Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka reaguar lidhur me vrasjen e trefishtë, mbrëmjen e së premtes në Gllogjan të Deçanit.
Borrell ka shkruar në Twitter se përgjegjësit duhet të sillen para drejtësisë.
“I tmerruar nga sulmi i tmerrshëm në Gjakovë. Me zemër jam me viktimat dhe familjet e tyre. Përgjegjësit duhet të gjenden dhe të sillen para drejtësisë për këtë krim të tmerrshëm. Unë qëndroj me të gjithë kosovarët në këto momente të dhimbshme. Ne do të vazhdojmë të punojmë për pajtimin në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Borrell.
Tre persona janë vrarë e një tjetër është plagosur si pasojë e sulmit me armë zjarri ndaj një autobusi me nxënës që po udhëtonte nga Gjakova për në Gllogjan, të premten rreth orës 19:00.
Dyshohet se gjuajtja është bërë me kallashnikov nga një person i maskuar, identiteti i të cilit ende nuk është zbuluar.
Ndërkaq, edhe UNMIK-u ka shprehur ngushëllime për familjet e viktimave. “Urojmë shërim sa më të shpejtë për të lënduarit dhe bëjmë thirrje që autorët e këtij sulmi të tmerrshëm të sillen para drejtësisë”.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.