Arbëri

Sllamniku: Ligji për ndalimin e lojërave të fatit e ka shtuar informalitetin

Drejtori i Lotarisë së Kosovës, Bashkim Sllamniku, ka thënë se miratimi i Ligjit për Shfuqizimin e Lojërave të Fatit ka hyrë në fuqi në maj të vitit 2019 dhe prej atëherë jemi të papunë.

Sllamniku ka thënë se kanë pasur një fond rezervë për t’i mbuluar pagat.

Ai në emisionin 60 minuta në KTV ka thënë se përpjekjet e tyre nuk kanë munguar që prej shfuqizimit të ligjit.

“Nga të gjitha grupet parlamentare kemi marrë premtime që do të bëhet zgjidhje por nuk është bërë asgjë. Ishte i gabuar vendimi për mbylljen e lojërave të fatit. Njëherë ishte një rezolutë e më pas u vendos që të shfuqizua ligji tërësisht. Lotaria gjithmonë ka qenë publike. Përvojat e vendeve tjera evropiane tregojnë se lotaritë shtetërore ekzistojnë kudo”, ka thënë ai.

Sipas tij, për asnjë moment kompanitë e lojërave të fatit privat nuk kanë pushuar së punuari.

Ai ka thënë se tashmë janë duke punuar edhe online dhe fitimi mbetet i njëjtë ose më i madh ndonëse sipas tij nuk paguajnë as tatime.

Sllamniku ka shtuar se tashmë lojërat e fundit po veprojnë ilegalisht.

“Qeveria duhet të miratojë ligjin në mënyrë që gjithçka të legalizohet. Kjo mund të ndikojë edhe në uljen e informalitetit. Ligji që ka qenë nuk e ka favorizuar Lotarinë por kompanitë e tjera private. Duhet të lejohen të gjitha lojërat që i kanë kompanitë shtetërore që i kanë vendet tjera. Nëse miratohet ligji ne do të kemi qarkullim dhe do të na kthehen pagat. Taksa për shtetin vetëm për vitin e fundit kemi paguar rreth 800 mijë euro”, ka thënë ai.