5 perditesime
17:54

Dëgjimi i dëshmitarit të dytë vazhdon edhe nesër në gjykimin ndaj Gucatit e Haradinajt

(KosovaPress) - Dëshmitari i dytë në gjykimin ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, do të vazhdojë të dëgjohet edhe nesër në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Halil Berisha, i cili kishte punuar gazetar deri në shtator të vitit 2020, u është përgjigjur pyetjeve të Prokurorisë rreth dokumenteve të cilat i kishin marrë nga drejtuesit e OVL-UÇK në konferencat për shtyp të mbajtura në shtator të vitit të kaluar.

Berisha ka thënë se ishte i pranishëm vetëm në konferencën e parë në OVL-UÇK ku u prezantuan dokumentet të cilat pretendohej se kishin rrjedhur nga Specialja.

“Kanë ardhur personat që e kanë mbajtur konferencën për media dhe kanë filluar konferencën. Siç shihet në video që është edhe online, kanë folur zotëri Nasim Haradinaj dhe zotëri Hysni Gucati. Folën për dokumentet të cilat i ka sjellë në zyrën e OVL-së një person i panjohur”, ka thënë dëshmitari Berisha.

Prokurori ka prezantuar video të konferencës së 7 shtatorit të vitit 2020, në të cilën kishte marrë pjesë gazetari, pamje të cilat nuk u bënë publike dhe seanca vijoi e mbyllur.

Tutje, dëshmitarit i është kërkuar të identifikojë personat në video, për të cilët ai ka thënë se ishin Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

“Po kërkonin disa dokumente të cilat thuhet se dëshmojnë bashkëpunimin që e ka pasur Task-Forca Speciale e hetimit me prokurorë dhe me njerëz të institucioneve të Serbisë”, ka dhënë dëshmitari.

Dëshmitari ka thënë se pas përfundimit të konferencës, mediat janë afruar t’i shohin dokumentet e prezantuara nga ish-krerët e OVL-UÇK, t’i fotografojë dhe xhirojnë ato.

“Numri i dokumenteve ishte goxha i madh dhe nuk kish mundësi, nuk e dinim saktë çka mundet me pas aty, nuk kish pas mundësi me i xhiruar krejt, kështu që kam kërkuar një pjesë të dokumenteve”, ka thënë dëshmitari Berisha.

Dëshmitari ka thënë se e ka pyetur Nasim Haradinajn, i cili sipas tij, edhe i ka dhënë leje të marrë një pjesë të dokumenteve. Ai ka shtuar se nga Haradinaj i është thënë që nëse i kërkohet nga kolegët e tjerë t’u japë dokumentet ai mund ta bëjë.

“Më është thënë që përderisa ka shumë dokumente, numri i kopjeve që janë aty është i vogël dhe nuk ka për të gjitha mediat. Kështu që nëse mundet me i kërkua një media tjetër, për shkak që mos me i pas veç unë, nëse është e mundshme me bashkëpunuar edhe me media të tjera”, ka thënë dëshmitari Berisha.

Dëshmitari ka thënë se renditja e dokumenteve ka qenë e çrregullt, çka sipas tij, ka bërë që mos të kuptojë me saktësi se çka përmbajnë ato.

“Dokumentet janë konfidenciale ose jo se nuk kam ndonjë mjet me vlerësua këtë punë, megjithatë në disa prej faqeve, në disa prej dokumenteve ka qenë shkrimi që tregon se janë të klasifikuara konfidenciale”, ka thënë dëshmitari.

Dëshmitari ka thënë se dokumentet pastaj i kanë shpërndarë në zyrën e redaksisë ku kishte punuar, Gazeta Infokus, dhe i kanë shikuar se çka përmbajnë.

Ai ka shtuar i kanë drejtuar pyetje ZPS-së lidhur me dokumentet në fjalë.

