Arbëri

Këshilltari i Kurtit fajëson ish-Qeverinë për mosftesën e SHBA-së

Ka ardhur reagimi i parë nga Qeveria Kurti për lënien anash të Kosovës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Samitin për Demokraci. Jeton Zulfaj, këshilltari i kryeministrit, ka fajësuar mënyrën e ardhjes në pushtet të ish-Qeverisë për këtë lënie anash.

Të premten, Qeveria s’reagoi fare për mospërfshirjen në këtë Samit. Ndërkaq nga Ambasada amerikane u shprehën se “s’mund të akomodohen të gjithë partnerët në këtë nismë”.

Tani Zulfaj, në një reagim në rrjete sociale ka thënë se kjo lënie anash ka ardhur si pasojë e rezultatit të dobët të demokracisë së Kosovës në “Freedom House”.

"Mbase edhe ndonjë muaj do të shihemi me raportet ndërkombëtare të 2020. Nuk është aspak befasi përse Kosova nuk u ftua në Samitin për Demokraci të thirrur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që radhitet më së ulëti në “Nations in Transit” nga Freedom House me 3.14 nga 7 pikë ose 36% nga 100%. Freedom House vlerëson se këtë vit rezultati i demokracisë shënoi rënie për Kosovën për shkak të instalimit jokushtetues të qeverisë Hoti në Qershorin e vitit 2020. Pra, ashtu sikurse Raporti i Progresit edhe ky i Freedom House e të tjerë që u publikuan janë të bazuar kryesisht në vitin e kaluar”, ka shkruar ai në Facebook.

Në fund, Zulfaj ka thënë se “Kosova dhe qytetarët e saj s’kanë asnjë arsye për t’u hidhëruar por as për t’u dëshpëruar pasi rezultatet e ndryshimeve të mëdha demokratike që ata sollën këtë vit do t’i shohim të reflektuara në raportet ndërkombëtare në vitin që vjen, ashtu siç do të shohim progres të gjithmbarshëm”.

Në fotografinë e publikuar nga Zulfaj shihet se rënia e pikëve për demokracinë në Kosovë ka ardhur për shkak të formimit jokushtetues të Qeverisë Hoti në qershor të 2020-s. E kjo Qeveri qe rrëzuar nga Kushtetuesja për shkak të votës nga një deputet i cili ka pasur dënim nga gjykatat dhe s’ka pasur të drejtë të ishte në Kuvend.