Arbëri

Brukseli kërkon negociata për statutin e Asociacionit, përmend ndryshimet kushtetuese

Pas deklaratave të kryeministrit Albin Kurti se nuk do të ketë themelim të Asociacionit serb, zyrtarë të Brukselit kanë rikujtuar se ky është obligim nga i cili nuk është tërhequr asnjëherë Kosova. Nga Zyra e emisarit për dialogun i kanë thënë KOHËS se janë në pritje të nisjes së negociatave për draftimin e statutit të Asociacionit. Sipas tyre, aktgjykimi i Kushtetueses për marrëveshjen e vitit 2015 po keqinterpretohet teksa kanë përmendur edhe ndryshimet kushtetuese dhe ligjore në funksion të akomodimit të këtij mekanizmi

Negociata në funksion të vënies së bazave të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe kanë kërkuar zyrtarët e Brukselit në kulmin e deklaratave të qeveritarëve kundër themelimit të këtij mekanizmi. Megjithëse refuzojnë t’i komentojnë qëndrimet e kryeministrit dhe zyrtarëve të tjerë për Asociacionin, nga Zyra e emisarit për dialogun thonë se janë në pritje të diskutimeve për draft-statutin.

“Në përgjithësi nuk i komentojmë deklaratat e të tjerëve. Bashkimi Evropian si lehtësues vazhdimisht ka bërë thirrje për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara. Kur është fjala për Asociacionin e Komunave Serbe, më lejoni të kujtoj se Kosova ka marrë përsipër një angazhim ndërkombëtar përmes Marrëveshjes së Brukselit për të krijuar një Asociacion/Bashkësi të komunave serbe”, ka thënë për KOHËN zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

“I takon Beogradit dhe Prishtinës që të negociojnë statutin e saj me lehtësimin e BE-së. Nëse amendamentet kushtetuese dhe ligjore janë të nevojshme për të krijuar Asociacionin/Bashkësinë, varet nga palët sa janë në gjendje të pajtohen në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.

Më tej Stano ka kujtuar se Kosova asnjëherë nuk është tërhequr nga obligimet e marra përsipër, duke përmendur edhe ratifikimin e Marrëveshjes së 2013-s në Kuvend.

“Kosova ka hyrë në marrëveshje për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave Serbe. Kjo marrëveshje është lidhur me mirëbesim nga të gjitha palët e përfshira. Nuk është tërhequr asnjëherë. Në fakt, Marrëveshja e vitit 2013 është ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës me shumicën e 2/3. Me këtë Kosova mori përsipër obligimin ndërkombëtar për zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, ka deklaruar Stano. Ai ka dhënë edhe një qëndrim përkitazi me vendimin e Kushtetueses që pati konstatuar shkelje në të shtatë kapitujt e marrëveshjes së vitit 2015.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 në lidhje me Asociacionin/Bashkësinë vazhdimisht është keqinterpretuar. Gjykata asnjëherë nuk ka thënë se Asociacioni/Bashkësia nuk mund ose nuk duhet të themelohet. Prandaj presim që Kosova të respektojë zotimet që ka marrë në dialog”, ka theksuar ai.

Në qeveri nuk kanë dhënë sqarime përkitazi me kërkesat e Brukselit dhe nëse do të ketë negociata për statutin.

Por një ditë më herët kryeministri Kurti ka përsëritur se nuk mund të zbatohet Asociacioni me kompetenca ekzekutive. Ai ka kujtuar se në krye të shtetit sot janë liderët që patën kundërshtuar edhe marrëveshjen e vitit 2013.

“Në vitin 2013 duhet ta keni parasysh që ka pasur një trysni të jashtëzakonshme mbi deputetët për ta kaluar shpejt e shpejt atë marrëveshje parimore dhe ka munguar transparenca, nuk ka pasur informim të duhur. Sot i keni në krye të institucioneve njerëzit të cilët në vitin 2013 kanë qenë kundër asaj marrëveshjeje, ndërsa sot ata tre veta, Vjosa Osmani, Glauk Konjufca dhe Albin Kurti më 14 shkurt të vitit 2021 kanë arritur fitore plebishitare. E dyta, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i dhjetorit të vitit 2015 Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe e ka shfaqur në dritën e së vërtetës, që është i paintegrueshëm në sistemin tonë juridik dhe kushtetues”, ka thënë Kurti në një intervistë për “Deutche Wellen”.

