Pavarësisht se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se shpreson që vitin e ardhshëm të ndodhë liberalizimi i vizave, Bashkimi Evropian nuk ka datë se kur mund të ndodhë kjo.
Tomas Szunyog, shef i BE-së në Kosovë, ka thënë në Interaktiv të enjten se ka ende telashe me luftën kundër korrupsionit. Megjithatë, sipas tij, liberalizimi është çështje që mund të arrihet shumë shpejt.
“Epo unë besoj se të gjithë ne duhet të punojmë së bashku që ta bëjmë të mundur këtë synim. Nuk do të doja që të jepja data konkrete, por mendoj se ne si institucione të BE-së veprojmë në koordinim me Qeverinë, mendoj se është e arritshme shumë shpejt. Sa i përket anës sonë si institucione mund vetëm të them atë që e kemi thënë shumë shpesh që nga 2018-a e këndej, se Kosova ka përmbushur të gjitha obligimet dhe kërkesat ndaj saj, dhe se liberalizimi i vizave duhet të ndodhë sa më shpejt”, ka thënë ai.
Szunyog ka përsëritur se vendimi u takon të 27 shteteve anëtare dhe se është vetë sistemi i komplikuar i funksionimit të BE-së që mund të vështirësojë vendimmarrjen.
Ai ka mohuar deklarimet se BE-ja është duke u shfaqur si raciste ndaj Kosovës.
Për skepticizmin e disa shteteve për liberalizim të vizave për Kosovën, Szunyog ka thënë se “ende ekzistojnë ca telashe”.
“Janë dy grupe apo dy lloje të problemeve të cilat janë shumë të rëndësishme për Kosovën. Një prej tyre normalisht është lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit dhe zbatimi sa më i mirë dhe korrekt i sektorit të ligjit në Kosovë. Ende ekzistojnë ca telashe sa i përket kësaj, për çka edhe flasin raportet tona rreth Kosovës dhe shpresoj që edhe ju pajtoheni me mua se jo gjithçka është e përkryer në këtë drejtim. Problemi i dytë që dua të përmend lidhet me migrimin, kontrollin e emigrantëve, si dhe zbatimin e kontrollimit më të rreptë në pikat kufitare, por po ashtu shqetësim mbetet edhe lëvizja e emigrantëve të tjerë nëpërmjet Kosovës ose nga Kosova. Pra mendoj se këto të dyja janë grupet e telasheve, ku disa prej shteteve anëtare mendojnë se mund të bëhet më tepër para se ato të binden dhe të përkrahin vendimin e marrë nga Komisioni Evropian për liberalizimin e vizave”, ka shtuar ai.
Se si do të mund të afrohej Kosova te liberalizimi, Szunyog ka thënë se duhet të shfrytëzohen ambasadat në BE dhe të ketë aktivizim edhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme e të Drejtësisë.
Pavarësisht se s’jep datë, ai ka thënë se “Kosova është duke shkuar drejt rrugës së duhur”.