“Porsa i kemi marrë dokumentet i kemi shkruar edhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar një e-mail për me pyet për këto dokumente, por që përgjigja ka qenë në fakt pa përgjigje, kanë thënë që nuk mundemi me i komentu këto gjëra. Në atë rast duke dyshuar që këto dokumente, edhe për autenticitetin e tyre edhe për konfidencialitetin, kemi vendosë që me i ruajt këto dokumente mos u marrë shumë me to, derisa të qartësohet pak më shumë”, ka thënë dëshmitari Berisha.

Dëshmitari Berisha ka thënë se dokumentet i kanë vendos në një hapësirë të sigurt në redaksi duke shtuar se i janë drejtuar dy herë me pyetje ZPS-së për ta njoftuar për dokumentet që posedojnë.

“Këtë email e kemi dërguar për arsye se përgjigja e parë e ZPS-së, në fakt nuk e di a mundemi me quajt përgjigje sepse nuk na kanë dhënë asnjë informatë veçse kanë thënë se nuk mundemi me fol për këtë temë, edhe siç e ceka më herët kemi nuk kemi qenë të sigurt së pari për autenticitetin e dokumenteve pastaj edhe për konfidencialitetin e tyre dhe kemi dëshiruar me shku në mënyrë të sigurt dhe e kemi njoftuar ZPS-në”, ka thënë dëshmitari.

Tutje, ai ka thënë se hetues të ZPS-së kanë shkuar në redaksinë ku ai punonte dhe i kanë marrë dokumentet në fjalë, më 9 shtator të vitit 2020.

“Fillimisht më ka thirrur dikush prej zyrës së Prokurorit të Specializuar, një numër që ka qenë prej Holandës dhe më ka pyetur nëse munden dy hetues me ardh dhe me i marr dokumentet, unë kam pranuar që ata me ardhur, pastaj ata më kanë thirr në telefon, e kemi lënë takimin sepse ata nuk e kanë ditur ku është zyra, kanë ardhur në zyrë, kanë qëndruar rreth një orë, para se ata me i pa dokumentet, ua kemi kërkuar një kartelë identifikimi me e ditë nëse janë ata persona që janë prezantuar, na kanë prezantuar kartelat e identifikimit që kanë qenë prej Zyrës së Prokurorit të Specializuar, na kanë kërkuar së pari me i pa dokumentet, i kemi marrë dokumentet prej atij vendit ku i kemi vendos, i kanë parë dokumentet dhe na kanë kërkuar më i marrë dokumentet, pastaj i kanë marrë dokumentet dhe kanë shkuar”, ka thënë dëshmitari Berisha.

Ai ka thënë se në gazetë kanë shkruar për dokumentet në fjalë vetëm gjatë periudhës sa i kanë poseduar ato, duke shtuar se nuk kanë marrë pjesë në asnjë konferencë tjetër të OVL-UÇK.

Berisha, i cili ishte gazetar ka pushuar së ushtruari këtë profesion në shtator të vitit 2020 pasi ka shkuar për studime në Gjermani.

Në fillim të seancës ai ka thënë se ka punuar gazetar dhe redaktor në Gazetën Infokus dhe ka deklaruar se nuk ndjehet i lumtur që po dëshmon në këtë gjykim, por sipas tij ka qenë i detyruar për të bëjë një gjë të tillë.

Dëshminë e tij ai do ta vazhdojë nesër para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Para dëshmitarit Berisha, trupi gjykues për gjashtë ditë me radhë ka dëgjuar dëshmitaren Zdenka Pumper, hetuese në ZPS.

Ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UCK-së, Gucati e Haradinaj akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike.

15:46

Nis deklarimin dëshmitari i dytë në rastin Gucati-Haradinaj, shprehet jo i lumtur që është në gjykatë

Ka nisur të japë deklaratën e tij dëshmitari i dytë në rastin gjyqësor ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt në Gjykatën Speciale. Gazetari Halil Berisha, që deri në shtator të vitit të shkuar ka punuar në mediumin “Infokus” është shprehur jo i lumtur që është duke dhënë dëshmi.

“Desha të them se nuk jam shumë i lumtur që sot jam këtu për të dëshmuar para jush, kjo nuk do të pengojë faktin të them të vërtetën, jam këtu se më keni obliguar, por nuk jam i lumtur që jam këtu”, ka thënë në hyrje ai.

