Arbëri

Masat e reja – pritet të ndryshohet kufizimi i lëvizjes dhe orari i gastronomisë, mbetet bartja e maskës

Masat e reja anti-COVID do të vazhdojnë të jenë të njëjta me ato që ishin në fuqi më 27 shtator, përveç kufizimit të lëvizjes dhe orarit të gastronomisë.

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka bërë të ditur se kufizimi i lëvizjes do të zgjatet deri në ora 00:00, ndërsa orari i gastronomisë deri në orën 23:00.

Ibrahimi e konfirmoi për KOHËN se takimi i sotëm me u.d. e ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku, ka pasur më shumë karakter informues dhe kanë marrë pjesë vetëm dy kryetarë komunash, pasi mbledhja, sipas tij, nuk ishte njoftuar me kohë.

Ai shtoi se komunat kanë propozuar që të hiqet ora policore dhe maska kur një person është i vetëm në ambient të jashtëm, por kjo nuk është miratuar nga MSH-ja.

“Takimi ishte informues, jo koordinues. Kanë marrë pjesë vetëm kryetari i Mamushës dhe i Suharekës. Ora policore do të jetë nga ora 00:00-05:00, ndërkaq orari i gastronomisë do të zgjatet deri në orën 23:00”, ka deklaruar Ibrahimi.

Ibrahimi tregoi se në takimin e sotëm, AKK-ja ka paraqitur edhe listën e shteteve në të cilat nuk ka orë policore dhe maskat nuk janë të obligueshme në ambiente të jashtme, por që nuk është marrë parasysh nga Gexha-Bunjaku.

Këto masa priten të miratohen në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë.