Alarmi për rikthimin e mundshëm të tensionove mes Kosovës e Serbisë është përmendur në përmbylljen e diskutimeve, në kuadër të Forumit të Sigurisë në Beograd. Derisa zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë thënë se varet prej palëve se deri ku duan të shkojnë me marrëveshje, ata të shoqërisë civile kërkuan ndryshimin e qasjes së BE-së, në mënyrë që dialogu të jetë më produktiv.
Zyrtarë të Bashkimit Evropian nga kryeqyteti serb e kanë promovuar rëndësinë e dialogut teksa kanë rikujtuar edhe tensionet e fundit përreth kufirit Kosovë-Serbi.
Për tri ditë në Forumin e Sigurisë në Beograd janë trajtuar sfidat me të cilat ballafaqohet rajoni, me theks të veçantë problemet e pazgjidhura dypalëshe. Për këtë arsye, përparimi në dialogun mes Kosovës e Serbisë me synim arritjen e një marrëveshjeje finale është konsideruar i një rëndësie të veçantë për tërë Ballkanin Perëndimor. Ndërkaq, platformat sikurse Procesi i Berlinit po shihen si rruga e vetme për rritjen e bashkëpunimit rajonal, edhe pse ka shqetësime rreth asaj se nismat rajonale mund të shihen si zëvendësim për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Diskutimet në Forumin e Beogradit janë përmbyllur me temën e dialogut Kosovë-Serbi.
Joseph Pandur, këshilltar politik i emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ka thënë se zhvillimet e fundit duhet të shërbejnë si pikë kthese për arritjen e marrëveshjes.
“Incidentet e fundit në Kosovë sa i përket çështjes së targave në vetura apo interventimi i Policisë në veri, tregojnë rëndësinë e dialogut. Prandaj, korniza ekzistuese ndihmoi në koordinimin e të gjithë aktorëve për ta qetësuar situatën. Ky proces nuk është në pronësi të Bashkimit Evropian, është në duart e Prishtinës dhe Beogradit, ne jemi vetëm lehtësues, këtë e kemi thënë gjithmonë. E vërtetë se ne kemi agjenda, por u takon palëve se për çka duan të bisedojnë. Ndërkaq, shoqëria civile duhet të ndihmojë që procesin ta ofrojnë te qytetarët dhe të kërkohet prej politikanëve më shumë përkushtim në dialog”, ka thënë ai.
Por sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, dialogu është uzurpuar nga elitat politike duke e vënë në shërbim të ruajtjes së pushtetit.
Donika Emini nga Platforma “Civikos” ka thënë se parakusht për zgjidhjen e të gjitha problemeve është njohja reciproke.
“Janë elitat politike që po krijojnë narrativa nëpërmjet mediave që kontrollojnë. Kjo është shumë më e theksuar në Serbi, ku procesin e dialogut shpesh e shohin me syrin e zgjedhjeve. Nëse vazhdohet kështu, pesë vjetët e ardhshëm mund të sjellin skenarë negativë dhe kjo është diçka që duhet të na shqetësojë të gjithëve. Kërcënimi i konfliktit të mundshëm ishte e vetmja gjë që e ka zgjuar Bashkimin Evropian dhe liderët tanë e dinë këtë”, është shprehur ajo.
Ndërkaq, Miodrag Miliceviq- udhëheqës i organizatës joqeveritare, “Aktiv” e cila vepron në Mitrovicë e Prishtinë thotë se ngecjet rreth diskutimeve për njohjen reciproke po pengojnë zgjidhjen e problemeve të tjera.
“Çështja e statusit herët apo vonë do të kthehet sërish në tavolinë, a të presim tash edhe 10 vjet të tjerë që derisa kjo të zgjidhet problemet reale të lihen anash, e të cilat janë të shumta që kryesisht kanë të bëjnë me ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve. Ka mungesë mirëbesimi mes palëve, prandaj përfshirja e ndërkombëtarëve është e domosdoshme. Në Bruksel po vazhdohet me qasjen e njëjtë që nuk sjell konstruktivitet ku palët dalin dhe fajësojnë njëra-tjetrën për ngecjet”, ka deklaruar ai.
Në kuadër të Forumit është prezantuar edhe një hulumtim që konfirmon dallimet e mëdha mes qytetarëve nga të dyja anët. Derisa për serbët kërkesa kryesore vazhdon të jetë themelimi i Asociacionit, për kosovarët synimi final është njohja e ndërsjellë dhe ulësja në OKB. Po ashtu, nëpërmjet videove të shfaqura të rinj serbë e shqiptarë kanë shfaqur pikëpamjet e tyre për dialogun.