Arbëri

​Kurti: Serbia duhet të tregojë forcën e saj në ringun e boksit, jo në kufi

Descriptive Text

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Serbisë për të mos lejuar pjesëmarrjen e boksierëve kosovarë në kampionatin botëror të boksit në Beograd.

Në reagimin e tij në Twitter, kryeministri Kurti i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe bashkësisë ndërkombëtare që të dënojë veprimin diskriminues të Beogradit zyrtar.

“Serbia duhet të tregojë forcën e saj në ringun e boksit jo në kufi. Vendimi i tyre për të mos lejuar hyrjen e sportistëve tanë për Kampionatin Botëror të Boksit 2021 është një shkelje e normave ndërkombëtare të sportit. I bëj thirrje BE-së dhe bashkësisë ndërkombëtare ta dënuar këtë shkelje dhe veprim diskriminues”, ka shkruar Kurti.

Boksierët kosovarë do të merrnin pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit, që ka nisur në kryeqytetin serb, por Serbia e pengoi shkuarjen e tyre në fundjavë, për shkak të simboleve shtetërore.

Më 23 tetor, Asociacioni Botëror i Boksit tha se Kosova është anëtare fuqiplotë e tij dhe se pret pjesëmarrjen e saj në Kampionatin Botëror të Boksit për meshkuj.

Zëdhënësi i BE-së Peter Stano tha se BE-ja mbështet kërkesën e Asociacionit Ndërkombëtar të Boksit që Federatës së Boksit të Kosovës t’i mundësohet pjesëmarrja e barabartë në gara.

Ndërsa ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrullah Çeku, e kritikoi mungesën e reagimit të BE-së ndaj vendimit të Serbisë. Ai paralajmëroi se, gjatë kësaj jave, Kosova do të vendosë për ndalimin e zhvillimit të aktiviteteve sportive paralele serbe.