Arbëri

Përmbysja e madhe

Rundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë komunash ka prodhuar dramë elektorale dhe përmbysje rezultatesh. Partia Demokratike ka fituar më së shumti komuna nga partitë shqiptare - gjithsej nëntë, përfshirë Prizrenin. Pas saj është Lidhja Demokratike, e cila fitoi në kryeqytet dhe në gjashtë komuna të tjera, e pasuar nga AAK-ja me pesë. Partia që udhëheq Qeverinë dhe para disa muajsh fitoi mbi 50 për qind të votave në zgjedhjet nacionale, VV-ja, ka fituar në vetëm katër komuna. Me fitoren e shënuar në Kllokot, Lista Serbe ka më së shumti komuna të fituara - gjithsej dhjetë. Procesi i zhvilluar të dielën në 21 komuna kaloi pa incidente të mëdha të cilat do ta cenonin mbarëvajtjen e zgjedhjeve

Dramë elektorale ka prodhuar gara e balotazhit të dielën në shumicën prej komunave të Kosovës. Diferenca në vota ka qenë e ngushtë dhe fituesit janë përcaktuar krejt në fund të numërimit.

Partia që udhëheq me qeverinë, e që në zgjedhjet nacionale të shkurtit kishte fituar mbi 50 për qind të votave, doli më së keqi nga partitë shqiptare. Lëvizja Vetëvendosje arriti të fitojë në vetëm katër komuna - Gjilan, Shtime, Kamenicë dhe Podujevë. Por e humbi Prizrenin, derisa pati përmbysje të rezultatit nga rundi i parë në Prishtinë.

Partia Demokratike në total ka fituar nëntë komuna në zgjedhjet lokale të sivjetme, pas përfundimit të numërimit në shumicën e komunave. Ka rikthyer qytetin e dytë për nga rëndësia Prizrenin - të cilin e konsideron edhe si “Jerusalem” të vetin. Rezultati preliminar i balotazhit, PDK-në e nxori fituese edhe në Vushtrri, Kaçanik, Drenas dhe Drenas. Ndërkaq në rundin e parë fitoi në Mitrovicë, Ferizaj, Skenderaj e Han të Elezit.

Kurse AAK-ja e Ramush Hardinajt do të udhëheqë me pesë komuna - në Deçan, Suharekë, Gjakovë, Klinë e Rahovec.

Me fitoren e shënuar në Kllokot, Lista Serbe ka më së shumti komuna të fituara - gjithsej dhjetë. Partia që ishte themeluar në vitin 2013 do të udhëheqë në Leposaviq, Novobërdë, Shtërpcë, Zubin-Potok, Zveçan, Graçanicë, Ranillug, Partesh, Mitrovicë e Veriut, Kllokot.

Gara për kryetar është zhvilluar në 21 komuna prej 38 sa janë gjithsej. Bazuar në të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pjesëmarrja në zgjedhjet e së dielës ishte 37.88 për qind apo 475 mijë e 751 qytetarë që kanë ushtruar të drejtën e tyre. Krahasuar me raundin e parë dalja ka qenë më e ulët. Numri i qytetarëve që votuan para një muaji ishte 43 për qind ose 770.107 votues.

Diferenca në vota në shumicën prej komunave është më e thellë sesa numri eventual i votave me kusht dhe atyre jashtë vendit, të cilat do të mund ta ndryshonin rezultatin final prej atij preliminar.

Balotazhi i së dielës është përcjell me disa parregullsi për të cilat organet e rendit kanë iniciuar raste, por që sipas vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë ato nuk kanë ndikuar në proces.

Përmbysje rezultatesh

Image
Lidhja Demokratike e Kosovës është e dyta parti shqiptare me shtatë komuna të fituara. Pas dy mandatesh, LDK-ja e ka rikthyer kryeqytetin me kandidatin Përparim Rama. Ka fituar edhe në Istog, Viti, Junik, Fushë-Kosovë. Ndërsa në rundin e parë arriti të mbajë pushtetin në Pejë e Lipjan.

Me fishekzjarrë e defilim të makinave nëpër rrugët e kryeqytetit, Lidhja Demokratike ka shpallur fitoren pak orë pas mbylljes së vendvotimeve.

Përparim Rama e mposhti Arben Vitinë e LVV-së me 40 mijë e 658 vota apo 51.07 për qind. Kandidati i Vetëvendosjes mori 38 mijë e 958 vota.

