Arbëri

Kamberi: Vuçiqi luan me dy standarde

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, luan me dy standarde, duke u paraqitur si paqedashës në njërën anë, dhe në tjetrën duke e nisur projektin e “botës serbe”.

Në një aktivitet mbarëshqiptar të organizuar nga gazeta “Alpet Shqiptare” në Shkodër, Kamberi ka thënë se Serbia është destabilizuesja e Ballkanit Perëndimor dhe e rrezikon paqen.

“Ka dy standarde për qasjen e Serbisë dhe Vuçiqit në këtë proces. Vuçiqi personalisht luan rolin e paqebërësit në rajon duke tentuar të lidhë marrëveshje bilaterale, trilateriale apo multilaterale për të qenë lider i Ballkanit në ndërtimin e paqes. Në anën tjetër, përmes eksponentëve të tij në Beograd, veçanërisht ministrit të policisë që është një antishqiptar i dëshmuar, një fashist, ai nis projektin e ‘botës serbe’. Duke pasur parasysh faktin se nga kush vjen kjo ide, ajo flet për një botë ku nuk do të kenë vend të tjerët”, ka thënë Kamberi.

Sipas tij, “bota serbe” dhe iniciativa “Ballkani i Hapur” që është nisur nga Serbia, Shqipëria e Maqedonia e Veriut, bien ndesh me njëra-tjetrën.

“Të mbyllësh kufij për pakicat, për të drejtën e komuniteteve në Serbi për bashkëpunime me shtetet amë dhe të kërkosh hapjen e kufijve për serbët në rajon, sipas meje, janë aspirata territoriale dhe në këtë rast ndaj Kroacisë, ndaj Bosnjë Hercegovinës, sepse po shihet roli i Dodikut në Bosnje për shpartallimin e Bosnjës, situata në Mal të Zi, në veri të Kosovës, në të gjitha këto vende Serbia po luan rolin e destabilizuesit të Ballkanit Perëndimor dhe rrezikshëm po cenon paqen”, u shpreh tutje ai.

Kamberi e ka parë si paradoksale të ketë miqësi mes Serbisë dhe Shqipërisë e që kjo miqësi të mos reflektohet në të drejtat e shqiptarëve të Luginës.

“Kemi kërkuar që në agjendën e Shqipërisë dhe Kosovës të jetë Lugina e Preshevës në kuadër të një programi shtetëror, jo partiak. Program shtetëror që do t’i qaset problematikave për të ndalur së pari shpopullimin e shqiptarëve. Do të ishte paradoksale të kemi një miqësi mes Serbisë dhe Shqipërisë dhe kjo miqësi të mos reflektohet pozitivisht në të drejtat e shqiptarëve”, ka thënë Kamberi.

Deputeti Kamberi u shpreh se të gjithë janë të vetëdijshëm se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor duhet të jetë në bashkëpunim.

“Nuk mund të shkojmë në një proces bashkëpunimi në rajon nëse përjashtohet pjesa më e madhe e popujve të Ballkanit dhe nëse Serbia mohon në vazhdimësi gjysmën e popullit shqiptar. Ajo dëshiron miqësi me Shqipërinë duke mohuar Kosovën, duke mohuar ekzistencën e shqiptarëve në territorin e vet dhe këto janë parimet e standardeve të dyfishta që Serbia po luan. Loja e Serbisë me Kinën, me Rusinë dhe tentativa e saj që gjoja është integrimi evropian janë koncepte që nuk shkojnë bashkë. Jemi të zhgënjyer me administratën në Bruksel, e cila ka arritur deri në fazën që të bindë palët të nënshkruajnë disa marrëveshje, por nuk kanë mekanizma që të nënshkruajnë marrëveshje me Serbinë që t’i zbatojë. Mbetet të shihet angazhimi i ri amerikan”, ka vazhduar ai.

Kundër iniciativës së “Ballkanit të Hapur” dolën edhe shqiptarët e Malit të Zi. Kryetar i Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve në Mal te Zi, Nikollë Camaj është kundër “Ballkanit të Hapur” pasi, sipas tij, kjo e ngadalëson integrimin drejt Evropës.

“Marrëveshja Rama-Vuçiq e bën Serbinë më të fuqishme ekonomikisht duke kontrolluar portet detare. Pa ndryshuar qasjen e Serbisë ndaj Kosovës marrëveshja duhet të jetë e papranueshme për shqiptarët. Nga ana tjetër edhe po të ndërronte ai raport mendoj se shqiptarët duhet të maten mirë mos po futen në një Jugosllavi të re. Ëndrra shekullore e serbëve është që të dalin në det dhe për ta kontrolluar”, ka thënë ai.

Edhe opozita në Shqipëri është shprehur kundër “Ballkanit të Hapur”. Anëtari i Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme në Kuvendin e Shqipërisë, ish-ministri i Punëve të Jashtme, Tritan Shehu ka bërë me dije se ka depozituar pranë Kryesisë së Kuvendit, kërkesën për interpelancë ndaj kryeministrit Edi Rama në lidhje me teoritë për “Ballkanin e hapur”.