Arbër Fetahu nga GLPS ka thënë se Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën është thuajse identik me raportin e kaluar dhe se ka minimum progres sa i përket gjendjen në vend. Ai ka thënë se ky raport vetëm sa i rithekson çështjet si në raportin e herës së kaluar.
Në emisionin SOT në KTV, Fetahu shtoi se karakteristikë është se në raport përfshihen dy qeveri.
“Edhe ky raport nuk përbën ndonjë risi të madhe, ka disa fusha ku ka progres mesatar. Më pozitivja në fushën e prokurimit publik, po ashtu është zhvillim ekonomik që nuk duhet ta hedhim poshtë sidomos me mbledhjen e të hyrave nga taksat, tjetër është lufta kundër terrorizmit”.
“Karakter të veçantë raporti ka që për gjashtëmujorin e parë flet për një jostabilitet politik. Një pjesë e madhe e raportit e vë jostabilitetin politik dhe pandeminë që ka shkaktuar më shumë ngecje. Pastaj që jostabiliteti politik ka ndikuar që edhe kriteret politike, demokracia të ketë vlerësim më të ulët për Kosovën”, ka thënë ai.
Fetahu tregoi se ku duhet Qeveria e Kosovës ta vë theksin më shumë.
“Janë fusha shumë me rëndësi që vështirë mund t’i ndash, tek sundimi i ligjit, luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe te zhvillimi ekonomik. Këto kanë efekte domino njëra mbi tjetrën. Qeveria e Kosovës duhet ta vë theksin te këto fusha dhe t’i japë të gjitha energjitë e veta për ta përmirësuar gjendjen e Kosovës dhe zhvillimin. Ky raport ka qenë pak më ndryshe për shkak të periudhave të ndara në gjashtëmujorë”.