Nga selia, fitoren e ka kumtuar kreu i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, bashkë me kandidatin për kryeqytetin në një konference për media.

“Në Prishtinë do të kujdestarojmë me plot kujdes e përgjegjësi. Kjo është një arritje e jashtëzakonshme për LDK-në dhe për kryeqytetin”, është shprehur Lumir Abdixhiku teksa ka numëruar fitoret në qytetet tjera.

“Emocionin e kësaj fitoreje nuk mundem ta përshkruaj me fjalë. Kjo është fitorja e të gjithëve. Vota tregon se jemi të emancipuar për me dashtë më të mirën për vendin tonë. Përgjegjësia do të jetë parësore e jo privilegji. Unë Përparim Rama zotohem se do të jem kryetar i të gjithëve”, ka thënë Rama.

Ai është edhe kandidati me rritjen më të madhe në vota dhe përqindje që ia ka mundësuar edhe përmbysjen e rezultatit. Në rundin e dytë ai ka fituar mbi 15 mijë vota më shumë sesa në të parin, duke shënuar rritje prej 21 për qind. Kundërkandidati i tij, Arben Vitia, edhe pse shtoi mbi 2 mijë vota në rundin e dytë, ato ishin të pamjaftueshme për të ruajtur përparësinë prej mbi 11 mijë votave nga rundi i parë.

Pas numërimit të votave, një paraqitje e ka pasur edhe Arben Vitia por pa kryetarin e partisë në krah, njëherësh kryeministër i vendit, Albin Kurtin. Vitia ka uruar Ramën për fitoren dhe siç ka thënë kulturën dhe fushatën korrekte.

“Prishtinës i dëshiroj suksese dhe gjithë të mirat. Do të jem në krah të secilit proces që është në interes të qytetarëve, sepse ne e duam Prishtinën. Janë qytetarët e Prishtinës ata që kanë vlerësuar dhe vlerësojnë më së miri”, ka thënë Vitia.

Sipas tij, inkuadrimi i vonshëm në fushatë dhe moselaborimi i mjaftueshëm i programit kanë pasur ndikim në humbjen e garës.

Garë e ngushtë është zhvilluar edhe në Prizren, ku kandidati i Partisë Demokratike, Shaqir Totaj, në fund të numërimit të votave ka dalë para Mytaher Haskukës së Vetëvendosjes. Totaj është votuar nga 27 mijë e 17 qytetarë, derisa Haskuka mori 25 mijë e 942 vota.

Image
Partia Demokratike në total ka fituar nëntë komuna në zgjedhjet lokale të sivjetme, pas përfundimit të numërimit në shumicën e komunave. Ka rikthyer qytetin e dytë për nga rëndësia- Prizrenin - të cilin e konsideron edhe si “Jerusalem” të vetin. Rezultati preliminar i balotazhit, PDK-në e nxori fituese edhe në Vushtrri, Kaçanik, Drenas dhe Drenas. Ndërkaq në rundin e parë fitoi në Mitrovicë, Ferizaj, Skenderaj e Han të Elezit

Prej atje, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se qytetarët ia kthyen shpinën kryeministrit Kurti.

“Nuk ka më një forcë politike dominuese siç ishte tetë muaj më parë. Populli i Kosovës ia ka kthyer shpinën Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Populli i Kosovës ia ka kthyer shpinën modelit të sundimit të një njeriu”, ka theksuar Krasniqi.

Të dielën në mbrëmje ka përfunduar numërimi i votave edhe në Komunën e Junikut, ku LDK-ja ka përmbysur rezultatin e rundit të parë. Për LDK-në kjo është fitorja e parë në këtë komunë, pasi më herët ka qeverisur AAK-ja. Ruzhdi Shehu (LDK) ka marrë 1199 vota apo 50.61 për qind të rundit të dytë. Për dallim nga Agron Kuçi i AAK-së që ka marrë 49.39 për qind të votave.

Ndër të parët që ka pranuar humbjen ka qenë edhe kryetari aktual i Kamenicës që ishte në garë për një mandat tjetër, Qëndron Kastrati.

“I uroj kundërkandidatit fitoren dhe i dëshiroj suksese! Është më se e qartë që reforma në arsim e ka ndikuar disponimin e pesë fshatrave të këtyre zgjedhjeve, e cila ka ndikuar dukshëm në rezultat. Të gjithë ata që na kanë mbështetur, të gjithë ata që na kanë votuar, përulësisht ju faleminderit! Angazhimi im politik do të jetë i inspiruar dhe i motivuar nga përvoja ime në Kamenicë! Ky vend do të mbetet shumë special për mua”, ka shkruar ai.

