2 perditesime
20:17

Lajçak: Takimet Kosovë-Serbi të prodhojnë rezultate pozitive

Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, nuk ka dhënë detaje nga takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, teksa ka thënë se dëshiron që kurdo që mbahen takimet e ardhshme në kuadër të dialogut, ato të japin rezultate.

“Kjo është edhe arsyeja pse jam këtu. Nuk ka të bëjë vetëm me takimet, por edhe rezultatet. Këtë javë unë kam takuar dy herë kryeministrin Kurti dhe kam biseduar me presidentin Vuçiq, por nuk kishte rezultate pozitive të këtyre takimeve. Ambiciet tona janë të ndryshme në këtë moment dhe nuk ka të bëjë vetëm me organizimin e takimit, por edhe me një marrëveshje dhe kjo është arsyeja që ne po punojmë në këtë drejtim”, u shpreh Lajçak, raporton KP.

I pyetur se çfarë pret nga takimet e radhës Kurti-Vuçiq, Lajçaku ka thënë se nuk dëshiron të spekulojë.

“Dialogu do të vazhdojë, sepse është i rëndësishëm dhe ne kemi një vullnet të mirë. Ne vetëm duhet të sigurohemi që takimi do të prodhojë rezultate të mira”, ka shtuar ai.

Ai tha se vizita e tij në Kosovë ka të bëjë me përgatitjet e plota për takimin e radhës në Bruksel, por nuk dha ndonjë datë të saktë se kur mund të ndodhë kjo.

Lajçak sot është takuar edhe me presidenten Vjosa Osmani, e cila përçoi mesazhin te diplomati sllovak se dialogu duhet të përfundojë me njohjen reciproke Kosovës-Serbi.

Ndërkaq, pas takimit, Qeveria ka dalë me një komunikatë ku ka thënë se është diskutuar për dialogun dhe bisedimet e deritanishme. Po ashtu është folur edhe për kohën, mundësitë dhe modalitetet e takimit të ardhshëm në Bruksel. Komunikata thekson se palët u zotuan për komunikim dhe kontakte të rregullta, si dhe koordinim të vazhdueshëm.

“Paqja e qëndrueshme, stabiliteti afatgjatë dhe siguria rajonale e kanë shumë të rëndësishme raportin dhe marrëveshjen e ardhshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri Kurti rikonfirmoi gatishmërinë e Republikës së Kosovës për të përparuar drejt integrimit evropian. Ndërsa z. Lajčák shprehu mbështetjen e tij për agjendën evropiane të Kosovës”, thuhet në njoftim.

19:48

Osmani-Lajçakut: Epilogu i dialogut, njohja e ndërsjellë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka thënë të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, se njohja e ndërsjellë është epilogu që duhet të dalë nga procesi i dialogut.

Pas takimit me Lajçakun, Presidenca ka njoftuar se Osmani me të ka diskutuar për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut dhe zhvillimet e fundit në rajon.

“Presidentja Osmani theksoi se suksesi i këtij procesi nuk është i rëndësishëm vetëm për Republikën e Kosovës, por edhe për të gjithë rajonin. Ajo konfirmoi edhe njëherë se Kosova mbetet palë e përkushtuar dhe konstruktive në dialog. Në veçanti, ajo theksoi nevojën për përçim të qartë të mesazhit se epilogu i këtij procesi duhet të jetë njohja e ndërsjellë. Në takim, Presidentja theksoi po ashtu urgjencën e adresimit të tendencave destabilizuese në rajon, duke potencuar se zhvillimet e fundit në rajon nuk mund të shihen vetëm nga prizmi i çështjeve të Ballkanit Perendimor, por si një kundërvënie e drejtpërdrejt ndaj vlerave, të cilat i përfaqëson Bashkimi Evropian dhe shoqëritë demokratike”, thuhet në komunikatë.

Nga ana tjetër, Lajçaku ka vënë theks tek nevoja për aktivizim të BE-së në rritjen e kredibilitetit të procesit të zgjerimit dhe konfirmimin e së ardhmes Evropiane për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor. Ai theksoi se ka hapësirë për progres në kuadër të dialogut, gjersa potencoi rëndësinë strategjike të këtij procesi për gjithë BE-në.

17:21

Osmani takohet me Lajçakun

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të enjten në takim Përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Vizita e Lajçakut në Prishtinë vjen pas qëndrimit në Beograd ku u takua me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Takimet po mbahen me qëllim të përgatitjeve për takimin e ardhshëm në kuadër të dialogut.

Në orën 18:00, Lajçaku do të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti.