Arbëri

Përfaqësues të Komisionit të Venecias në Kosovë, diskutohet pakoja e projektligjeve të sistemit prokurorial

Descriptive Text

Përfaqësues të Komisionit të Venecias kanë ardhur në Kosovë. Ata janë takuar me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe përfaqësues tjerë nga Ministria e Drejtësisë, ku u diskutua pakoja e projektligjeve të sistemit prokurorial me theks të veçantë Projektligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Haxhiu ka thënë se synimi janë reformat e thella në drejtësi me qëllim që Kosova të jetë shtet i së drejtës dhe që të kthehet besimi i qytetarëve në institucionet e drejtësisë.

“Tashmë ka 8 muaj që ne kemi marrë mandatin dhe dy nga zotimet tona para qytetarëve kanë qenë sundimi i ligjit dhe zhvillimi ekonomik. Pas formimit të Qeverisë, zotimet tona janë bërë pjesë e programit qeverisës dhe në këtë drejtim që nga momenti që kam marrë detyrën i tërë potenciali ynë është përqendruar në zbatimin e programit qeverisës dhe për këtë jemi duke punuar me tërë kapacitetet, edhe si kabinet pra stafi politik por edhe stafi civil e profesional i Ministrisë se Drejtësisë”

Reformimi i KPK-së, shtoi ajo, vjen si domosdoshmëri e identifikuar në Strategjinë ndër-sektoriale për sundimin e ligjit, me synim rritjen e efikasitetit, transparencës, llogaridhënies në sistem prokurorial dhe në veçanti në KPK, si organ mbikëqyrës e llogaridhënës dhe me synimin për të evituar menaxhimin korporatist në KPK dhe arritjen e balancës në KPK me përfaqësim të barabartë të anëtarëve prokurorë dhe jo prokurorë.

Përfaqësuesit e Komisionit të Venecias, Antonio Gaspar, James Hamilton dhe Grigory Dikov adresuan pyetje rreth synimeve të cilat do të arrihen me anë të kësaj pakoje reformuese.

Pas sesionit të diskutimeve Komisioni do të dërgojë raportin me rekomandime, përmes të cilit do t’u përgjigjet pyetjeve të adresuara nga ana e Ministrisë së Drejtësisë.