5 perditesime
20:14

Kuvendi përzgjedh disa anëtarë jo-ekzekutivë të bordit të BQK-së, votimi vazhdon javën e ardhshme

Kuvendi i Kosovës ka përzgjedhur sot disa nga anëtarët jo-ekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës. Për shkak të mungesës së kuorumit për të vazhduar me procesin e votimit, kjo seancë do të vazhdojë javën e ardhshme.

Nga paneli përzgjedhës nga BQK janë propozuar dy lista me shtatë kandidatë për dy pozita, si dhe lista me pesë kandidatë për një pozitë.

Nga lista me pesë kandidatë për një pozitë kandidatë kanë qenë Bashkim Nurboja, Bedri Peci, Butë Dedaj, Kosovare Ukshini dhe Mimoza Mustafa.

Deputeti i Vetëvendosjes Salih Zyba ka prezantuar votat për një pozitë të anëtarit jo-ekzekutiv të BQK-së.

“Në votim kanë marrë pjesë 86 deputetë. Të pavlefshme janë pesë fletëvotime. Bashkim Nurboja ka fituar 51 vota, Bedri Peci 12 vota, Butë Dedaj 11 vota, Kosovare Ukshini 2 vota, Mimoza Mustafa pesë vota. Konstatojmë se sipas këtij rezultati Bashkim Nurboja ka fituar votat e mjaftueshme”, ka njoftuar Zyba.

Ndërsa, nga lista për dy anëtarë jo-ekzekutivë të BQK-së, kandidatë kanë qenë Behgjet Brajshori, Driton Balaj, Edona Perjuci-Uka, Imrie Zeqiri, Nora Latifi-Jashari, Nuhi Ahmeti dhe Petrit Gashi.

“Në votim kanë marrë pjesë 86 deputetë. Nora Latifi-Jashari ka marrë 45 vota, ndërsa edhe tre kandidatët e tjerë do të hyjnë në raundin e dytë... Behgjet Brajshori 11 vota, Driton Balaj ka fituar 15 vota, Edona Uka 10 vota, Imrie Zeqiri 15, Nora Latifi-Jashari 45, Nuhi Ahmeti 18, Petrit Gashi tetë... Nora Latifi-Jashari kalon, ka marrë 45 vota, ndërsa Driton Balaj, Imrije Zeqiri votohet vetëm për këta dy dhe për Nuhi Ahmetin që ka marrë 18 vota”, ka njoftuar deputetja Valentina Bunjaku-Rexhepi.

Për shkak të mungesës së kuorumit për të vazhduar me procesin e votimit, kjo pikë do të vazhdohet në seancën e ardhshme.

Pikë tjetër e mbetur e rendit të ditës është edhe zgjedhja e anëtarëve të Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale. KP

18:51

Kuvendi emëroi anëtarët e Këshillit Kombëtar të Shkencës

Me 69 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, është vendosur për emërimin e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës.

Pasditen e sotme, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar për përbërjen prej 15 anëtarëve të KKSH-së.

Anëtarët e Këshillit Kombëtar të Shkencës janë: Fetah Podvorica, Mihone Kerolli-Mustafa, Ardian Gojani, Muzafere Krasniqi-Limani, Ardian Morina, Zanfina Ademi, Fisnik Kurshumliu, Bajram Berisha, Hysen Bytyqi, Alirizah Aranliu, Gazmend Qorraj, Armend Tahirsylaj, Serdan Kervan, Majlinda Bregasi dhe Arbnora Dushi.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, tha se personat e propozuar për anëtarë të Këshillit Kombëtar të Shkencës janë hulumtues të të gjitha fushave.

“Këshilli Kombëtar i Shkencës përbëhet prej 15 anëtarëve, të cilët i emëron Kuvendi me propozimin e Qeverisë, me një mandat prej katër vjetësh. Në Këshillin Kombëtar të Shkencës, sipas ligjit, duhet të sigurohet përfaqësimi adekuat i institucioneve kërkimore-shkencore, i fushave prioritare të shkencës dhe i autoriteteve të shkencore. Detyrë kryesore e Këshillit Kombëtar të Shkencës është hartimi i programit kombëtar të shkencës, i cili paraqet dokumentin bazë për financimin e punës kërkimore shkencore në Kosovë. Ndonëse është obligim ligjor, Kosova nuk ka Këshill Kombëtar të Shkencës prej qershorit 2011, edhe pse ka qenë obligim ligjor i qeverisë në atë kohë që gjashtë muaj para përfundimit të mandatit”, ka thënë ajo.