Kastrai humbi përballë kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje, Kadri Rahimaj, që fitoi me 53.11 për qind.

Pas dy mandateve radhazi në krye të Komunës, Lutfi Haziri ka humbur garën për Gjilanin përballë kundërkandidatit nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Hyseni. Ky i fundit mori 21 mijë e 374 vota, derisa Haziri 20 mijë e 515.

“Qeverisja jonë është gjithëpërfshirëse e si e tillë, tash e tutje, bashkëqeverisim në çdo lagje, çdo fshat, për të gjitha moshat, për të gjitha shtresat, për të gjitha komunitetet, për të gjitha bizneset, e mbi të gjitha për të gjithë qytetarët e Gjilanit. Ju mund të mbështeteni në zërin e ri e në udhëheqjen e re që e sollëm bashkë”, ka thënë Hyseni pas fitores.

Ilir Ferati i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka shënuar fitore në Komunën e Istogut përballë kundërkandidatit nga AAK-ja, Bekë Berisha. Ferati sipas rezultateve preliminare ka marrë 9 mijë e 503 vota apo 56.20 për qind, derisa Berisha 7 mijë e 406 vota apo 43.80 për qind. Që nga paslufta LDK-ja ka udhëhequr në Istog.

Pas numërimit të të gjitha votave në rundin e balotazhit në Gjakovë, Ardian Gjini i AAK-së ka siguruar edhe një mandat në krye të kësaj komune, duke mposhtur Mimoza Kusari-Lilën e “Vetëvendosjes”.

Image
AAK-ja e Ramush Haradinajt do të udhëheqë me pesë komuna - në Deçan, Suharekë, Gjakovë, Klinë e Rahovec

Kurse drejtuesit e Nismës e kanë shpallur fitoren në të vetmen komunë - Malishevë. Kryetari i kësaj partie, Fatmir Limaj, ka deklaruar se Malisheva di të rreshtohet, teksa u është drejtuar me fjalë të rënda rivalëve politikë.

“Malisheva ju çoi mesazh llaskucave se s’kanë çka kërkojnë këtu. Ekrem Kastrati personifikon qytetarin e Malishevës. Llapusha nuk i do mashtruesit. Ju aktivistë keni pasur presion, por kur do populli s’ka kush që e mposht. Sonte është çliruar Malisheva prej mashtruesve dhe matrapazëve”, ka thënë ai.

Sipas rezultateve preliminare, Kastrati i Nismës ka fituar me 53.82 për qind, ndërsa Isni Kilaj i PDK-së 46.18 për qind.

Parregullsitë

Dita e zgjedhjeve për balotazh është përcjellë me disa parregullsi, por sipas vëzhguesve ato nuk kanë ndikuar në integritetin e zgjedhjeve.

Sipas Policisë së Kosovës, gjatë realizimit të planit operativ për zgjedhjet lokale-balotazhi 2021, në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë e Shtetit, ka iniciuar pesë raste dhe ka trajtuar 54 raportime në nivel vendi.

Rastet kanë të bëjnë me pengim të procesit të votimit, prishje të rendit dhe qetësisë publike, falsifikim të dokumentit, dhënie dhe marrje të ryshfetit lidhur me votimin.

Ndërkaq “Demokracia në Veprim” përmes një komunikate ka thënë se procesi i votimit është zhvilluar në mënyrë të qetë, por me pjesëmarrje më të ulët të qytetarëve në zgjedhje krahasuar me rundin e parë të zgjedhjeve lokale.

“Dita e zgjedhjeve nuk është karakterizuar nga ndonjë incident serioz brenda vendvotimeve, që do të mund ta cenonte integritetin apo kredibilitetin e procesit. Gjatë tërë ditës së votimit është regjistruar një trend përgjithësisht linear i pjesëmarrjes në votime, pa ndonjë fluks të theksuar të votueseve në qendra të votimit. Respektimi i masave mbrojtëse kundër Covid 19 ka qenë i mangët, sidomos nga votuesit në zonat rurale, por duke mos përjashtuar edhe stafin zgjedhor”, thuhet në komunikatën e DNV-së. “Në pjesën e pasdites janë vërejtur lëvizje të eksponentëve të subjekteve politike në lokacione të caktuara, përfshirë kryeministrin e vendit, gjë që mund të interpretohet si ushtrim i ndikimit mbi vullnetin e votuesve. Është vërejtur interes i shtuar i mediumeve dhe organizatave për të matur disponimin e votuesve përmes administrimit të exit polleve në dalje të qendrave të votimit. Është raportuar edhe për kufizim të disa mediave në vëzhgimin e mbarëvajtjes së procesit brenda vendvotimeve”.

