Drejtori i një kompanie që furnizon institucionet me barna e material shpenzues është arrestuar me dyshimin se ka tentuar të fitojë tender me referenca për punë të kryera, të cilat dyshohet se janë të falsifikuara. Arrestimi është bërë për shkak të dyshimeve për mashtrim në institucionet shëndetësore në komuna. Por, në vitet 2021 e 2020, në kohë të pandemisë, kjo kompani ka fituar tenderë në vlerë të më shumë se 1 milion euro e gjysmë. Ministria e Shëndetësisë nuk është përgjigjur se çfarë referencash ka dorëzuar kjo kompani.
Për kompaninë “Matkos Pharm”, Policia e Krimeve Ekonomike ka dyshime të forta se ka tentuar të fitojë tender nëpërmjet referencave të falsifikuara.
Furnizimin me barna dhe material shpenzues në institucione shëndetësore komunale e SHSKUK, sipas hetuesisë, kjo kompani ka tentuar ta bëjë me referenca të falsifikuara.
Në shumë tenderë referencat tregojnë që kompania përkatëse ka përvojë në kryerjen e punëve të njëjta në ndonjë institucion.
Sipas informatave të televizionit, kjo kompani dyshohet se kishte paraqitur dy referenca të falsifikuara, njëra me një biznes privat në vlerë të mbi 300 mijë eurosh, e tjera me një institucion publik rreth 60 mijë euro.
Përgjegjësinë për referenca e ka marrë drejtori i kësaj kompanie, Limon Buzoku, i cili është arrestuar.
KOHA ka provuar ta kontaktojë pronarin Kastriot Vitija, por ai ka thënë se nuk do të përgjigjet derisa drejtësia ta kryejë punën e vet.
Përderisa dyshimet që kompania ka tenderuar me referenca të falsifikuara, janë denoncuar para se kontratat të nënshkruhen, “Matkos” veçanërisht në dy vjetët e fundit ka fituar shumë kontrata.
Një gjë e tillë konfirmohet në faqen e prokurimit të hapur.
Në bazë të kësaj faqeje, gati gjysmë milioni euro të shtetit kanë shkuar te kjo kompani në vitin 2021, e një vit më herët më shumë se 1 milion euro.
Për disa ditë KOHA ka pyetur Ministrinë e Shëndetësisë, se me çfarë referencash ka fituar kjo kompani tenderët në këtë institucion, dhe nëse referencat për tenderët e fituar në MSH ishin origjinale dhe pse kompania do të duhej t’i dorëzonte të falsifikuar në tenderët në komuna.
MSH-ja e ka arsyetuar mungesën e përgjigjes për këtë pyetje me faktin që rasti është nën hetime.
“Duke qenë që dokumentet e kërkuara nga ju, sipas interpretimeve që kemi marrë nga Agjencia për Informim dhe Privatësi, në këtë fazë bien në kategorinë e dokumenteve, të cilat, nënparagrafi 2.3 i nenit 17 të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, i ka paraparë të jenë të kufizuara dhe përbëjnë potencial të dëmtojnë procesin e hetimit, ju lusim të na mirëkuptoni dhe t'i konsideroni të dhënat e dërguara nga MSh-ja në emailin e mëhershëm lidhur me kontratat që MSh-ja ka me operatorin në fjalë”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim në MSH.
Ky institucion ka sqaruar se e njëjta kompani ka fituar tenderë në vlerë të rreth 100 mijë eurove drejtpërdrejt nga Ministria e Shëndetësisë.
Prokurimi i barnave ka specifika më të ndjeshme. Përveç kushteve të tjera, kompanitë që furnizojnë me barna e material shpenzues duhet të sigurojnë edhe certifikata të kualitetit.