Gabimet në hetim e aktakuzë ua lehtësojnë barrën të akuzuarve për korrupsion

Një nga provat kryesore që kishte Prokuroria Themelore në Prishtinë kundër katër zyrtarëve të Këshillit Prokurorial, ish-drejtorit Lavdim Krasniqi, shoferit të tij Ardian Krasniqi, asistentes Marigona Berisha e zyrtares se prokurimit Flora Doda, ishin disa përgjime. Por, këto prova nga Gjykata Themelore në Prishtinë janë shpallur të papranueshme, gjë që ka bërë që një pjesë e aktakuzës të hidhet poshtë ende pa filluar gjykimi
Një nga provat kryesore që kishte Prokuroria Themelore në Prishtinë kundër katër zyrtarëve të Këshillit Prokurorial, ish-drejtorit Lavdim Krasniqi, shoferit të tij Ardian Krasniqi, asistentes Marigona Berisha e zyrtares se prokurimit Flora Doda, ishin disa përgjime. Por, këto prova nga Gjykata Themelore në Prishtinë janë shpallur të papranueshme, gjë që ka bërë që një pjesë e aktakuzës të hidhet poshtë ende pa filluar gjykimi
Një veprim i gabuar i një gjyqtari të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Prishtinë e ka rrëzuar provën kryesore që kishte Prokuroria kundër katër zyrtarëve të Këshillit Prokurorial: Ish-drejtorit Lavdim Krasniqi, shoferit të tij Ardian Krasniqi, asistentes Marigona Berisha e zyrtares së prokurimit, Flora Doda.
Një nga argumentet kryesore të kësaj aktakuze ishte që të tre të akuzuarit e parë kanë qenë në dijeni, ose kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, duke përfituar materialisht, në mënyrë që një personi të burgosur t’i zgjidhej lënda në Gjykatë Supreme. Ndërsa, e akuzuara e katërt ngarkohet për keqpërdorim në një tender në KPK.
Për akuzat e tre të parëve, një prej argumenteve kryesore ishte pikërisht përgjimi me personin që pretendon se kishte dhënë ryshfet. Por Lavdim Krasniqi e ka fituar betejën e parë në Gjykatën Themelore për këtë çështje. Mbrojtja e tij, në kërkesën për kundërshtimin e aktakuzës, pretendon që ky përgjim është bërë jashtëligjshëm, e për këtë çështje Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dhënë të drejtë.
Një gjë e tillë dëshmohet në aktvendimin e këtij institucioni, të cilin e posedon KOHA.
“Aprovohet pjesërisht kundërshtimi i mbrojtësit i të pandehurit, Lavdim Krasniqi, avokatit Ramë Gashi të papranueshmërisë së provës, ashtu që transkriptit të bisedës së bashku me CD të datës 26.02.2021, shpallet provë e papranueshme, sepse urdhri i gjyqtarit të procedurës paraprake është marrë në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës”, thuhet në aktvendim.
Avokati Ramë Gashi, që e përfaqëson Krasniqin, e ka cilësuar si të drejtë këtë vendim.
“Prokurori i rastit me qëllim kur ka ba kërkesë për masat e fshehta e ka ba në kundërshtim me ligjin, në kundërshtim me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale për zbatimin e masave të fshehta dhe në vijim edhe gjyqtari i procedurës paraprake ka nxjerrë urdhrin, i cili bazuar në kërkesën e prokurorit, ka dalë që është në kundërshtim me rregullat e procedurës penale për këto raste. Prandaj, gjykata me të drejtë i ka konsideru si prova të papranueshme”, ka thënë Gashi.
Ai ka treguar se për çfarë provash bëhet fjalë.
“CD-ja dhe transkripti janë siguruar në kundërshtim, ose nuk janë siguruar në harmoni me dispozitat që parasheh Kodi i Procedurës Penale për zbatimin e masave të fshehta”, ka deklaruar më tej ai.
KOHA e ka pyetur gjykatën për emrin e gjyqtarit të procedurës paraprake, i cili e ka lëshuar këtë urdhër në kundërshtim me Kodin, dhe nëse do të këtë pasoja për të njëjtin, por ky institucion ende nuk është përgjigjur.
Ende pa filluar gjykimi, poshtë është hedhur edhe një pikë për të akuzuarën Marigona Berisha. E një gjë e tillë, sipas gjykatës, është bërë po ashtu për shkelje gjatë procedurave të hetimit, e jo për shkak të mungesës se provave.
“Hidhet aktakuza dhe pushohet procedura penale kundër së pandehurës Marigona Berisha për veprën penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”, për shkak të mungesës së aktvendimit për fillimin apo zgjerimin e hetimeve”, thuhet në aktvendim.
KOHA për këtë çështje ka provuar të kontaktojë edhe me avokatët e të akuzuarve të tjerë. Disa nga ta nuk janë përgjigjur e avokati Miftar Qelaj që e përfaqëson të akuzuarin Ardian Krasniqin ka deklaruar se ende nuk e ka pranuar aktvendimin e gjykatës.
Ish-drejtori i KPK-së, shoferi e asistentja ishin arrestuar muaj më parë nga Policia e Krimeve Ekonomike.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.