Arbëri

Beteja me lobe

Shteti serb ka vënë në shfrytëzim të gjitha resurset për lobistët amerikanë, në mënyrë që t’i shtyjë interesat e saj politike dhe ekonomike. Me gjithë mungesën e ndihmës financiare nga Qeveria e Kosovës, lobuesit shqiptaro-amerikanë janë angazhuar për sigurimin e zërave pro interesave të shtetit, në kohën kur synohet arritja e marrëveshjes finale. Në mesin e tyre është edhe senatori Bob Menendez, i cili ka ofruar mbështetje në kundërshtimin e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe

Serbia vazhdon të shpërndajë shuma të majme për lobistët amerikanë në funksion të sigurimit të mbështetjes politike dhe ekonomike. Mediat në Serbi kanë raportuar për ndarjen e afro dy milionë eurove për kompanitë e lobimit. Vetëm Oda Ekonomike e Serbisë për tre vjet lobim i ka paguar 1.3 milion dollarë një kompanie amerikane dhe deri në fund të vitit 2022 planifikon t’i ndajë edhe gjysmë milioni dollarë për shërbimet e saj.

Derisa shteti serb po e shtrin ndikimin, Qeveria e Kosovës nuk ka treguar nëse ka angazhuar lobistë.

Sistemi politik amerikan mundëson pjesëmarrjen në procese vendimmarrëse, përmes ndikimit ose lobimit në çështje të caktuara.

Lobi shqiptaro-amerikan nuk e ka dinamikën e viteve ‘90 kur sensibilizohej çështja e Kosovës në Kongres dhe institucionet e tjera amerikane.

Roli i lobit shqiptaro-amerikan

Në krye të saj ishte Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane, me udhëheqës Josef Diogardin. Anëtari i bordit të këtij lobi, Hafiz Shala, ka folur për mungesë përkrahjeje nga qeveritë e deritashme.

Por, shton se kjo nuk i ka penguar që të lobojnë për çështjen shqiptare, teksa ka listuar angazhimet e fundit.

“I kemi definuar çështjet për angazhimin që do ta kemi në vijim. Janë bisedimet Kosovë-Serbi, pasi konsiderojmë se pa intervenimin e Amerikës nuk do të mund të shtyhen përpara interesat e Kosovës. Fokusi ynë është në kundërshtimin e themelimit të Asociacionit etnik për serbët e Kosovës, i cili përbën një kancer në trupin e Kosovës. Senatori Bob Menendez, që është kryetar i Komitetit për marrëdhënie të Punëve të Jashtme në Senatin Amerikan, i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Lobit Shqiptar që të angazhohet, të ndihmojë dhe të vazhdojë rrugën e ish-kolegut të tij, tani presidenti Joe Biden”, ka thënë Shala.

“Menendez ka potencuar veçmas Asociacionin, për të cilin tha se është recetë e rrezikshme. Ka njohuri të thella rreth kësaj teme dhe Ballkanit në përgjithësi”.

Sipas Shalës, Menendez dha kontribut të rëndësishëm në përfshirjen e Kosovës në Samitin e Demokracisë, ku fillimisht kishte munguar ftesa.

“Kur ka dalë lajmi i parë dhe e kanë paraqitur listën e shteteve, menjëherë kemi kontaktuar gruan e Diogardit, e cila i ka shkruar letër Menendezit. Të dielën e kanë telefonuar nga Shtëpia e Bardhë se ka pranuar letrën. Ka qenë ndikimi direkt i Menendezit, i cili ka kërkuar sqarime se pse Kosova nuk është ftuar. Më pas u ftuan Kosova edhe Serbia”, ka theksuar Menendez.

Sa i përket lobit serb, Shala ka shtuar se ai nuk ka strukturë organizative, por serbët veprojnë me disa autoritete që lobojnë përmes kongresistëve dhe senatorëve. Sipas tij, lobi shqiptari amerikan çdo gjashtë muaj raporton për punën e tij në shtetin amerikan.

Ndërkaq për ndihmën nga Qeveria e Kosovës, ka thënë se ende nuk ka diçka konkrete.

“Lobi shqiptar nuk është i asnjë qeverie apo partie. Ne përkrahim çdo qeveri që punon për popull. Në periudhën e ish-qeverive kemi kryer punën tonë dhe nuk kemi dashur të mbesin peng i asnjërës, edhe pse ato nuk kanë ndihmuar financiarisht. Punojnë me udhëheqjen e re, jemi të gatshëm përderisa janë në rrugë të mbarë. Për çështje materiale ende nuk kemi asgjë. Nuk kemi dëshirë me na mbajt për një shumë mjetesh edhe me diktu politikën tonë. Ne duam të jemi të pakontrolluar, ne kemi dalë edhe kundër Bushit në vitin 2000 kur përmendej tërheqja e trupave nga Evropa. Me kërkesën tonë ka ndërhyrë Bideni që ka kërkuar të mos largohen trupat nga Kosova dhe ashtu ndodhi”, është shprehur Shala.

Paqëndrueshmëria politike dhe ekonomike në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi para disa muajsh nxiti riorganizimin edhe të lobistëve të njohur shqiptarë në ShBA, nën ombrellën e një organizate të re, të quajtur “Kongresi Panshqiptar Amerikan”.

Gjatë këtij viti, ata organizuan takime edhe me kryeministrin Kurti dhe politikanë opozitarë nga Kosova.

Synimi i tyre është kthimi i ndikimit që shqiptarët kishin në politikën amerikane gjatë viteve ‘90.

Image

Efekti Trump

Ndryshimi i qasjes amerikane në raport me Serbinë ndodhi gjatë administratës së presidentit Donald Trump.

Sipas të dhënave të marra nga gazeta “Nova”, në listën e kontakteve, të cilat kompania lobuese i raportoi për Serbinë, përfshihet edhe Richard Grenell, ish-i dërguar i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, si dhe Matthew Palmer, që shërbeu si përfaqësuesi special për Ballkanin Perëndimor.

Në regjistrin zyrtar amerikan nuk ka asnjë informacion se Qeveria e Serbisë ka bërë marrëveshje me ndonjë kompani lobimi në SHBA.

Mirëpo, këtë e ka bërë Oda Ekonomike e Serbisë, e cila ka lidhur disa kontrata me kompaninë “Yorktown Solutions” për vitet 2019, 2020, 2021 dhe 2022. E fundit është nënshkruar para dhjetë ditëve. Sipas dokumentit, kompania është e detyruar të ofrojë “këshilla strategjike në lidhje me temat të cilat ndikojnë në marrëdhëniet ekonomike SHBA-Serbi”.

“Kjo përfshin çështjet e menaxhimit dhe çështjet e qeverisë, të cilat pritet të përfshijnë kontakte me zyrtarë të Qeverisë amerikane dhe përfaqësues të sektorit privat përkatës”, ka shkruar “Nova”.

Analisti politik, Dushan Janjiq, tha së fundi se Serbia e paguan 100 mijë dollarë në muaj ish të dërguarin e SHBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell.

“Lobimi është i organizuar shumë, çuditërisht dhe për fat të keq askush nuk ka ndryshuar asgjë, nga Slobodan Milosheviqi e deri më sot, matricat dhe agjencitë janë të njëjta dhe disi shkojmë më shumë drejt politikave sesa drejt kompanive. Nuk kemi lobim serioz”, ka thënë Janjiq, që është edhe kryetar i Forumit për Marrëdhënie Etnike.

Por kjo u mohua nga vetë Grenelli, i cili javën e kaluar qëndroi në Kosovë.

“Njerëzit duhet të dinë dhe duhet të kuptojnë që e vërteta duhet të vërtetohet, sepse diçka si e tillë e dëmton reputacionin, unë nuk do ta bëja atë nëse është jolegale nëse marr të holla. E dyta nuk është e vërtetë, dhe njerëzit thonë gjëra të tilla kur nuk kanë fare ide për çka janë duke folur, për të bërë drama dhe lajme të rrejshme dhe kjo është shumë e dëmshme”, kishte shkruar Grenelli.

Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka mohuar se Qeveria e vendit paguan ish të dërguarin e Administratës Trump, Richard Grenell, dhe ish-zëvendësndihmës sekretarin e Shtetit për Çështje të Ballkanit Perëndimor dhe Eurozisë, Matthew Palmer.

Ai ka akuzuar të tjerët në Serbi që nuk janë me pushtetin si “tradhtarë”, të cilët nuk ia duan të mirën Serbisë.

“Kjo është një gënjeshtër e madhe, është e turpshme. Qëllimi i tyre është që të shkatërrojnë Serbinë. Secili që nuk është kundër nesh menjëherë e bëjnë lobues tonin”, ka thënë Vuçiqi.

