Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka ironizuar me kërcënimin që ka marrë kryeministri aktual, Albin Kurti teksa ka kujtuar një sulm që thotë se ia kanë bërë “njerëzit e Kurtit” më 2016 sa Mustafa ishte kryeministër.
Të mërkurën, Qeveria konfirmoi se për shkak të një kërcënimi është rritur niveli i sigurisë i Kurtit. U mësua se kërcënimi qe bërë nga një llogari në Facebook që “ka premtuar 35 mijë euro për vrasjen e Kurtit”.
Tani Mustafa, në Facebook, ka kujtuar kohën kur më 2016 ishte sulmuar shtëpia e tij. Ka thënë se rasti ka ndodhur nga njerëzit e Kurtit, ndërsa ka shtuar se “s’kishte njësi speciale e as mbrojtje speciale”.
“Miq të nderuar, Mbrëmë u njoftuam se Njësia Speciale e Policisë së Kosovës e ka rrethuar shtëpinë e Kryeministrit Kurti, pas një kërcënimi që i ishte bërë. Më erdhi keq! Më vonë u tha se ishte një kërcënim nga adresa Shit e Blej! Kjo ma kujtoi kohën kur, jo adresa shit e blej, por njerëzit e Albin Kurtit, Kryeministrit të tanishëm, në terrin e datës 26 shkurt 2016 sulmuan shtëpinë time, që isha Kryeministër i Kosovës, me bomba molotov. Kur arrita në shtëpi e pyeta shoqen time se si u ndjeve, a pate frikë, a të mbrojti policia. Ajo ma ktheu: po çfarë!! Policët mezi e shpëtuan kryet e tyre, sepse e kapi flaka dhe tymi korridorin ku ata ishin të vendosur. Nuk kishte njësi speciale as mbrojtje speciale. Fati gruaja mbeti gjallë dhe policët që kujdeseshin për shtëpinë time nuk ishin lënduar. Kujtime të rënda!” ka shkruar Mustafa.