15:16

Përfundon dëgjimi i dëshmitares së parë në gjykimin ndaj Gucatit e Haradinajt në Hagë

Hetuesja në Zyrën e Prokurorit të Specializuar, Zdenka Pumper ka përfunduar dhënien e dëshmisë në gjykimin ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Pumper është marrë në pyetje për gjashtë ditë, ndërsa sot fillon dëgjimi i dëshmitarit të dytë të ZPS-së.

Në përfundim të dëshmisë së saj, derisa i është përgjigjur pyetjeve shtesë të avokatit të Hysni Gucatit, Jonathan Elystan Rees, hetuesja Pumper ka thënë se derisa ka kryer kontrollin në zyrat e OVL-UÇK, nuk ka qenë në dijeni që Faton Klinaku konsiderohej nga ZPS i dyshuar për këtë çështje.

Ndërsa derisa i është përgjigjur pyetjeve të trupit gjykues, koordinatorja e kontrollit në çështjen OVL-UÇK, Zdenka Pumper ka thënë se koordinimi i këtij kontrolli ishte projekt i madh.

Ajo ka thënë se avokati Tomë Gashi ka qenë i pranishëm gjatë gjithë kontrollit, në cilësinë e përfaqësuesit ligjor të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Dëshmitarja Pumper ka thënë se gjatë kontrollit i pranishëm ishte edhe një vëzhgues i pavarur.

Trupi gjykues e ka pyetur dëshmitaren Pumper nëse ka ndonjë arsye për të besuar se mund të ketë pasur ndonjë anëtarë të ZPS-së që i ka dhënë informacione Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, të cilat përfshihen në paketat e sekuestruara, gjë për të cilën Pumper ka thënë se ka ndonjë informacion për diçka të tillë.

“Të nderuar gjykatës, me respekt më lejoni të ju them se nuk kam asnjë informacion lidhur me thelbin e hetimit mbi këtë çështje, kështu që nuk mund të jap përgjigje pyetjes se çfarë është hetuar dhe çfarë nuk është hetuar, nuk e kam këtë informacion”, ka thënë Pumper.

Ajo ka thënë se në operacionin janë përfshirë deri në dhjetë persona të ZPS-së, pa shtuar këtu edhe stafin e sigurisë.

Ajo ka thënë se kanë kontrolluar në dy kate të ndërtesës së OVL-UÇK derisa ka shtuar se nuk mban mend në sa zyre.

Pumper është koordinatore e hetimeve në ZPS-së dhe ka deklaruar që është përfshirë në çështjen OVL-UÇK nga 25 shtatori i vitit 2020 ku i është kërkuar që të bëjë shqyrtimin e dokumenteve të sekuestruara në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Hetuesja Pumper ka dëshmuar për gjashtë ditë në Dhomat e Specializuara në Hagë në gjykimin ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Harandinajt të cilët po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej 25 shtatorit të vitit 2020, kur edhe u arrestuan në Prishtinë.

Gucati e Haradinaj akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike. /ksp

14:28

​Dëshmitarja: Pas rrjedhjes së dokumenteve është bërë një ndryshim i protokollit të sigurisë

Dëshmitarja e parë e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në gjykimin ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, hetuesja Zdenka Pumper ka thënë se pas rrjedhjes së dokumenteve menjëherë është bërë një ndryshim i protokollit të sigurisë në ZPS.

Derisa është përgjigjur në pyetjet e avokatit të Nasim Haradinajt, Toby Cadman, dëshmitarja Pumper ka thënë se nuk e mban mend nëse është Prokurori i Specializuar ka njoftuar për rrjedhjen e të dhënave.

“Siç e thash nuk e mbaj mend që Prokurori i Specializuar të ketë njoftuar rrjedhjen e të dhënave. Por çfarë mbaj mend unë është që u bë një ndryshim një hamendeshim i procedurës së protokollit të sigurisë menjëherë pas ndodhjes së këtij incidenti”, ka thënë dëshmitarja Pumper.

