3 perditesime
21:18

“Kosova duhet të japë përgjigje se kush do të jetë baza e energjisë elektrike”

Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës ka thënë se Kosova duhet t’i përgjigjet pyetjes se kush do të jetë baza e energjisë elektrike për vitet e ardhshme, thëngjilli apo gazi.

deklaroi se edhe investitorët që vijnë në Kosovë pyesin se me çka do të furnizohen, një pyetje që aktualisht nuk ka përgjigje nga Qeveria.

“Vendimet sa i përket të ardhmes me energji elektrike nuk mund t’i bazojmë në kriza tremujore apo gjashtëmujore. Kosova duhet të japë përgjigje cili do të jetë gjeneratori bazë i vendit, thëngjilli apo gazi? Gazi konsiderohet si urë për të kaluar nga thëngjilli në të gjelbër. Prej tash, për 30 vitet e tjera, Kosova duhet të përcaktohet se kush duhet të jetë baza e energjisë elektrike. Pavarësisht ndryshimeve afatshkurtra në tregje, ne duhet me i jep përgjigje kësaj pyetje, pasi me investitorët që takohem unë kërkojnë të dinë me çka do të furnizohen, sa është siguria e atij furnizimi”, potencoi Rukiqi në “DESKU” të KTV-së.

E Dardan Abazi nga Instituti për Politika Zhvillimore ka kërkuar që Plani Kombëtar për Energji dhe Klimë të publikohet sa më parë pasi me të përcaktohen prioritetet për vitet e ardhshme.

“Liberalizimi dhe integrimi i tregut janë dy procese që shkojnë paralel. Ne një treg të integruar të energjisë mes Kosovës dhe Shqipërisë, do të prodhonim më pak dhe investitorët do të gjenin një treg të derregulluar. Shpresoj që strategjia e re e energjisë të publikohet në fund të këtij viti apo në fillim të vitit të ardhshëm. Pastaj Plani Kombëtar për Energji dhe Klimë duhet të publikohet sa më shpejt, që edhe i përcakton prioritetet deri në vitin 2030 dhe jep parashikime deri në vitin 2050”, shtoi Abazi.

20:54

Abazi: Të kthehet tarifa për konsumuesit e mbi 600 kilovatëve energji elektrike

Dardan Abazi hulumtues në INDEP ka thënë ZRRE-ja ka bërë gabim që e ka hequr strukturën tarifore në bazë të së cilës, kushdo që konsumon më shumë se 600 kilovat energji elektrike, do të ketë çmime të reja të produktit.

Abazi ka thënë se kjo strukturë pati ndikuar në uljen e konsumit të energjisë elektrike.

“INDEP-i ka qenë e vetmja organizatë që kemi dërguar komente dhe kemi argumentuar se një strukturë e tillë nuk e incentivon efiçencën, përkundrazi e incentivon konsumin. Amvisëria është sektori që konsumon më së shumti, rreth 80% e konsumit ndodh në sektorin e amvisërisë. Kjo struktura tarifore që kush konsumon më shumë se 600 kilovatë do të ketë çmime të tjera, e uli konsumin. Mbi 81% e konsumit ndodhte nën 600 kilovatë. ZRRE-ja e la vetëm tarifën ditë natë, gjë që shkaktoi rritje të konsumit. Sa e kemi këtë situatë ku nuk kemi një liberalizim të plotë të tregut, ne konsiderojmë se do të ishte e dobishme një rikthim i kësaj strukture qoftë edhe me modifikime, që të mos i vihet barra vetëm bizneseve”, ka thënë Abazi.

Ai ka thënë se Kosova është e papërgatitur për kriza energjetike.

20:45

Rukiqi: Jeta pas pandemisë do të jetë më e shtrenjtë

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se jeta pas pandemisë do të jetë më e shtrenjtë se para pandemisë.

Duke folur për ngritjen e çmimeve të shumë produkteve javëve të fundit në Kosovë, Rukiqi ka thënë “DESKU” të KTV-së se kurrë më shumë s’ka pasur mjete të lira që i kanë ndarë qeveritë për rimëkëmbje.

Mirëpo siç ka thënë, është rritur kërkesa dhe ka mungesë të fuqisë punëtore.

