Arbëri

Swoboda: Serbët në Kosovë e Bosnjë, të instrumentalizuar nga Beogradi

Ish-eurodeputeti dhe anëtari i Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, Hannes Swoboda, vlerëson se serbët jashtë Serbisë, sidomos në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë, janë të instrumentalizuar nga Beogradi zyrtar .

Diplomati austriak në një intervistë në Interaktiv të KTV-së, tha se krizat që shkaktohen në këto vende nga serbët përdoren për të forcuar mbështetjen e presidentit Aleksandar Vuçiq në Serbi.

“Shoh instrumentalizim. E shoh edhe në Serbi. Edhe çështja e Kosovës, edhe çështja e Republikës Serbe në Bosnjë shpesh përdoret për kauza të brendshme në Serbi për ta forcuar mbështetjen e presidentit Vuçiq dhe forcave të tjera nacionaliste. Kjo është e vërtetë dhe kjo duhet të ndalet. Si të ndalet? Sigurisht që duhet të ketë dialog me Serbinë. Nuk mund ta lini jashtë Serbinë kur ekziston dhe është këtu, dhe Vuçiqi është zgjedhur president. Duhet të kemi dialog me Serbinë, por edhe për së brendshmi. Si mund t'i largosh serbët e Mitrovicës dhe të tjerët nga Serbia? Nëse iu ofron bashkëpunim dhe nëse iu ofron ndonjë rol në shtetin e Kosovës”, ka thënë ai.

Sipas tij, përfaqësuesit serbë duhet ta kenë mundësinë ta ndërtojnë së bashku “një Kosovë të re që është Kosovë e shqiptarëve, serbëve, romëve, turqve e kështu me radhë”.

“Kjo është e nevojshme. Nuk duhet t'ua japim Vuciqit apo liderëve të tjerë serbë mundësinë që t'i keqpërdorin, atë që e quajnë, popullin e tyre, në Kosovë dhe në Bosnjë-Hercegovinë. Forcat e tjera duhet të jenë shumë më të mençura dhe shumë më të vëmendshme si mund të fitohen zemrat e mendjet e serbëve brenda Bosnjës e veçanërisht brenda Kosovës”, shtoi ai.