Arbëri

Vitija për Latifin: Mosnjohja e gjendjes së shëndetësisë, dobësi në menaxhimin e tij

Dobësi në menaxhimin e tij me shëndetësinë mund të jetë mosnjohja e gjendjes aktuale

Bujar Vitija, kryeredaktor i gazetës “Shneta” ka thënë se mosnjohja ose njohja e pakët e sistemit shëndetësor të Kosovës, do të jetë një nga dobësitë e ministrit të ri të shëndetësisë, të emëruar të hënën nga kryeministri Kurti, Rifat Latifi.

Vitija ka përmendur në “Interaktiv” të KTV-së se Latifi ka deklaruar se di për gjendjen me pandeminë në Kosovë, aq sa ka parë dhe lexuar në media.

“Mosnjohja ose njohja e pakët që e ka ndaj sistemit shëndetësor do të jetë një nga dobësitë e tij të menaxhimit. Ai tha se për gjendjen për pandeminë në Kosovë di aq sa ka lexuar në media. Pandemia si një nga sfidat kryesore që do të jetë në menaxhimin e shëndetësisë, ai fatkeqësisht nuk i ka informacionet e duhura”, ka thënë Vitija.

Sipas tij, ndonëse Latifi është një kirurg me arritje të mëdha në karrierën e tij, kjo nuk do të mjaftonte që të ketë sukses në menaxhimin e shëndetësisë në Kosovë.

Vitija ka thënë se një prej telasheve që do ta ketë ministri i ri është se do të përballet me kërkesa për rritje të pagave të punonjësve shëndetësorë, e po ashtu me procedimin e Ligjit për Pagat në Kuvend.