1 perditesime
23:22

Jasharaj: Me Ligjin për Paga kërkesat për greva do të jenë minimale

Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj, ka thënë se Këshilli Drejtues i SBASHK-ut mund të vendosë për veprime sindikale në arsim, nëse Ligji për Pagat kalon pa e parë sindikatat.

Jasharaj ka thënë se kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Financave, Hekuran Murati, duhet të ulen me sindikalistët, për të diskutuar se çka duhet të përmbajë ligji, duke theksuar se ligji duhet të bëjë zgjidhje për të sëmurët rëndë.

“Deklarimi ynë i sotëm janë apel në kuptimin e plotë të fjalës dhe e kanë qëllimin që të ulemi me kryeministrin Kurti e ministrin Murati që të bisedojmë për çështjet që janë shqetësim i punëtorëve të arsimit. Nëse ligjit i pagave shkon pa u kontaktuar dhe pa e parë sindikatat se çka ka në atë ligj, nëse nuk ka zgjedhje edhe në të ardhmen për të sëmurët rëndë, nëse nuk ka dialog të mirëfilltë, atëherë Këshilli Drejtues i SBASHK-ut, në mbledhjen e vetë që do ta mbajë më së largu në pjesën e parë të dhjetorit, mund të vijë me kërkesa nga anëtarësia, dhe po vendosi Këshilli Drejtues që kësaj heshtjeje e kësaj mospërfillje t’i përgjigjemi me veprime sindikale, atëherë ne jemi të obliguar që t’i respektojmë ato”, ka thënë Jasharaj.

Ai ka përmendur edhe çështjen e rritjes së pagave në arsim, duke thënë se edhe kjo duhet të rregullohet me Ligjin për Pagat dhe duke shtuar se në katër vitet e fundit, mësimdhënësve asnjëherë nuk u janë rritur pagat.

“Ne u jemi gëzuar veprimeve të Qeverisë Kurti që të ndihmohen materialisht shtresat më të goditura por kemi pritur që ata të ulen me sindikatat dhe t’ua japin një lajm për Ligjin e Pagave dhe ne e kemi thënë se me të filluar të implementohet Ligji i Pagave kërkesat për greva do të jenë të paarsyeshme dhe minimale ngase Ligji do t’i rregullonte pagat me ligj dhe aty do të thuhej se vlera e koeficientit do të rritej vetëm në bazë të rritjes eventuale ekonomike. Kështu si është puna, me mungesë të Ligjit për paga dhe me rritje të vazhdueshme të çmimeve, është normale dhe nuk është mëkat që të kërkojnë edhe lëvizje në paga. Qeveria ishte dashur të bëjë një lëvizje të pagave, pasi që nga janari i vitit 2018 në sektorin publik nuk ka pasur ngritje pagash modeste. U bënë 4 vite që nuk kemi rritje të pagave në këtë sektor e lëvizje të çmimeve ka pasur vazhdimisht”, ka deklaruar Rrahmanaj.

23:11

Varg ankesash nga Jasharaj: Ligji për Pagat, takimet me Qeverinë, borxhi prej 100 eurove

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës, Rrahman Jasharaj, ka ngritur një varg ankesash ndaj Qeverisë Kurti, konkretisht ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Jasharaj ka thënë se ministri Murati nuk ka gjetur kohë të takohet me sindikatat, pavarësisht se ata i kanë dërguar disa kërkesa pasi kanë çështje që duhen diskutuar me Ministrinë që drejton ai. Tutje, ai kërkoi që Ligji për Paga të mos shkojë në Parlament pa e parë sindikatat, pasi sipas tij, për të u bë një grevë trejavore një vit më parë.

“Kërkesë e jona, por edhe e organizatave të tjera, është që Qeveria Kurti konkretisht Hekuran Murati përveç se është ministër i Financave, është edhe i Mirëqenies Sociale, dhe duhet të ketë takime me sindikatat. Ai pavarësisht kërkesave që ia kemi dërguar, nuk ka gjetur kohë të takohet me ne. Anëtarësia jonë ka kërkesa, cili është fati i Ligjit të Pagave. SBASHK-u kishte bërë shumë angazhime për këtë çështje, kemi bërë tri javë grevë për këtë. Anëtarët tonë kanë marrë vesh nga deputetët e komunave të tyre që Ligji për Paga është duke u punuar nga një komision. Ky fakt ngrit shqetësime, pasi një ligj i tillë në të kaluarën është punuar edhe bashkë me sindikatat. Duhet të komunikojmë, të shohim se çfarë po punohet si Ligj i përmirësuar nga ato problemet e vogla që i vërejti Kushtetuta. Kemi bërë më shumë kërkesa për t’u takuar me Hekuran Muratin, pasi çështja lidhet kryekëput me Ministrinë që drejton ai. Tash e sa muaj nuk kemi përgjigje nga kjo Ministri, e as nga kryeministri Kurti. SBASHK-u e kupton kryeministrin që ka shumë angazhime, por Murati nuk ka gjetur asnjëherë kohë për ne. Ligji për Paga nuk duhet të shkojë në Parlament pa e parë sindikatat”, ka thënë Jasharaj në “Interaktiv” të KTV-së.

Jasharaj tregoi se stafit shkollor u është mbetur edhe nga 100 euro borxh nga shtesat e ndara nga Qeveria e kaluar.

“Ministri Murati i mbeti borxh arsimit edhe me një shtesë prej 100 euro të ndarë nga Qeveria e kaluar. Do ta ngrisim edhe çështjen lidhur me afatin e 400 kolegëve tanë që janë në gjendje të rëndë shëndetësore, e nuk po bëhet zgjedhje për ta”, ka thënë tutje ai.

Jasharaj theksoi se raportet me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, janë korrekte dhe takohen shpesh për çështjen që mbulon kjo Ministri.