1 perditesime
15:24

Bislimi: Raporti i progresit ka pasaktësi

Zëvendëskryeministri i vendit, Besnik Bislimi, ka deklaruar se Raporti i progresit përmban pasaktësi dhe se në disa raste ka pasur “absorbim të informacioneve”.

Në tryezën e organizuar për diskutim, Bislimi deklaroi se në këtë Raport rekomandohet aprovimi i Kodit të Procedurës Penale, megjithëse i njëjti është kryer në muajin shtator.

“Kjo vlen edhe për shifrat e zhvillimit ekonomik edhe për të hyrat buxhetore. Por edhe për statistikat që kanë të bëjnë me procesin e vaksinimit. Në Raportin e progresit përmendet marrëveshja e 30 shtatorit për targat, që nënkupton se me pak bashkëpunim kemi mundur t’i përfshijmë të gjitha të dhënat deri më 30 shtator”, tha ai.

Demush Shala nga Instituti EPIK ka thënë se gjithçka varet nga Kosova në rrugën drejt Bashkimit Evropian, dhe nëse vendi është serioz "këto reforma do të përshpejtohen".

“Nëse na nevojiten 38 vote për të qenë anëtarë të BE së me kaq pak vullnet politik imagjinojeni sa shpejt mund të shkojmë nëse kemi vullnet politik. Gjithçka varet nga ne. Nëse jemi serioz këto reforma do të përshpejtohen. Në kuadër të kapitujve që janë të rëndësisë më të veçantë për qytetarët Kosova është e fundit në Ballkan. Gjendja alarmante në ato fusha nuk i pengon askujt në BE por na pengon neve këtu”, tha ai.

Udhëheqësi i IKD-së, Ehat Miftaraj, deklaroi se gabimi kryesor i kësaj qeverie është mosndarja e prioriteteve.

“Zv.kryeministri tha që është një gabim sa i përket miratimit të Kodit të Procedurës Penal. Nuk është gabim zv.kryeministër pasi Kodi konsiderohet që është i miratuar kur kalon dy shqyrtimet, miratohet në Kuvend e dekretohet nga presidentja.”

Bislimi duke iu kundërpërgjigjur kritikave të shoqërisë civile ka thënë se edhe te ta duhet të ketë depolitizim. Sipas Bislimit "emërim politik është emërim kur kriter ka qenë bindja politike jo aftësia". Ai ka thënë se edhe Lëvizja Vetëvendosje ka disa ekspertë të çështjeve të caktuara dhe nuk i ka ata "për me i shti turrshi".

15:02

Szunyog: Rruga drejt BE-së bëhet përmes reformave në sundimin e ligjit

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka deklaruar për Raportin e progresit se është rezultat i një vlerësimi të drejt, duke ndjekur metodologjinë e të gjitha vendeve.

Në tryezën e organizuar "Raporti i BE-së për Kosovën", Szunyog tha se drejt BE-së nuk ka rrugë të shpejt dhe se me patjetër duhen reformat në sundimit e ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit.

“Në përgjigjen ndaj pandemisë gjatë COVID-19 progresi ka qenë i limituar. Edhe një progres i limituar është ende një progres i arritur. Zgjedhjet parlamentare 2021 kanë qenë mirë të organizuara, transparente por korniza për zgjedhjeve duhet të adresojë mangësitë. Kosova nuk ka bërë arritje për progres në administratën publike. Ne kemi vërejtur iniciativat e Qeverisë dhe i inkurajojmë këto reforma”, ka thënë ai.

Shefi i BE-së në Kosovë theksoi se vettingu duhet të konsiderohet vetëm si një masë e jashtëzakonshme, kur shfrytëzohen të gjithë mekanizmat e tjerë.

"Ka pasur progres të limituar sa i përket kulturës dhe edukimit. BE-ja do të vazhdojë të mbështetës Kosovën kur ka përkushtim për të bërë progres. Qeveria ka një shumicë në Kuvend dhe një bazë për reforma afatgjate dhe afatmesme.”

E kryetarja e Komisionit për Integrim Evropian, Rrezarta Krasniqi, deklaroi se anëtarësimi në BE është synim strategjik i Kosovës.

“Viteve të fundit Kosova ka bërë progres në rrugën tonë integruese. Sa i përket liberalizimit të vizave unë mendoj që jemi në stadin e fundit të këtij rrugëtimi të gjatë. Raporti duhet të shërbejë si udhërrëfyes për jetën e qytetarëve.”

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se Raporti i progresit dallon në dy gjashtëmujorët, gjegjësisht gjatë Qeverisë Hoti dhe Kurti, derisa shtoi se konteksti kosovar ka ndikuar që të diskutohet për një problematikë që rrjedh nga metodologjia raportuese.

“Raporti flet për mungesë të shumicës parlamentare dhe polarizim politik. Kjo shihet që flet për pjesën e parë se në gjashtëmujorin e dytë ka shumicë parlamentare, nuk ka fare polarizim politik, ka bashkëpunim mes institucioneve.

“Kemi një situatë në gjashtëmujorin e fundit, i cili nuk mund të përshkruhet me këtë fjali që mund ta hasim në Raportin e progresit.”