalë duket se nuk kanë udhëzime strategjike për adresimin e burimeve dhe shtytësve të radikalizmit.

“Megjithëse mekanizmat komunalë, siç është Këshilli Komunal për Sigurinë në Komunitet, janë krijuar për të trajtuar pasiguritë e ndryshme të komunitetit, përfshirë radikalizmin, ato kanë një rol dhe kapacitet të kufizuar në adresimin e radikalizmit në nivel lokal. Mekanizmat komunal megjithatë duket se nuk kanë udhëzime strategjike për adresimin e burimeve dhe shtytësve të radikalizmit. Në rastin më të mirë, ato shërbejnë si organe referuese dhe ndërmjetëse midis qeverisë qendrore dhe komuniteteve të prekura”, thuhet në studim.

Në këtë studim thuhet se në strategjinë e ardhshme të sigurisë duhet kushtuar vëmendje më të madhe formave ideologjike dhe etnike të radikalizmit.

“Studimi përmban rekomandime të hollësishme për institucionet, shoqërinë civile dhe akterët e tjerë të rëndësishëm në ballfaqimin e radikalizmit dhe formave të reja që cenojnë sigurinë në vend. Në nivelin strategjik dhe politik, është thelbësore që të rishikohet dhe zgjerohet natyra e pasigurive në Kosovë. Strategjitë e ardhshme të sigurisë duhet t'i kushtojnë vëmendje më të madhe formave ideologjike dhe etnike të radikalizmit, të cilat janë lënë në hije nga fokusi arsyetues në radikalizmin fetar. Zgjerimi i llojeve të ndryshme të pasigurive mund të ndihmojë palët e interesuara qeveritare të hartojnë politika më të përshtatshme për realitetin dhe të kenë hapësirë më të madhe për parashikimin, parandalimin dhe reagimin ndaj natyrës gjithnjë në ndryshim të pasigurisë në Kosovë”, thuhet nga hulumtimi.