Pumper ka thënë se masat e sigurisë u morën si rezultat i asaj që ndodhi pas tre konferencave të shtypit.

Sipas saj, për këtë janë njoftuar përmes një e-mail të hollësishëm por për të cilin nuk ka dhënë detaje.

Avoakti Cadman ka pyetur dëshmitaren nëse ZPS është mbledhur në takime pasi ish-krerët e OVL-UCK ishin paraqitur në konferenca për shtyp duke njoftuar për dokumentet që u kishin arritur në zyrat e organizatës.

Dëshmitarja Pumper ka thënë se nuk mban mend nëse kanë ndodhur takime të tilla veçse ka shtuar se zyra ka mbajtur takime të rregullta javore, çdo të premte, në të cilat sipas saj mund të ketë qenë i pranishëm edhe Prokurori I Specializuar.

“Në përgjithësi Prokuroi i Specializuar nuk merr pjesë në këto takime. Më falni, duhet të sqaroj, nuk e di nëse ishte i pranishëm, doja të thosha nuk flet, mund të ketë qenë i pranishëm”, ka thënë dëshmitarja Pumper.

Avokati Cadman ka insistuar të marrë përgjigje nëse është zhvilluar ndonjë takim pas konferencës së 7 shtatorit 2020, apo pas dy konferencave të tjera të mbajtura në OVL-UÇK.

Dëshmitarja Pumper: Mbaj mend një që është zhvilluar disa muaj pas asaj dite kur prokuroi foli me gjithë ekipin.

Avokati Cadman: Pra, ju nuk dini nëse është zhvilluar ndonjë takim pas datës 7?

Dëshmitarja Pumper: Ka kaluar një vit, nuk e mbaj mend.

Avokati Cadman: Nuk mbani mend që është zhvilluar ndonjë takim pas konferencës së dytë të shtypit, pas datës 17?

Dëshmitarja Pumper: Nuk mbaj mend.

Avokati Cadman: Asnjë takim nuk është zhvilluar pas datës 22 shtator?

Dëshmitarja Pumper: Nuk po them se nuk është zhvilluar ndonjë takim por po them se ka kaluar një vit dhe nuk mund ta konfirmoj apo ta mohoj.

Avokati Cadman: Ju nuk keni qenë pjesë e takimit, se një takim është zhvilluar?

Dëshmitarja Pumper: Nuk e di nëse është anglishtja ime që nuk po e them qartë, por po them se nuk mbaj mend të jetë zhvilluar një takim i tillë, por nuk mbaj mend.

Avokati Cadman: Kur u dhanë udhëzimet të bënit punët që duhet të bëni, nuk u bë ndonjë raportim pas datës 25 lidhur me ngjarjet që ishin zhvilluar?

Pumper: Kur thoni raportim çfarë keni parasysh?

Cadman: Raportim lidhur me atë që kish ndodhur sepse ka një sugjerim që ka ndodhur një shkelje e rëndë e sigurisë lidhur me të dhënat dhe ju nuk jeni informuar nga Zyra e Prokurorisë, nuk u informuat as pas një muaji lidhur me këtë?

Pumper: Pas datës 7 të nxjerrjes së parë nuk e mbaj mend saktësisht datën, thjesht nuk e mbaj mend, nuk thash që u bë apo nuk u bë, u zhvillua një takim ku e gjithë zyra u informua për këtë çështje.

Cadman: Por sigurisht duhet të kujtohet nëse u zhvillua një takim lidhur me një ngjarje katastrofike e brendshme e zyrës apo jo?

Pumper: Mund të them se nuk e mbaj mend.

Cadman: Nuk mbani mend asnjë takim as pas konferencës së dytë?

Pumper: U përgjigja… Është e njëjta përgjigje, nuk e mbaj mend, ka kaluar shumë kohë.

Cadman: Edhe pas konferencës së tretë, të datës 22? Pasi bëtë kontrollimin e datës 25 nuk u zhvillua ndonjë takim rreth asaj kohe që trajtonte këto çështje brenda zyrës suaj?

