Të bashkuar në dashurinë e tyre për qentë, një shqiptar e një serb janë bërë bashkë në Kosovë për të drejtuar një strehimore për qentë e braktisur, në një rast të rrallë të bashkëpunimit në një shtet ende thellësisht të ndarë, përgjatë vijave etnike më tepër se dy dekada pas luftës shkatërruese
Mosbesimi ende i nënshtron marrëdhëniet mes komunitetit shqiptar dhe serb, pa një gjuhë të përbashkët dhe me tensione etnike, që asnjëherë nuk janë larg sipërfaqes.
Por mosbesimi i vazhdueshëm ka bërë pak për të ndarë Mentorën Hoxhën (55), themelues shqiptar i strehimores së qenve në Prishtinë dhe Slavisha Stojanoviqin, homologun e tij 57-vjeçar.
Ky operim i tyre u siguron strehë rreth 40 qenve në strehën pranë tokave bujqësore në Graçanicë, një qytet me shumicë serbe pranë kryeqytetit të Kosovës, Prishtinë.
“Ne jemi lidhur nga dashuria jonë për qentë”, ka thënë Hoxha për agjencinë AFP.
Të dy kanë ndihmuar më tepër se 1000 qenë qëkur kanë bashkuar forcat në vitin 2010.
Qentë vaksinohen e sterilizohen përpara se të lëshohen sërish në rrugë, ndërsa këlyshët dhe qentë e tjerë më të pambrojtur mbesin në strehimore.
Hoxha dhe Stojanoviq kanë arritur t’u gjejnë familje afro 80 qenve në vit në gjithë Evropën Perëndimore.
Strehimoret e kafshëve janë të rralla në këtë cep të varfër në juglindje të Evropës, ku qentë endacakë prej kohësh kanë qenë plagë për qytetet dhe fshatrat e Kosovës.
Numrat u rritën pas konfliktit në fund të viteve 1990-a, ku kafshët shtëpiake të braktisura bridhnin nëpër rrugë, ndërsa luftimet shpërngulën pronarët e tyre.
Për të luftuar problemin, autoritetet e Kosovës ofruan dhurata gjuetarëve për t’i vrarë ata, derisa një protestë publike e nxitur nga njerëz të famshëm, përfshirë edhe aktoren franceze Brigitte Bardot, e ndaloi këtë.
Por qentë e braktisur ende enden nëpër rrugët e Kosovës, duke qëndruar ulur pranë rrethrrotullimeve apo duke fjetur në parqe publike.
Pas një numri të sulmeve të qenve ndaj fëmijëve në vitin 2017, Qeveria e Kosovës lëshoi 1.3 milionë euro për një program katërvjeçar të sterilizimit.
Rreth 10 mijë qenë ende nuk janë kastruar.
Pasi pak persona duan të ndihmojnë qentë endacakë, Hoxha dhe Stojanoviq, kanalizuan dashurinë e tyre për qentë në krijimin e një prej strehimoreve të pakta që punon me qentë endacakë. Të huajt u mrekulluan me aftësinë e tyre për t’i tejkaluar dallimet etnike.
“Më duket e çuditshme kur njerëzit pyesin për ne. Është krejtësisht normale që njerëzit socializohen. Lufta ka mbaruar 20 vjet më parë”, thotë Hoxha.
Rreth 13 mijë njerëz janë vrarë gjatë luftës së viteve 1998-99, që përfundoi pas një fushate tremujore të bombardimeve të NATO-s. Ajo fushatë e detyroi Beogradin të tërhiqte trupat e saj e ta linte qeverisjen e rajonit në duar të OKB-së.
Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, ku mbi 100 vende e kanë njohur si shtet sovran që nga atëherë, me përjashtim të Serbisë dhe aleatëve të saj, Rusisë e Kinës.
Hoxha sugjeroi fillimin e një strehimoreje pas një takimi të rastësishëm në rrugë me Stojanoviqin, duke zbuluar se ata kishin një pasion të përbashkët për t’i ndihmuar qentë e braktisur në zonën e tyre.
“Mentori dhe unë jemi njësoj në zemër e shpirt dhe në dashurinë tonë për kafshët”, ka thënë Stojanoviq.
Strehimorja mbështetet kryesisht në donacione dhe në një ushtri të vullnetarëve, ku në pjesë të madhe me fondet e tyre mbulojnë koston e vaksinimit dhe sterilizimit.
“Projekti ynë ka pasur shumë ndikim në situatën, ndërgjegjësimin dhe qëndrimin e shoqërisë ndaj qenve të braktisur – në radhë të parë në rëndësinë e sterilizimit”, tha Hoxha.
Regjisorja e filmit dhe aktivistja për të drejtat e kafshëve, Hana Noka, ka thënë se duhet bërë më shumë për ta rritur ndërgjegjësimin për çështjen e qenve endacakë.
“Ka qenë endacakë që jetojnë në kushte të tmerrshme dhe mbeten vetëm në rrugë gjatë gjithë vitit. Shumica e kalimtarëve as nuk i shkojnë”, tha Noka.
Pavarësisht vështirësive dhe mungesës së përhershme të financave, Stojanoviq thotë se nuk i vjen keq që iu përkushtua qenve endacakë.
“Nëse do të filloja nga fillimi, nuk do të ndryshoja asgjë. Ndihem si në shtëpinë time me kafshët. Unë jam vazhdimisht me qentë. Ata tregojnë dashuri të madhe – thjesht nuk flasin”, tha Stojanoviq.