“Një konstatim në bazë të shumë analizave që po paraqiten, duke pa edhe këtë që ka në sistemin financiar global, kurrë më shumë s’ka pasur mjete të lira që i kanë ndarë Qeveritë për rimëkëmbje. Është rritur kërkesa, ka mungesë të fuqisë punëtore, pra nga një krizë e kërkesës po kalojmë në një krizë të ofertës, nuk po ka mjaftueshëm furnizime dhe kjo e ka rritur koston e punës e të kapitalit dhe kjo mund të ndikojë në çmimet finale, shto këtu edhe koston e lëndës së parë. E tërë kjo e ka krijuar një situatë që pothuajse të gjitha kategoritë e çmimeve të rëndësishme, përfshirë këtu edhe energjinë edhe transportin, të ndikojë në rritjen e çmimeve. Pra, jeta pas pandemisë do të jetë më e shtrenjtë se para pandemisë”, ka thënë Rukiqi.

Sa i përket furnizimit me energji elektrike, Rukiqi ka thënë se privatizuesi i rrjetit dhe distribucionit, pavarësisht çdo rrethane është i obliguar që ta furnizojë secilin qytetar dhe biznes me energji elektrike.

“Kosova ka pasur një periudhë të errët dhe në kontratën që e ka nënshkruar ai që e ka privatizuar rrjetin dhe distribucionin, pavarësisht çdo rrethane ata janë të obliguar që ta furnizojnë secilin qytetar dhe biznes me energji elektrike. Mund të ketë avari elektrike të forcës madhore që mund ta pengojnë këtë mirëpo derisa ka mundësi të importohet nga tregjet e hapura ata e kanë për detyrë që tëq bëjnë furnizimin”, ka thënë Rukiqi.

20:32

Ekspertët s’presin shtrenjtim të energjisë në Kosovë sivjet

Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe Dardan Abazi nga Instituti për Politika Zhvillimore kanë thënë se sivjet s’pritet të ketë shtrenjtim të çmimit të energjisë elektrike në Kosovë, pavarësisht ngritjes së çmimit me të cilin importohet. Të dy kanë thënë se një gjë e tillë megjithatë s’mund të përjashtohet për vitin e ardhshëm.

Në debatin në emisionin “Desku” në KTV për ngritjen e çmimeve së fundmi, Rukiqi dhe Abazi kanë vënë fajin te zhvillimet ndërkombëtare dhe ngritjen enorme të çmimit të gazit. Të dy kanë thënë se ngritja e çmimeve dëshmon se ekonomia është çështje globale dhe jo vetëm lokale.

“S’jemi imunë sepse importojmë një numër të madh të produkteve dhe kjo ndikon në shportën e konsumatorit dhe koston e prodhimit vendor pasi që pjesa më e madhe e lëndës së parë importohet. Impakti do të jetë në çmimet e produkteve, mallra apo shërbime. Kemi edhe çështjen e sigurisë së furnizimit me energji elektrike. Në ngrohje, prodhim e nevoja të ndryshme të amvisërive dhe bizneseve përdoret energjia dhe zakonisht gjatë dimrit kur rritet kërkesa, kur kërkohet më shumë për nevoja për ngrohje ne s’i plotësojmë kërkesa me prodhimin që e kemi bazuar në Termocentralin Kosova A dhe Kosova B. Duhet të importojmë. Ne e kemi një vlerësim të të hyrave maksimale të lejuar për operatorë në rregullatorin energjetik. S’është paraparë rritje e çmimeve këtë vit, s’do të ketë fatura më të shtrenjta, por s’do të thotë që nëse sasia e importit është më e madhe se ajo që është planifikuar në të hyrat e planifikuara, kjo rritje s’do të përcillet vitin tjetër”, ka thënë Rukiqi.

Në anën tjetër, Abazi ka folur më shumë për krizën globale që ka thënë se vjen si pasojë e mungesës së gazit dhe rritjes së kërkesës për të.

“Evropa e Kina janë përgjegjëse për 75 për qind të prodhimit global. Në energji, ne si konsumatorë fundorë s’do të prekemi në dimër sepse ZRRE-ja e ka bë të qartë se s’do të ketë përshtatje.... edhe pse ka ndodhur njëherë dhe këta dinë të kenë parashikime të jashtëzakonshme. Megjithatë në këtë kohë s’ka kushte për rishikime të jashtëzakonshme. Ajo parashihet në avari edhe pse atëherë është dashur të ishte vetëm e përkohshme, por te ne mbeti. S’presim të ketë rritje të menjëhershme të energjisë”, ka thënë ai.

Rukiqi ka treguar se zanafilla e krejt telasheve është nga Kina ku disa miniera janë mbyllur për shkak të kërkesave të punëtorëve për përmirësim kushtesh të punës dhe menjëherë kjo është përcjellë me kërkesë për gaz.

Abazi ka thënë se kriza vjen edhe për shkak se shtetet kanë nisur të rikthejnë aktivitetet ekonomike pas telasheve me pandeminë dhe kjo kërkon më shumë energji.