Arbëri

Sejdiu: Rreth 300-400 mjekë ikin çdo vit

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, ka deklaruar se gati çdo vjet rreth 300-400 mjekë ikin nga sistemi publik i shëndetësisë.

Sipas tij, gjatë 2021-s jashtë vendit janë larguar 140 mjekë, 86 kanë dalë në pension dhe rreth 40 kanë shkuar për të punuar nga sektori publik në atë privat.

Ai deklaroi në KTV se ndër shkaqet e largimit të mjekëve janë pagat, mosngritja profesionale dhe moskrijimi i kushteve të punës.

“Problematika e ikjes së mjekëve, jo vetëm në privat nga publikja por edhe jashtë, janë kushtet e punës dhe paratë. Deri më tani kemi pasur 140 kolegë të ri që në moshën mesatare 30 vjeçare janë larguar nga Kosova, derisa kjo do të të duhej të zëvendësonte gjeneratën time. Nëse për çdo vjet ikin nga 140, plus nëse 40-45 largohen nga sistemi publik në atë privat në vit, i bie që largohen 300-400 mjekë. Në anën tjetër ne i kemi 500 mjekë të papunë”, deklaroi ai.

I pari i Odës së Mjekëve tha se në dhjetor të këtij viti do të mbahen zgjedhjet e brendshme për përzgjedhjen e kryetarit dhe strukturave, duke theksuar se janë zgjedhjet e treta që mbahen dhe do të jenë më masivet.

“Kjo tregon që Oda është formuar dhe ka fituar kredibilitet. Shihet një mundësi që mjekët të japin kontributin e tyre dhe është organizatë vetadministruese e mjekëve”, deklaroi Sejdiu.

Ai theksoi se për votim kanë të drejtë 4.600 mjekë.

“Të gjithë ata që certifikohen, me 1 dhjetor u nënshtrohen votimeve. Ne do të kemi përfaqësuesit e të gjitha institucioneve private e publike, të shohim si do të dalë kjo listë. Shpresojmë të dalë sa më kualitative. Katër vjetori i ardhshëm na pret me sfida shumë të mëdha, i kemi objektivat ku të fokusohemi. Viti i ardhshëm do të jetë vit i ndryshimeve ligjore në përgjithësi, edhe mjeku do ta ketë statusin e vet në shoqëri dhe fokusimi të jetë bashkëfinancim profilizimi i kolegëve tanë”, tha tutje.

Problematikë Sejdiu po e sheh edhe ndërhyrjet politike, duke përmendur raste që ndërrimet e qeverive kanë bërë që disa projekte të ndërpriten.

“Kanë dalë ide prej kolegëve për vendosjen e lapidarit për kolegët tanë. Kemi pasur një problem që më shumë është politizuar, kemi fituar një donacion prej 500 mijë euro për ndërtimin e objektit por një ministri thotë po, e tjetra jo. Kemi sfida që udhëheqësia e ardhshme duhet përballur”, shtoi Sejdiu.