Arbëri

OEK-u bën thirrje të ulet akciza për naftën dhe TVSH-ja për disa produkte

 

“Ka buxhet dhe instrumente fiskale të cilat mund ta zbusin situatën, por nuk mund të tejkalojnë një problem, i cili është global. Jemi në një situatë ku jeta pas pandemisë do të jetë më e shtrenjtë sesa para pandemisë. Mirëpo, disa efekte mund të krijohen ndërkohë nga këto masa janë kategoritë sociale për të cilat duhet të ketë planifikime buxhetore, por nuk zgjidhet problemi vetëm me to. Nuk janë vetëm këto kategori të prekura, janë prodhuesit, të cilëve u është rritur kostoja e prodhimit”, ka thënë kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi

Prishtinë, 31 tetor - Ulja e akcizës për naftën si dhe ulja e TVSH-së për produktet bazike ushqimore janë disa nga propozimet që ka dhënë Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) për t’ua lehtësuar qytetarëve përballjen me rritjen e çmimeve.

Kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi, ka thënë të dielën se për këto rritje të çmimeve, shteti nuk mund të ndikojë aq sa dëshiron, sepse me këtë lloj “krize” është duke u përballur pothuajse i gjithë globi. Ai ka shtuar se shtesat që ka ndarë së fundi Qeveria për skemat sociale e pensionale nuk do ta zgjidhin problemin.