Video 12.19.45 Pumper: Ne kemi çdo të premte takim ,unë po them vetëm se nuk mbaj mend që atë takim javor të jetë përmendur diçka e tillë ndryshe do të supozoja.

Avokati Cadman: Sot ju thatë e ‘gjithë përvoja ime përpara se të filloj punën me ZPS-në nuk ka përfshirë ndonjë çështje që ka kaluar në fazën e gjykimit. Përvoja ima është vetëm në pjesën e hetimeve deri në daljen e një aktakuze dhe pastaj kalojmë në çështje tjetër’. Këtë e keni thënë sot, nëse e shikojmë trnaskriptin e datës 20 tetor 2021, zotëri Rees ju pyet aty nëse keni dhënë dëshmi në ndonjë gjykim tjetër, ju i thatë po që keni dhënë, do të thotë përgjigja juaj nuk është e saktë, ju keni qenë dëshmitare në një proces gjyqësor të mëparshëm. Cila është përgjigja juaj?

Dëshmitarja Pumper: Nëse me lejoni, ajo që thash sot ka të bëjë me pjesën e punës sime si hetuese, duke e bërë detyrën e hetueses, por në përgjithësi kam dhënë dëshmi si dëshmitare në një gjykim të mëparshëm.

Në këtë seancë, dëshmitarja Pumper ka thënë se detyra e saj ka qenë të shqyrtojë transkriptet e paraqitjeve të ish-krerëve të OVL-UÇK dhe të identifikoj emra konkret të cilët përmenden aty, nëse të njëjtit gjendeshin në paketat e dokumenteve.

“Unë i shqyrtova këto transkripte dhe detyra ime ishte që të identifikoj emra konkret që janë përmendur nga zotëri Haradinaj dhe të kontrolloja nëse këto emra gjendeshin në paketë. Nuk e kisha për detyrë të shqyrtoja e të raportoja për përmbajtjen, unë i kam marrë dokumentet nga prokurorja zonja Bolici…Detyra korrekte që mu dha ishte të kontrolloja për këto emra dhe këtë bëra, por unë sigurisht e lexova të gjithë dokumentin”, ka thënë dëshmitarja Pumper.

Seanca po vazhdon me pyetjet shtesë nga ana e prokurorisë, ndërsa mbrojtja ka deklaruar që i ka përfunduar pyetjet për këtë dëshmitare, veçse nuk e kanë përjashtuar mundësinë që për të njëjtën të ketë përsëri pyetje.

Hetuesja Zdenka Pumper është dëshmitarja e parë e ZPS-së në gjykimin ndaj Gucatit e Haradinajnt në Dhomat e Specializuara në Hagë dhe kjo është dita e gjashtë e dëshmisë së saj.

Ish-krerët e OVL-UÇK, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike.

Ata janë arrestuar më 25 shtator të vitit 2020 në Prishtinë prej kur edhe mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë. /KSP

13:01

Hetuesja e ZPS-së: S’kam qenë e përfshirë në arrestimin e Gucatit dhe Haradinajt

(Kosovapress) - Dëshmitarja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Zdenka Pumper e cila po dëgjohet në gjykimin ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, thënë se ka kryesuar operacionin e kontrollit më 25 shtator 2020 por nuk është përfshirë në veprimet e arrestimit të Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt. Në ditën e gjashtë të dëshmisë së saj në Dhomat e Specializuara në Hagë, hetuesja e ZPS-së ka thënë se ajo personalisht nuk ka intervistuar asnjërin nga të akuzuarit dhe as ndonjë person tjetër në ndërtesën e organizatës.

Pumper ka thënë se përfshirja e saj në kontrollin e çështjes OVL-UÇK ka filluar më 25 shtator.

Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të Haradinajt, Toby Cadman, hetuesja e ZPS-së ka thënë se hamendëson që ishte në Kosovë në kohën kur kishte marrë udhëzimet për këtë çështje.

Avokati Cadman: Pra, keni qenë në Kosovë në 22 shtator, apo jo?

Pumper: Parapëlqej të hamendësoj, nuk jam e sigurt ku isha atë ditë.