Në debat u përfshi edhe njohësi i çështjeve politike, Daniel Serwer, që ka kërkuar t’i dërgohen dëshmitë me dokumente se ish-emisari i SHBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, paguhet për të lobuar nga Serbia, dhe se ai personalisht do t’i dërgojë ato në Departamentin e Drejtësisë.

“Më dërgo dëshmitë me dokumente se kjo është e vërtetë dhe unë personalisht do t’i dorëzojë ato në Departamentin e Drejtësisë”, ka shkruar Serwer, duke komentuar një postim të Suzana Starikovit, e cila kishte shkruar se si Grenelli paguhet nga 100 mijë dollarë në muaj për të lobuar për Serbinë.

Gjatë administratës së Trumpit, për herë të parë në Zyrën Ovale ishte futur një president i Serbisë. Aleksandër Vuçiq dhe ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, nënshkruan marrëveshjen e ashtuquajtur për normalizim ekonomik. Me përjashtim të hapjes së Ambasadës së Kosovës në Jerusalem që ishte parakusht për njohjen nga Izraeli, shumë pika të asaj marrëveshjeve mbesin të pazbatuara. Edhe administrata aktuale Biden, së cilës i dha mbështete publike kryeministri Kurti ka konfirmuar se angazhimet e marra përsipër qëndrojnë dhe se palët duhet të tregojnë vullnet në përmbushjen e tyre.

Roli historik i SHBA-së

Roli historik i Shteteve të Bashkuara në çlirimin e vendit dhe shpalljen e pavarësisë nuk mohohet prej askujt në Kosovë. Përpjekjet e Kosovës për liri pashmangshëm janë të ndërlidhura me rolin e Shteteve të Bashkuara.

Pak para përfundimit të mandatit dhe transferimit të detyrimeve presidenciale të Bill Clintonit, George Bushi i vjetër bëri dy lëvizje të politikës së jashtme: miratoi dërgimin e trupave amerikane në Somali dhe i dërgoi presidentit serb, Slobodan Milosheviq të ashtuquajturin “Paralajmërim të Krishtlindjeve”. Më 24 dhjetor të vitit 1992 një përfaqësues i Ambasadës Amerikane në Beograd ia përcolli mesazhin Milosheviqit dhe ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave, Zivota Paniq.

Dario Malnar në librin “ShBA-ja dhe Kosova” (botimet KOHA, Prishtinë, 2013) shkruan se paralajmërimi kishte të bëjë me atë se “në rast të konfliktit në Kosovë, të shkaktuar nga veprimi serb, ShBA-ja do të jetë e gatshme të përdorte forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe në vetë Serbinë”.

Në analizat e politikës amerikane ndaj Kosovës “Paralajmërimi i Krishtlindjeve” ka rëndësi të veçantë sepse përfaqëson një hap të rëndësishëm të Administratës së Bushit, për zgjidhjen e krizës në territorin e ish-RSFJ-së, përfshirë Kosovën.

Angazhimi diplomatik gjatë viteve 1998-99, i cili u kurorëzua me Konferencën e Rambujesë, nuk i dha fund krizës në Kosovë. Refuzimi i Milosheviqit që të firmosë marrëveshjen, solli operacionin ushtarak “Allied Force” (Forca aleate v.j.). Sulmet mbi infrastrukturën serbe nisën më 24 mars, dhe zgjatën deri më 10 qershor 1999.

Ish-presidenti amerikan, Clinton, kishte shpjeguar qëllimet e fushatës se NATO-s në fjalimin e tij televiziv po atë natë. Ai e dëshmoi seriozitetin e reagimit të SHBA-së kundër agresionit serb dhe ndaljen e sulmeve të shfrenuara të Milosheviqit në Kosovë. Qëllimi ishte të dëmtohen seriozisht kapacitetet ushtarake të ish-Jugosllavisë për të bërë luftë në të ardhmen.

Kosova e shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008, ku shtytje vendimmarrjes i dha një deklarate e presidentit amerikan, George W. Bush, i cili nga Tirana tha se, “mjaft është mjaft, Kosova duhet ta ketë pavarësinë”.

Mes kundërshtimit të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, në vitin 2018 i bë transicioni i Forcës së Sigurisë drejt shndërrimit në Ushtri. Kjo vendimmarrje, për të cilin kishin nisur përpjekjet para pesë vjetësh, u bë me përkrahjen e Shteteve të Bashkuara.