Arbëri

Mërgimtari pas 30 vjetëve vjen në Kosovë për ta festuar 28 Nëntorin

Descriptive Text

Mërgimtari Tahir Shabani, thotë se për herë të parë pas 30 vjetëve po e feston 28 Nëntorin në Kosovë.

Ai thotë se në Kosovë vjen për pushime, por se është hera e parë që gjendet këtu për ta festuar 28 Nëntorin. Shabani është aktivist dhe kryetar i shoqatës “Yjet e Kosovës” në Gjermani.

“Për herë të parë jam pas 30 vjetëve në këtë festë të madhe kombëtare. Është kënaqësi të jem këtu, në mënyrë të veçantë me skulptorin Mal Myrtaj, që kemi bërë 4 ekspozita në qytetin tim në Gjermani. Sot kemi ardhur kryekëput atë që na ka thënë shpirti, të jemi këtu të marshojmë nga Hoteli Grand deri te Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i cili i dha frymë e jetë qenies tonë kombëtare. Pas 30 vjetëve jam për herë të parë këtu në Kosovë për Ditën e Flamurit, pasi në pushime vijë’, ka thënë Shabani për Emisionin SOT në KTV.

E skulptori Myrtaj ka thënë se shpreson që të bëhet shpejt realitet dëshira e shumë njerëzve, që të kemi një shtet e një komb.

Sa për atmosferën festive, ai thotë se në diasporë ka më tepër atmosferë.

“Atje kemi mallë më shumë, bëhet organizim shumë më i mirë, ka më shumë njerëz, jemi më të sinqertë. Po befasohem se këtu nuk është atmosfera siç kemi pritur. Nuk ka njerëz sa duhet”, tha Myrtaj. “Ndoshta jeni ngopur. Por duhet bërë angazhim shumë më i madh”.