1 perditesime
21:19

Mehmeti u intervistua për rastin e përgjimit në aksionin ku u kapën 400 kg drogë

Saranda Ramaj

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, është intervistuar nga Inspektorati Policor i Kosovës siç është thënë për një rast ku një nënkolonel policor është i dyshuar për “ushtrim ndikimi” dhe “zbulim të fshehtësisë zyrtare.

Në fakt bëhet fjalë për rastin e suspendimit e nënkolonelit Arbresh Ajvazi, i cili ra në përgjime në akionin ku u kapën afro 400 kilogramë kokainë në Lipjan në maj të këtij viti.

Ajvazi kishte rënë në përgjime, duke folur me transportuesin e 400 kg drogë për një rast tjetër. 

KOHA mëson se gjatë bisedës me të ka përmendur edhe emrin e Samedin Mehmetit.

KOHA ka dërguar pyetje në IPK nga 21 shtatori, por në përgjigje është thënë se është në fazë hetimi rasti dhe nuk mund të shpalosen më shumë detaje sesa që kanë shpalosur në komunikatë.

Sot IPK-ja ka njoftuar për intervistimin e Mehmetit në cilësinë e dëshmitarit.

“Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik, ofron sqarim rreth shkrimeve të publikuara lidhur me intervistimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës. IPK konfirmon se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës z. Samedin Mehmeti është ftuar për intervistë bazuar në mandatin ligjor të IPK-së. z.Mehmeti është intervistuar nga hetuesit e IPK-së në cilësinë e dëshmitarit lidhur me rastin ku një prej vartësve të tij është i dyshuar për veprën penale "Ushtrim ndikimi" dhe "Zbulimi i fshehtësisë zyrtare””, thuhet nga IPK-ja.

 

19:33

IPK-ja tregon se drejtori i Policisë po intervistohet në cilësi të dëshmitarit për një rast

Inspektorati i Policisë së Kosovës (IPK) ka konfirmuar se drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit për një rast.

Nga IPK-ja është thënë se ai është intervistuar lidhur me rastin ku një prej vartësve të tij është i dyshuar për veprën penale “ushtrim ndikimi” dhe “zbulim i fshehtësisë zyrtare”.

IPK-ja kishte rekomanduar suspendimin e një nënkoloneli të Policisë për “ushtrim ndikimi” dhe “zbulim të fshehtësisë zyrtare”.

Nga Inspektorati është thënë se Mehmeti nuk është duke u intervistuar në një rast të konfiskimit të një substance të dyshuar narkotike, siç është aluduar në disa media.