Nagavci tha se nga 15 emrat e propozuar, 10 kanë qenë të propozuar nga institucionet dhe pesë nga Ministria e Arsimit. Mandati i të emëruarve të Këshillit Kombëtar të Shkencës është katërvjeçar.


​Formohet komisioni Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për tre anëtarë të KPM-së

Me 80 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka formuar Komisionin Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për tre anëtarë të Komisionit të Pavarur të Mediave, prej tyre dy nga radhët e komunitetit shqiptar dhe një nga radhët e komuniteteve joshumicë.

Nga Lëvizja Vetëvendosje, nënkryetar i dytë i komisionit do të jetë deputeti Njazi Isaku, ndërsa anëtarët tjerë, deputetët Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, Fitim Haziri, Jeta Statovci dhe Valon Ramadani.

Zëvendëskryetar i parë i komisionit ad-hoc nga Partia Demokratike e Kosovës është Hajdar Beqa dhe Ariana Musliu-Shoshi.

LDK-ja për anëtar të Komisionit ka propozuar deputetin Agim Veliu. Nga AAK-ja anëtare do të jetë deputetja Time Kadriaj, ndërsa nga grupi multietnik Fidan Jilta.

Për këtë pikë të rendit të ditës, Lista Serbe nuk ka qëndruar në sallë./ KP

15:07

Kalon raporti vjetor i KOSTT-it për 2020-n

Me 79 vota për, asnjë kundër e asnjë abstenim është miratuar raporti vjetor për Ndërmarrjen Publike KOSTT për vitin 2020

Deputetët e opozitës dhe të pushtetit kanë pasur mospajtime paraprakisht, derisa këta të fundit thanë se raporti nuk i përmbush kushtet ligjore.

E nga opozita, kanë deklaruar se KOSTT-i në vitin paraprak ka performuar me rezultat pozitiv dhe se pasqyrat financiare i ka paraqitur si duhet.

“Kosti u nda nga blloku me Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe u bë bllok më Shqipërinë. Strukturat kanë nevojë të përmirësohen. Ndoshta dikujt s’po i pëlqen ky organizim por këto janë grupe të interesit. Kompania KOSTT është një nga kompanitë më të suksesshme në Kosovës, atëherë si është e mundur të mos miratohet ky raport?”, tha Valentina Bunjaku-Rexhepi nga LDK-ja.

Pal Lekaj i AAK-së deklaroi se është i çuditur se si një raport i dalë nga kryetari i Komisionit, rekomandohet të mos votohet.

“PDK e mbështet raportin e ndërmarrjes KOSTT, duke marrë parasysh edhe sfidat që ka kjo kompani si dhe sfidat e energjisë në Kosovë. Dhe ju bëj thirrje edhe deputetëve tjerë ta përkrahin. Ne jemi që të gjejmë mundësi që ndërmarrja të ec përpara e t’i gjejmë zgjidhje”, tha Ferat Shala i PDK-së.


Propozim-vendimi për dhënie të statusit të investuesit strategjik “Kosmonte Foods” përplasë pushtetin me opozitën

Në Kuvend është propozuar për shqyrtimin e propozim-vendimit të Qeverisë për miratimin e rekomandimit të Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike për dhënien e statusit Investitor Strategjik për subjektin investues “KOSMONTE FOODS” Sh.P.K,

Në mungesë të ministres së Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, ka folur ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci si e deleguar nga Hajdari, e cila ka rekomanduar të votohet ku propozim.

Në mungesë të Rozeta Hajdarit, ka folur Arbërie Nagavci si e deleguar nga Ministrja Hajdari, e cila ka rekomanduar të votohet ky propozim.

Por ka pasur reagime nga deputetët e opozitës.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se në këtë propozim mund të ketë afera korruptive.

“Prnnën që po e jep për investime strategjike Republika e Kosovës është pronë e Agjencisë së Pyjeve, pra e cila gjendet në Komunën e Fushë-Kosovës. Kjo pronë ka qenë e shfrytëzuar nga kjo kompani e cila pretendon ta marrë për investim strategjik për dhjetë vjet. Këtu kemi një kontest gjyqësor, kompania në fjalë ka qenë e paditur nga Agjencia e Pyjeve për mosrespektim të kontratës. Informatën e kemi që Ministria e Bujqësisë, është tërhequr nga padia. Pse duhet kjo Ministri të tërhiqet nga padia ndaj kompanisë Kosmonte Foods? Grupi operacional ku përfshihen gjithë ministritë e linjës, prej 8 anëtarëve vetëm 4 anëtarë e kanë nënshkruar këtë vendim. Një prej institucioneve që nuk e ka nënshkruar është Ministria e drejtësisë, pra nga avokati shtetëror. Është e papranueshme që sot përderisa ndalemi në retrospektivë, këtu po e jepni për 99 vjet një tokë, me konteste gjyqësore, me paqartësi të madhe, kjo iniciativë duhet të tërhiqet”, ka thënë Tahiri. “Këtu kemi të bëjmë me afër korruptive ose të na e thonë të kundërtën. Ky proces është shoqëruar me shumë parregullësi. Ish-kryeministri Avdullah Hoti dhe ish-ministrja Hykmete Bajrami, kanë refuzuar ta sjellin në Kuvend këtë gjë, sepse nuk janë pajtuar me këtë”.