Cadman: Keni qenë në Kosovë më datë 22, sepse zoti Haradinaj në shoqërinë e tre oficerëve të KFOR-it, ju ka parë në Prishtinë atë ditë, e saktë?

Këtë pyetje e ka kundërshtuar prokurorja Valeria Bolici, meqë sipas saj, nuk ekzistojnë prova që Haradinaj e ka parë hetuesen Pumper në Kosovë.

Ndërsa në pyetjet se kush kishte përgjegjësi të përgjithshme lidhur me hetimet në teren, seanca ka vijuar e mbyllur për publikun, duke shtuar këtu edhe pyetjet për një person me të cilin Pumper thotë të ketë ndarë një zyrë pune e të cilit në këtë seancë ju referuan ‘personi X’.

Lidhur me këtë person, Pumper ka thënë se në atë periudhë kohore kanë ndarë të njëjtën zyrë por që kanë pasur tavolina të ndara pune duke shtuar se nuk është në dijeni nëse i njëjti ka udhëtuar ndonjëherë në Kosovë.

Avokati Cadman: A keni ndonjë sistem me anë të së cilit bëhet informimi ose shkëmbimi i informacionit në mënyrë të rregullt lidhur me gjërat që janë të rëndësishme për momentin për zyrën?

Dëshmitarja Pumper: Ne kemi takime të përjavshme çdo të premte, dhe kemi takime, kemi ekipe të cilave u janë caktuar projekte, ata takohen në mënyrë të rregullt, në përgjithësi më duhet të them që kemi një linjë komunikimi të rregulluar brenda përbrenda zyrës.

Avokati Cadman: Pra, nëse ndodh diçka e rëndësishme, ngrihet një çështje e rëndësishme, do të kishte një forum përmes së cilit i komunikohej kjo çështje e gjithë stafit të ZPS-së?

Ne e dimë që ngjarjet që kanë rrethuar këtë çështje, në qoftë se ne do ta pranojmë çështjen e prokurorisë, paraqisnin një çështje të rëndësishme, shqetësuese për ZPS-në nga data 7 shtator, a nuk është kështu?

Dëshmitarja Pumper: Po, ishte një çështje shqetësuese.

Avokati Cadman: Kur jeni informuar për këtë?

Dëshmitarja Pumper: Besoj që e kam thënë edhe më parë, nuk e mbaj mend se kur jam vënë në dijeni të kësaj çështje por u informova për të dhe ishte çështje shqetësuese dhe kemi folur rreth kësaj.

Avokati Cadman: Sigurisht si nëpunëse e lartë e zyrës, rreth datës 7 apo 8 shtator do të duhej të jeni informuar rreth saj apo jo?

Dëshmitarja Pumper: Nuk dua të spekuloj, e di që jam informuar por nuk e di se kur jam informuar.

Në ditët pasuese gjatë dëshmisë së saj në Hagë, Pumper kishte thënë se udhëzimet lidhur me këtë çështje i kishte marrë gojarisht nga prokurorja Valeria Bolici, ndërsa sot ka shtuar se ndër të tjera ka pranuar edhe e-mail nga Bolici si dhe një e-mail tjetër me informacione rreth dosjeve.

Pumper: Kam pranuar e-mail me dosjet mbi të cilat duhej të hartoja deklaratën time

“Kam marrë një e-mail ku më thuheshin dosjet ku gjendeshin komunikime të tilla dhe mbi bazën e të cilave më duhej të shkruaja paragrafët besoj 32 deri 34 të deklaratës sime. Kjo dosje ishte konsoliduar dhe ishte më e thjeshtë për mua për ta shqyrtuar atë, nuk kishte udhëzim lidhur me të”, ka thënë dëshmitarja Pumper.

Ndërsa avokati Cadman ka lexuar transkriptin e dëshmisë së saj dhënë ditë më parë para trupit gjykues.

Cadman: Pumper gjatë dëshmisë ditë më parë ka thënë se ka marrë udhëzime vetëm gojarisht

“Ju aty thoni të kundërtën, thoni nuk ka pasur udhëzime me shkrim, se udhëzimet që i keni marrë nga zonja Bolici janë dhënë gojarisht”, ka thënë avokati i Haradinajt.