Sa u përket parregullsive procedurale, sipas DNV-së, janë përsëritur problemet e evidentuara në të gjitha proceset zgjedhore paraprake.

“Pasaktësitë në listën e votuesve (rreth 50% e vendvotimeve) dhe trendi tejet i lartë i votimit me asistencë (mbi 90% e vendvotimeve) janë dy fenomenet më të shprehura në rundin e dytë të zgjedhjeve”, kanë thënë nga DNV-ja.

Shkelja e masave anti-COVID që kulmoi gjatë fushatës parazgjedhore ka vazhduar edhe ditën e zgjedhjeve. DNV-ja ka raportuar për nivel jo të kënaqshëm të respektimit të masave anti-COVID nga ana e komisionerëve - 70 për qind, ndërsa qytetarët në nivelin 56 për qind.

Thirrjet e udhëheqësve dhe të liderëve partiakë

Përveç kandidatëve që synonin kreun e komunës, të dielën kanë votuar edhe udhëheqësit e institucioneve dhe liderët partiakë.

Presidentja Vjosa Osmani, që ka votuar në Fakultetin Teknik, e ka quajtur një ditë e rëndësishme që përcakton fatin e komunave ku jeton secili qytetar.

“E dimë të gjithë që detyrimi qytetar për të kontribuuar në demokracinë e vendit tonë nuk ka përfunduar më 17 tetor, sot është një ditë po aq e rëndësishme e cila e përcakton fatin e komunave ku secili prej jush dhe nesh jeton. Prandaj është shumë me rëndësi që qytetarët t’i përgjigjen këtij detyrimi qytetar në mënyrë që nesër, pasnesër të kenë më shumë të drejta dhe kualitet më të madh të jetës në komunat ku ata jetojnë”, ka thënë Osmani.

Ndërkaq kryeministri Kurti ka theksuar se komuna është shumë e rëndësishme, teksa ka shtuar se Kosova përmbylli suksesshëm vitin elektoral.

“Komuna është shumë e rëndësishme, në njërën anë është publikja e lagjes e në anën tjetër është qeliza e Republikës. Andaj i inkurajoj të gjithë qytetarët me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë mundësinë, ta përdorin këtë rast dhe të përcaktohen për veten e tyre nëpërmjet udhëheqësve që do të zgjedhin sot”, ka thënë Kurti. “Sot mund të themi që po e përmbyllim një vit të suksesshëm dhe të mirë elektoral i cili nisi me zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, vazhdoi me zgjedhjet lokale të 17 tetorit dhe sot e kemi balotazhin. Republika e Kosovës e ka dëshmuar se është një shtet demokratik, në të cilin respektohen të drejtat e të gjithë qytetarëve të cilët në mënyrë të lirë dhe të ndershme zgjedhin ata të cilët do të zgjedhin në vijim për neve”, ka shtuar ai.

I pyetur nëse do të mbështesë kryetarët e zgjedhur të komunave në balotazh, pavarësisht se cilit subjekt politik i takojnë, Kurti ka shtuar se të dielën flasin vetëm qytetarët.

E kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se ka qenë e rëndësishme që procesi zgjedhor të shkojë mbarë e mirë dhe në mbrëmje secili ta pranojë rezultatin.

“Në këtë pjesë të balotazhit do të zgjidhen edhe më shumë kryetarë të komunave se në rundin e parë. Urojmë që procesi zgjedhor të shkojë mbarë e mirë, të mos ketë parregullsi, të përmbyllet në mbrëmje në mënyrë të ndershme e fer e që pastaj në mbrëmje secili ta pranojë rezultatin e zgjedhjeve”, është shprehur Konjufca.

Gjatë ditës janë deklaruar edhe liderët e partive.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka quajtur ditë feste për Kosovën, që ka ndërtuar një standard të tillë demokratik.

