Arbëri

Qeveria s’e përmbush as gjysmën e agjendës legjislative për sivjet

Ekzekutivi nuk i ka treguar arsyet e mospërmbushjes së agjendës legjislative për këtë vit, e as sa nga projektligjet e planifikuara i ka miratuar. Derisa 6 ministri kanë dhënë detaje të përmbushjes së agjendës së tyre, monitoruesit e punës së ekzekutivit kanë thënë se agjenda legjislative ka qenë shumë ambicioze qysh në fillim të miratimit dhe se një pjesë e konsiderueshme e saj do t’i ngarkohet vitit tjetër

Gati 190 projektligje ka planifikuar Qeveria e Kosovës që t’i miratojë këtë vit. Por, derisa kanë mbetur pak më shumë se një muaj deri në përfundim të tij, as gjysma e kësaj agjende nuk është përmbushur. Për këtë proces dhe arsyet që çuan në mospërmbushjen e agjendës së planifikuar, ekzekutivi nuk ka kthyer përgjigje prej së martës.

Nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike, organizatë që monitoron punën e Qeverisë dhe Kuvendit, kanë thënë se qysh në fillim, agjenda ka qenë ambicioze dhe e pazbatueshme në praktikë.

“Agjenda fillimisht i ka pasur 193 ligje në plan, mirëpo ka pasur ndryshime në plan dhe sot kemi në agjendë të parapara 186 projektligje. Ritmi i përmbushjes së agjendës legjislative deri më tani ka qenë i ulët dhe pritet që gjatë sesionit vjeshtor periudha e mbetur të ngjeshët me një numër jashtëzakonisht të madh të projektligjeve gjë që e bënë të pamundur praktikisht implementimin e tyre”, ka thënë Njomza Arifi, hulumtuese në GLSP .

Sipas saj, për të arritur deri në gjysmë realizimin e agjendës, kërkohet një angazhim i shtuar e serioz nga kabineti qeveritar.

“Shumica e projektligjeve të cilat janë paraparë në këtë agjende legjislative në fakt janë projektligje të cilat janë trashëguar nga qeveritë paraprake dhe shumë pak ka iniciativa të reja të ndërmarra nga ana e kësaj qeverie. Çdo projektligj që mbetet i paimplementuar në këtë periudhë natyrisht që do të bartet në agjendën legjislative të vitit të ardhshëm, gjë që do të bëjë edhe më voluminoze punën edhe angazhimin që kërkohet edhe nga Qeveria, edhe nga Kuvendi e komisionet relevante”, ka thënë ajo.

Një projektligj konsiderohet i miratuar kur pas miratimit në qeveri shqyrtohet e miratohet në Kuvendin e Kosovës, pas të cilit publikohet në Gazetën Zyrtare, prej së cilës edhe hyn në fuqi.

Deri më tani, në Gazetën Zyrtare, brenda këtij viti, janë publikuar 11 ligje, prej së cilave shumica marrëveshje ndërkombëtare. Një pjesë të përgjegjësisë, për një gjë të tillë, Njomza Arifi nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike, thotë se e ka partia në pushtet, e cila e ka shumicën parlamentare.

“Është e pakompromis, e papranueshme mungesa e kuorumit në Kuvend sidomos për ato ligje që kërkojnë votimin e një shumice të thjeshtë e jo të një shumice të kualifikuar”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër, nga 14 ministritë në të cilat KOHA ka dërguar pyetje, përgjigje për përmbushjen e agjendës për këtë vit, ka marrë në 6 prej tyre. Më së shumti projektligje të miratuara deri më tani ka Ministria e Shëndetësisë. Nga 18 sa i ka të planifikuara, 15 e kanë marrë aprovimin e kabinetit qeveritar. Në përgjigjen nga kjo ministri bëhet e ditur se janë në proces të hartimit të Projektligjit për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizimin e Asistuar Mjekësor dhe të atij për Rregullimin e Çmimit të Produkteve.

Kjo ministri pasohet nga ajo e Drejtësisë, e cila deri më tani i ka të miratuara 13 projektligje, nga 31 sa ka të planifikuara gjithsej. Sipas MD-së, tri projektligje janë proceduar për në Zyre të Kryeministrit, katër projektligje janë proceduar në ZKM dhe MF për marrjen e opinioneve (opinion financiar si dhe të pajtueshmërisë me legjislacionin e BE-së), të njëjtat do të procedohet në qeveri për miratim, tri projektligje janë në fazën finale të hartimit, respektivisht fazën e inkorporimit të komenteve e tetë të tjera në proces të hartimit, kryesisht në fazën e diskutimeve në kuadër të grupeve punuese.

“Ministria e Drejtësisë vazhdon të mbetet thellësisht e përkushtuar në përmbushjen e agjendës legjislative, kështu duke punuar intensivisht në hartimin dhe finalizimin e projektligjeve për vitin 2021”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.

Nga 13 projektligjet e planifikuara, Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor e Infrastrukturës i kanë mbetur për t’u miratuar 7 prej tyre. Pesë projektligje tashmë kanë kaluar shqyrtimin e parë në Kuvend, dy janë aprovuar në Qeveri. Sipas kësaj ministrie, në plan kanë edhe hartimin e pesë koncept-dokumenteve.

Ministria e Bujqësisë deri më tani ka të aprovuara në Qeveri tri projektligje, e në proces edhe 22 të tjera, nga 25 sa ka të renditura në planifikimet legjislative. Nga Ministria e Mbrojtjes, kanë bërë të ditur se nga 6 projektligjet e planifikuara, janë miratuar 2 prej tyre, 1 është në fazën finale për miratim, e 3 të tjera janë në procesin e draftimit dhe planifikohet të miratohen deri në fund të vitit.

Në plan për këtë vit, Ministria e Kulturës i ka 3 projektligje. Prej tyre, njëri është i gatshëm për miratim e një tjetër ende në fazën e konsultimeve publike.

Krahas Qeverisë, as Kuvendi i Kosovës, nuk qëndron më mirë në shqyrtimin e projektligjeve. Ditë më parë, me qëllim të koordinimit më të mirë e përshpejtimit të procedimit të projektligjeve, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, është takuar me kryetarët e komisioneve parlamentare.

Sipas Konjufcës, në procedurë të shqyrtimit në komisione kanë gjithsej 31 projektligje. “Janë 10 projektligje të cilat presin për shqyrtim të parë në seancën plenare, janë 8 projektligje të cilat presin shqyrtim në parim në komisionet parlamentare, si dhe një projektligj për ratifikim të marrëveshjes parlamentare, i cili e pret shqyrtimin në komisionin përkatës”, ka shtuar më tej Konjufca, në takimin me kryetarët e komisioneve parlamentare, të mbajtur më 10 nëntor.

Por, përveç shqyrtimit në komisione, Kuvendi i Kosovës, ka rreth një muaj që nuk ka mbajtur asnjë seancë.

Seanca e fundit që është mbajtur është ajo e 19 tetorit. E gjatë kësaj kohe, mbledhje nuk ka arritur të mbajë as Kryesia e Kuvendit, ku edhe bëhet planifikimi për mbajtjen e seancave. E gjithë kjo, për shkak të mungesës së kuorumit, pasi një pjesë e anëtarëve të kryesisë, ishin të angazhuar në zgjedhjet lokale, raundi i dytë i së cilave do të përmbyllet të dielën.

Seanca e 19 tetorit është një nga vetëm tri seancat, sa janë mbajtur gjithsej që nga shtatori, kur edhe ka filluar sesioni vjeshtor i punimeve të Kuvendit.