Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë i ka dhënë mbështetje përfaqësuesit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili ka thënë se është koha për përparim të vërtetë në dialog.
Përmes një postimi në Twitter, i ngarkuari me punë në Ambasadën Amerikane në Kosovë, Nicholas Giacobbe thotë se Lajçak ka të drejtë dhe është koha për progres real në dialogun Kosovë-Serbi.
“I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Lajçak ka të drejtë, është koha për progres real në dialogun Kosovë-Serbi. Bëjeni…”ka shkruar Giacobbe.
Ndërkohe edhe sot gjatë ditës janë duke u zhvilluar bisedimet e grupeve teknike me Lajçakun.
Bisedimet do të vazhdojnë edhe sot pasi një ditë më parë Serbia kushtëzoi takimin trepalësh me temën e Asociacionit. Të martën ka pasur vetëm takime të ndara me emisarin Miroslav Lajçak, pasi të dyja palët kanë insistuar në qëndrimet e tyre rreth temave se për çka duhet të diskutohet. Pala serbe ka insistuar që të diskutohet për Asociacionin, gjë që është kundërshtuar nga ajo kosovare. E kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se çështja e të pagjeturve do të jetë temë kryesore në takimet e delegacionit të Kosovës me atë të Serbisë, në kuadër të dialogut. Dhe se rezultati i këtyre bisedimeve do ta përcaktojë edhe takimin e tij të mundshëm me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.