Arbëri

Serbia refuzon kërkesën e ministrave të Kosovës për vizitë në Luginën e Preshevës

Serbia ka refuzuar kërkesën e ministrave të Kosovës në Medvegjë, Bujanoc dhe në Preshevë. Kjo, sipas ministrit të Ambientit Liburn Aliut, i cili ka qenë një ndër ministrat që do të shkonte në vizitë, ka ndodhur në momentin para nisjes dhe “pa arsye”.

“Duke filluar nga sot, bashkë me ministrat, Arbërie Nagavci, Hekuran Murati dhe Hajrullah Çeku, planifikonim të fillonim vizitën dy ditore, në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë. Vizita jonë, nga autoritetet në Beograd, u refuzua, pa asnjë arsyetim pak para nisjes së delegacionit tonë”, ka shkruar Aliu në Facebook.

Aliu ka sqaruar se kërkesa për vizitën është bërë më 24 nëntor dhe është paraqitur edhe agjenda. Por, sipas tij, refuzimi ka ardhur sot në mëngjes, pa arsye.

“Refuzimi na është bërë sot në oren 07:13. Në përgjigjen negative të marrë përmes zyrës sonë ndërlidhëse në Beograd, nuk shprehet asnjë arsye, për refuzimin”.

Agjenda e aktivitetit të planifikuar, përfshinte vizitën, në datat 27 dhe 28 Nëntor, në të tre komunat e banuara me shqiptarë dhe takime me kryetarët e komunave, përfaqësuesit në parlament, në nivelin lokal dhe me krerët e subjekteve politike, njoftoi tutje Aliu.

Refuzimin e kërkesës e ka quajtur “pengim i hapur për të ndihmuar qytetarët e diskriminuar shqiptarë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”.


Kamberi reagon për moslejimin e vizitës së ministrave të Kosovës në Luginë

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka reaguar ndaj moslejimit të vizitës së ministrave të Kosovës në Medvegjë, Bujanoc dhe në Preshevë.

Kamberi ka thënë se në këto rrethana, Lugina e Preshevës ka nevojë për ndihmën shtetërore të Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.

“Serbia nuk ka lejuar vizitën e sotme të katër ministrave të Qeverisë së Republikës së Kosovës në Luginë të Preshevës. Çfarë asimetrie të drejtash mes Luginës së Preshevës me serbët në Kosovë. Serbia mbetet i vetmi vend në rajon që me ligj kufizon lirinë e përdorimit zyrtarë të simboleve kombëtare. Si pasojë e kësaj, Lugina e Preshevës, sot, në festën më të madhe kombëtare, mbetet rajoni vetëm i banuar me shqiptarë që nuk mundet lirshëm të realizojë të drejtën dhe lirinë e përdorimit të simbolit kombëtar si pjesë të identitetit kombëtarë. Në këto rrethana ndër më të rëndat nëpër të cilat po kalon, Lugina e Preshevës, ka nevojën si kurdoherë më parë për ndihmën shtetërore të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë. S’ka moment tjetër për veprim, sot është nevoja, sot është edhe koha”, ka shkruar Kamberi në llogarinë e tij në Facebook.


Mustafi: Refuzimi i vizitës së ministrave të Kosovës, pasqyrim i mentalitetit të shekullit të kaluar

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, ka reaguar pas moslejimit të ministrave të Kosovës në Luginën e Preshevës për vizitën dy ditore.

Ai ka thënë se kjo nuk mund të gjykohet ndryshe, “përveç mendësi e sistemit aktual në Serbi”.

“Ky refuzim si i tillë shpërfaq në mënyrë të natyrshme tendencën për të pamundësuar jo vetëm thjeshtë vizitën, por në radhë të parë për të pamundësuar bashkëpunimin e bashkërendimin e drejtpërdrejtë si dhe bashkëfestim e Festës së Flamurit - 28 Nëntorin”, ka shkruar në Facebook.

Ai u shpreh i indinjuar dhe ka thënë se refuzimi i kërkesës për vizitë është ripasqyrim i mentalitetit të shekullit të kaluar.