“Sot është ditë e veçantë për të gjithë, për Kosovën, është për demokracinë, është festë. Dua ta falënderoj ekipin e KQZ-së që mundëson zgjedhje të lira dhe demokratike. Dua t’i falënderoj edhe qytetarët për një proces demokratik. Në këtë standard të ndërtuar demokratik, fitues janë të gjithë, fitues është Kosova”, ka deklaruar ai.

“Edhe sot në raundin e dytë të zgjedhjeve votuam në Prishtinë. Është obligim i të gjithëve, pavarësisht se kush ka vazhduar garën, që qytetarët të dalin në votime. Zgjedhjet lokale janë për qytetarët dhe jo për politikanët. Është ditë e bukur shpresoj që të jetë ditë e shkëlqyeshme edhe për demokracinë”, ka deklaruar kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Kurse kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është shprehur se rundi i dytë i zgjedhjeve nuk është më pak i rëndësishëm se i pari.

“Ushtruam të drejtën tonë të votës, i lus qytetarët që të votojnë gjithë, rundi i dytë nuk është më pak i rëndësishëm se rundi i parë. Duke mos votuar e ndëshkojmë veten, pasi gjatë katër viteve që vijnë jetojmë me rezultatin, me nivelin, me kualitetin e jetës ose të qeverisjes që ka ndikim direkt në jetën tonë”, ka thënë Haradinaj.

Fitoret e partive sipas komunave

Lista Serbe

Leposaviq, Novobërdë, Shtërpcë, Zubin-Potok, Zveçan, Graçanicë, Ranillug, Partesh, Mitrovicë e Veriut, Kllokot

PDK

Mitrovicë, Skenderaj, Ferizaj, Hani i Elezit, Vushtrri, Kaçaniku, Prizren, Drenas, Dragash

LDK

Lipjan, Pejë, Istog, Viti, Junik, Fushë-Kosova, Prishtinë,

AAK

Deçan, Suharekë, Gjakovë, Klinë, Rahovec

VV

Kamenicë, Shtime, Gjilan, Podujevë

Nisma

Malishevë

KDTP

Mamushë

Xhafer Gashi

Obiliq

BE-ja përsërit kërkesën për reformë zgjedhore

Qytetarët e Kosovës të dielën votuan në rundin e dytë të zgjedhjeve për balotazh, e që në përgjithësi janë zgjedhjet e teta lokale me radhë, por pa sistemin e reformuar zgjedhor. Finalizimin e këtij procesi që ka nisur para më shumë se 10 vjetësh dhe adresimin e dobësive të identifikuara e ka kërkuar edhe një herë Bashkimi Evropian, pikërisht në ditën e zgjedhjeve.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka vënë në pah ndryshimet e nevojshme që Kosova duhet të bëjë në Ligjin e Zgjedhjeve.

“Rezultati i parë preliminar për këtë rund të zgjedhjeve pritet të jetë i gatshëm të martën në mëngjes. E presim që raporti i fundit për zgjedhjet të jetë i gatshëm dikur në fillim të vitit të ardhshëm. Në të njëjtën kohë dua të vë në pah nevojën për forcim të legjislacionit zgjedhor. Ka çështje si te zgjedhjet parlamentare ashtu edhe ato lokale që duhet adresuar”, ka thënë Szunyog. “Këto çështje duhet të adresohen si prioritet nga Qeveria, Parlamenti dhe gjithë partitë. Shpresoj menjëherë pas zgjedhjeve lokale, liderët, e partitë të konsultohen si t’ia bëjnë. Ka pasur rekomandime të ndryshme që nga viti 2017, 2019 dhe 2021. Jam i sigurt se do të ketë rekomandime të tjera. Është koha për Kosovën t’i adresojë dobësitë që ka në legjislacion”.

Shefi i misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian, Lukas Mandl, ka përcjellë mbarëvajtjen e zgjedhjeve teksa ka paralajmëruar se të martën do të dalin me raportin preliminar.

Edhe Ambasada amerikane e ka konsideruar thelbësore votimin për të siguruar demokracinë.

I ngarkuari me punë në këtë ambasadë, Nicholas Giacobbe, ka thënë se duhet adresuar prioritetet lokale.

“Mos e humbisni mundësinë për të formësuar prioritetet dhe vendimmarrjen në qeverisjen lokale. Dilni dhe votoni për të siguruar demokracinë për ju dhe familjen tuaj”, ka shkruar Goacobbe.