E me një gjë të tillë nuk është pajtuar dëshmitarja.

Pumper: Lidhur me çështjen OVL-UÇK kam marrë udhëzime me e-mail

“Nuk më kujtohet të kem thënë se nuk ka pasur fare udhëzime me shkrim, besoj se kam thënë se ka pasur udhëzime gojore, dua të konfirmoj se më kujtohet të kem marrë edhe udhëzime me shkrim disa e-mail, dhe kjo është në proces verbal të dëshmisë sime”, ka thënë dëshmitarja.

Tutje, avokati ka pyetur hetuesen e ZPS-së për mënyrën se si u është komunikuar rasti i rrjedhjes së dokumenteve të cilat u dërguan në OVL-UÇK.

Dëshmitarja Pumper: Në një pikë është bërë një takim nga kryeprokurori, por prokuroi i specializuar ka bërë një njoftim për këtë. Nuk e mbaj mend.

Avokati Cadman: Pra u bë një takim në nivel zyre kur ju u informuat për ketë rrjedhje të të dhënave?

Dëshmitarja Pumper: Atë nuk e mbaj mend, nuk e mbaj mend nëse ka pasur një njoftim në zyrë, por e mbaj mend që kapa sur një njoftim pas ca kohe sa i takon rrjedhjes së të dhënave.

Avokati Cadman: A bëhej fjalë për të gjithë zyrën që u informuat për këtë, apo bëhej fjalë për një skuadër të vogël?

Dëshmitarja Pumper: Për të gjithë zyrën.

Avoakti Cadman: Çfarë hapash të tjerë pasues janë marrë pas këtij njoftimi. A janë marrë masa të tjera pasuese brenda përbrenda institucionit si rezultat i rrjedhjes së këtyre të dhënave?

Dëshmitarja Pumper: Siç e thash nuk e mbaj mend që prokurori i specializuar të ketë njoftuar rrjedhjen e të dhënave. Por çfarë mbaj mend unë është që u bë një ndryshim një hamendeshim i procedurës së protokollit të sigurisë menjëherë pas ndodhjes së këtij incidenti.

Hetuesja e ZPS-së që është dëshmitarja e parë në gjykimin ndaj ish-krerëve të OVL-UCK, ka thënë se ka qenë e përfshirë në intervistimin e tre gazetarëve ndërkohë ka theksuar se nuk ka biseduar me ndonjë pjesëtar të Policisë së Kosovës.

Ajo ka përsëritur se përgjegjësia e përgjithshme e dhënies së informacionit ishte e prokurorit të specializuar dhe zëvendësit të tij ku sipas saj ata u jepnin detyra punonjësve të tjerë për kryerjen e hapave hetimor.

Pumper ka thënë se nuk është përfshirë në hetimin se si ka rrjedhur informacioni.

Në këtë seancë, Pumper ka konfirmuar se ka punuar hetuese për disa vjet në policinë austriake dhe gjithashtu ka shërbyer në misione të ndryshme të Kombeve të Bashkuara dhe në një mision të Bashkimit Evropian.

Ajo ka mohuar se punon konsulentë e pavarur hetimore duke theksuar se në Task Forcën Hetimore Speciale ka punuar për 5 muaj ndërsa nga viti 2016 ka filluar punën në Zyrën e Prokuronit të Specializuar.

Hetuesja Zdenka Pumper është dëshmitarja e parë e ZPS-së në gjykimin ndaj Gucatit e Haradinajnt në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Ish-krerët e OVL-UÇK, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike.

Ata janë arrestuar më 25 shtator të vitit 2020 në Prishtinë prej kur edhe mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

10:32

Nis seanca gjyqësore ndaj Haradinajt dhe Gucatit

Ka nisur vazhdimi i seancës gjyqësore ndaj krerëve të OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucatit.

Edhe gjatë kësaj seance do të dëgjohet në Dhomat e Specializuara dëshmia e hetueses së ZPS-së, Zdenka Pumper.