Së fundi, edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, kanë thënë se Asociacioni nuk do të themelohet.

Por pas rinisjes së dialogut Qeveria nuk ua kishte shuar përfundimisht shpresat serbëve për ta pasur Asociacionin e tyre në Kosovë.

Pas takimeve të fundit patën thënë se çështjen e Asociacionit e marrin seriozisht kur Serbia t’i ketë shpërbërë strukturat paralele, të cilat i mban gjallë në fushën politike, të arsimit, ekonomisë e shëndetësisë.

Shmangia e zbatimit të Marrëveshjes për Asociacionin po konsiderohet e vështirë nga analistët.

“Ne e kemi bërë marrëveshjen por tash kërkohet implementimi. Implementimi i saj duhet ta ketë një baraspeshë politike në rajon, pra nëse duhet të kërkohet si kusht njohja nga pesë vendet e Bashkimit Evropian apo liberalizimi i vizave. Duhet të krijohet një balancë e të barabartëve në Ballkanin Perëndimor. Kështu duhet të diskutohet por jo, ne s’e bëjmë, ne s’e bëjmë. Kjo është metodë e gabuar dhe jo e zgjuar”, ka thënë analisti Dritro Arifi.

“Mund të ketë pasoja nëse nuk zbatohet marrëveshja. Mund të mos ketë lëvizje fare në dialog sepse pala kosovare mund të paraqitet si palë, po e bllokon atë në mënyrë të pavetëdijshme, mund të ketë anashkalim të Kosovës në disa procese tjera apo edhe sanksione të buta sikurse mosftesa në Samitin e Demokracisë në ShBA. Kosova nuk mund të zhvillohet në politikën e jashtme pa mbështetjen e aleatëve”.

Pas marrëveshjes për targa që i dha fund bllokadës në veriun e Kosovës, emisari i dialogut, Miroslav Lajçak, tha se Asociacioni është tema së cilës duhet dhënë zgjidhje. Por nga zyra e tij kanë thënë se ende nuk ka një datë për takimin e radhës.

Pavarësisht konstatimit të shkeljeve në të shtatë kapitujt e marrëveshjes nga Gjykata Kushtetuese, angazhimet rreth themelimit të Asociacionit i patën rinisur ish-Qeveria Mustafa dhe ajo Haradinaj. Patën themeluar edhe Ekipin Menaxhues për draftimin e statutit, në përbërjen e të cilit të gjithë kanë qenë serbë.

Në takimet e zhvilluara në terren me palët e ndryshme të interesit në zonat e populluara me shumicë serbe, Ekipi Menaxhues pati shprehur përcaktimin që kompetencat e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe të mbeten ashtu siç janë përcaktuar në Marrëveshjen e Parë të Brukselit, duke anashkaluar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Serbët kanë shprehur synimin për kompetenca ekzekutive të cilat iu mundësojnë mbikëqyrje të plotë në fushën e zhvillimit ekonomik, arsimor e hapësinor. Pretendime për t’i futur nën autoritetin e Asociacionit/Bashkësisë ka edhe ndaj dy resurseve kryesore të Kosovës - Liqenin e Gazivodës dhe “Trepçës”.

Angazhimet rreth Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe patën kulmuar në vitin 2016, kur ishte miratuar një draft statut që asnjëherë nuk është bërë publik. Krahas tij, në ish-qeverinë Mustafa ka qarkulluar edhe dekreti, si dhe sqarimet shtesë për aktgjykimin e Kushtetueses, dokumente këto që për herë të parë i pati publikuar KOHA. Sipas ish-kryeministrit Mustafa, draft statuti nuk ishte prezantuar asnjëherë në Bruksel për shkak të refuzimit të serbëve, të cilët nuk dëshironin Asociacion sipas Kushtetutës dhe aktgjykimit të vitit 2015.