Arbëri

GLPS: Ndjekja penale e personave që abuzojnë me pushtetin publik ka dështuar

Descriptive Text

Kosova po vazhdon të ballafaqohet me sfida dhe vështirësi të njëjta në sektorin e Sundimit të Ligjit. Ndonëse, legjislacioni i Kosovës i përmbush të gjitha standardet e BE-së, ato nuk po gjejnë zbatim në praktikë, thuhet në raportin e fundit të Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).

Bazuar në këtë raport, vetëm 37.5% është parandaluar abuzimit i pushtetit dhe se luftimi i këtij fenomeni përmes ndjekjes penale ka dështuar.

Në publikimin e këtij raporti, Lirika Agusholli nga GLPS ka thënë se kanë bërë një vlerësim të sektorit të sundimit të ligjit në Kosovës, bazuar në listën kontrolluese të Komisionit të Venecias.

“Edhe pas 13 vitesh pavarësi, Kosova vazhdon të ballafaqohet me sfida dhe vështirësitë e njëjta në sektorin e Sundimit të Ligjit. Legjislacioni i Kosovës përmbush pothuajse të gjitha standardet e BE-së dhe mbetet në proces të harmonizimit me Aqcuis, por në anën tjetër nuk bëhen përpjekje serioze për zbatimin e tyre në praktikë. Si e tillë, nevoja e vazhdueshme për të përmirësuar koordinimin dhe mbikëqyrjen e politikave dhe legjislacionit që garantojnë e lirive dhe drejtave themelore të njeriut”, ka thënë Agusholli.

Ajo ka bërë të ditur se ky raport përfshin periudhën nga maji i këtij viti deri në tetor.

Ema Pula nga GLPS-ja ka folur për rezultatet e kësaj analize, duke theksuar se ndjekja penale e personave që abuzojnë me shtetin publik pothuajse ka dështuar.

“Nota mesatare e përgjithshme e përmbushjes të të gjitha këtyre kritereve të listës se kontrollit për periudhën kohore (maj-tetor 2021) është 55.98% ndërsa në vitin 2018 vlerësimi i bërë nga GLPS e vendosi këtë përqindje në 54.2%. Nga 5 kategoritë, vlerësimet për secilën janë si në vijim. Barazia para Ligjit është vlerësuar me pikët më të larta, me gjithsej 85%. Në anën tjetër kategoria që është Parandalimi i Abuzimit të keqpërdorimit të Pushtetit rezultoi me rezultatin më të ulët me 37.5% të përmbushjes. Kjo përqindje e ulet i atribuohet faktit që luftimi i këtij fenomeni përmes ndjekjes penale dhe sanksionimit të personave që abuzojnë me autoritetin apo pushtetin publik pothuajse ka dështuar në tërësinë e tij. Legjislacioni dhe dispozitat ekzistojnë në lidhje me kërkesat e kësaj kategorie mirëpo ka pasur një mungesë të qartë të veprimit në praktikë gjatë viteve të fundit. Të gjitha kategoritë e tjera, pra tri të mbetura kanë shënuar një rezultat optimal apo mesatar, duke përfshirë Ligjshmërinë me 44.28%, Siguria Juridike me 53.33% dhe Qasja në Drejtësi me 59.70%”, ka thënë ajo.

Sipas saj, sigurimi i sundimit të ligjit është një detyrë konstante për të rritur standardet siç përcaktohen me listën kontrolluese të sundimit të ligjit

GLSP këtë raport e ka bazuar në listën e kontrollit prej 5 elementeve. Këtu janë të përfshira ligjshmëria, siguria juridike, parandalimi i keqpërdorimit të pushtetit, barazia para ligjit dhe mos-diskriminimi dhe qasja në drejtësi.

GLPS ka rekomanduar që të sigurohet miratimi i legjislacionit dhe se legjislacioni i ri i ndryshuar të inkorporohet në një version të konsoliduar të ligjit. Po ashtu, të sigurohet qasje në drejtësi të grave, komuniteve pakicë, të moshuarve, fëmijëve dhe të varfërve./kp