E Driton Selmanaj i LDK-së ka thënë se është e pakuptimtë që në kërkesën për një investim strategjik mungojnë ministrat Hekuran Murati e Rozeta Hajdari dhe në vend të tyre të flasë ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

E deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se kjo është injorancë totale nga Qeveria.

“Përpara na del ministrja e Arsimit e jo ministrja Hajdari. Tani t’i bëjmë pyetje ministres së Arsimit është e pakuptimtë. Propozojmë që kjo të shtyhet për një seancë tjetër”, tha Lekaj.

E edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, reagoi ashpër se propozimi u bë nga ministrja e Arsimit, Nagavci.

“Nuk po flas për përmbajtjen e propozimit. Por çfarë më çuditi se si Qeveria sillet kështu me një investim strategjik. Këtë propozim e paraqiti Ministrja e Arsimit, me gjithë respektin ajo nuk është e fushës të flasë për këtë gjë. Gjashtë ministra të mos vijnë në Kuvend për një projekt të rëndësishëm, është për keqardhje. Ministrja e Arsimit nuk mund t’u përgjigjet pyetjeve tona”, tha Gashi.

E shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka reaguar duke thënë se po tregohet mos serioziteti i Qeverisë.

“Sot ju dhanë dy goditje të mëdha Kosovës në raport me investime strategjike. E dyta është mesazhi që po e përçojmë tek investuesit potencialë. Kosmonte Foods shihet që është një kompani serioze, por me mos seriozitetin e Qeverisë, autoriteti i kësaj kompanie dhe atyre potenciale është dëmtuar. Meqenëse ministrja e ka pa të udhës të mos jetë këtu, ku po vendoset që një kompanie t’i jepet statusi i investuesit strategjik, është shqetësuese”, ka thënë Tahiri.

Armend Muja i Vetëvendosjes ka reaguar duke thënë se kompania “Kosmonte Foods” ka ardhur me propozim që të shpallet investues strategjik.

“E para kjo kompani e ka marrë në shfrytëzim pronën me marrëveshje me Agjencinë e Pyejeve. E ka marrë në shfrytëzim nga viti 2015, në atë marrëveshje e ka pasur një klauzolë në rast se nuk vazhdohet nuk kalon kjo, prapë i vazhdohet edhe për pesë vjet tjera, deri në vitin 2025. Kompania ka ardhur në vitin 2019 me propozim që të shpallet investues strategjik. Në atë kohë është kërkuar pëlqimi i komunës së Fushë-Kosovës që e ka marrë edhe këshilli ndërministror që në bazë të Ligjit mjafton të jenë 4. Kompania e ka shpallë se dëshiron eksporte në Emiratet Araba dhe do t’i investojë 12 milionë euro. Një pikëpyetje që po e shtron një deputet i PDK-së është se ka rast gjyqësor. Prokuroria thotë se nuk ka rast për të”, ka thënë Muja.

E është kundërpërgjigjur Abelard Tahiri i PDK-së.

“Nuk thash se ka vepër penale. Kemi një padi të Ministrisë së Bujqësisë, nuk e ka ndjekur Prokuroria këtë. Qeveritë e kaluara nuk kanë qenë kundër kësaj kompanie, por kompania në fjalë nuk i ka plotësuar kushtet. Ka pasur padi nga Agjencia e Pyjeve dhe më vonë është tërhequr. Nuk e dimë pse”, tha Tahiri.

Në fund të debatit, u vendos që kjo pikë të shtyhet për një seancë tjetër me kërkesën e ministres Rozeta Hajdari.


S’ka kuorum për votimin e kryetarit dhe anëtarët e bordit të OSHP-së
 

As për votimin e kryetarit dhe katër anëtarëve të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, nuk ka pasur kuorum në seancën e sotme plenare. Për këtë pikë të rendit të ditës kanë votuar vetëm 52 deputetë, ku pozita ka qenë kundër. Qeveria dhe partia që ka shumicën në kuvend janë kritikuar nga opozita se të njëjtit nuk kanë shprehur qëndrim për listën e propozuar për anëtarët e bordit të OSHP-së.

Kandidatët e propozuar nga organi përzgjedhës i pavarur për bordin e OSHP-së janë: Ardian Behra 32.3 pikë, Hasim Krasniqi 28.7, Faruk Rexhaj 28, Adem Spahiu 26.3 dhe Ruzhdi Morina 26 pikë.

Opozita ka kritikuar ekzekutivin që nuk po mban qëndrim për këtë listë të propozuar.

Më pas, ministri i Financave Hekuran Murati tha se deputetët duhet të sigurohen që personat që përzgjidhen të kenë edhe kriterin e integritetit.

Për këtë ka reaguar opozita, ku tha se ka një listë me vetëm pesë emra, ku nuk mund të zgjedhin se kë të votojnë.

Por deputeti nga radhët e LDK-së Armend Zemaj tha se qeveria po tenton të ngritë dyshime për anulimin e këtij procesi.

“Vullneti i shumicës po dëshiron që këtë institucion që duhet të jetë i pavarur dhe i pa korruptuar. Ju këtë proces po e bëni me dyshime. Në momentin kur nuk deklarohet qeveria dhe komisioni, po ngrini dyshime qoftë në anulimin e këtij procesi, sepse nuk janë njerëzit e pëlqyeshëm për ju dhe në procesin e ardhshëm do të jenë njerëz të pëlqyeshëm për qeverinë dhe do të zgjidhen njerëzit që do t’i përgjigjen njerëzve apo klaneve të ndryshme”, ka deklaruar Zemaj.

Meqë në fillim të shqyrtimit të kësaj pike nuk ka pasur kërkesë nga ekzekutivi për të diskutuar për këtë pikë, deputeti i LDK-së Armend Zemaj, theksoi se aferat korruptive po tentohen të kalojnë në heshtje. Sipas tij, është e paarsyeshme që për një vit mos të ketë bord të OSHP-së.

Me këtë nuk është pajtuar, shefja e shumicës së deputetëve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila. Ajo tha se është pasaktësi të kërkohet qëndrimi i qeverisë në këtë pikë, kur procesi është shtyrë sipas ligjit.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, theksoi se është me rëndësi që lidhur me këtë çështje të dilet me një qëndrim nga qeveria.

Ndërsa, shefi i GP-së të AAK-së, Besnik Tahiri tha se është e domosdoshme që Kuvendi të vendosë për funksionalizimin e bordit të OSHP-së.

Ai ka shtuar se mos-funksionalizimi i këtij bordi pamundëson investimet kapitale në secilën kontratë nëse do të ketë ankesa./ KP

14:49

Deputetët e pushtetit dalin kundër miratimit të raportit vjetor të AAC-së

Kundër miratimit të raportit vjetor të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës për vitin 2020 kanë dalë deputetët e pushtetit. Fitore Pacolli e Armend Muja thanë se ky raport ka mangësi, derisa kanë rekomanduar Kuvendin që të mos votohet ky raport.

“Ne si deputetë kemi vendosur që të shqyrtojmë raportin në detaje dhe të vendosim që raporti të mos miratohet për shkak të mangësive dhe problemeve të brendshme që ka brenda autoritetit”, tha Pacolli.

Deputeti Muja theksoi se Komisioni për Buxhet e ka shqyrtuar këtë raport, duke vendosur t’ia paraqes Kuvendit kërkesën që të mos miratohet.

Në sallë aktualisht janë 79 deputetë të pranishëm, derisa vetëm 56 e kanë votuar raportin, me ç’rast u konstatua se s’ka kuorum.

“Komisioni për buxhet, e ka shqyrtu raportin të aviacionit civil të kosovës për vitin 2020, ka vendosur që të ja paraqes Kuvendit këtë kërkesë, që të mos miratohet ky raport”, tha Muja.

14:37

S’kalon raporti vjetor financiar për buxhetin e 2020-s

Nuk ka kaluar raporti vjetor financiar për buxhetin e vitit 2020. Kjo për shkak të mungesës së kuorumit, derisa deputetët e pushtetit votuan kundër, e ata të opozitës nuk morën pjesë në votim.

14:31

Fillon seanca e Kuvendit

Ka nisur vazhdimi i seancës plenare në Kuvendin e Kosovës. Kryeparlamentari Glauk Konjufca seancën e nisi duke iu shprehur ngushëllime familjarëve të 45 viktimave që vdiqën në aksidentin tragjik në Bullgari.

“Të gjithë sot jemi të tronditur për lajmin që morëm në mëngjes, ku 45 qytetarë humbën jetën në një aksident tragjik”, deklaroi ai para deputetëve, ku mandej u mbajt një minutë heshtje,