Arbëri

Nisin përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme për targat

Grupet teknike të Kosovës dhe Serbisë do të mbajnë të enjten takimin e parë në Bruksel në kuadër të synimit për të arritur një marrëveshje për çështjen e targave të automjeteve. Qeveria e Kosovës ka përcaktuar tri parime mbi të cilat duhet të bazohet diskutimi, ndërsa Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se takimet e grupeve punuese do të zhvillohen ndaras nga takimet e kryenegociatorëve dhe ato të nivelit të lartë. Diskutimi për një çështje të tillë është kritikuar nga ish-kryeministri Avdullah Hoti

Kosova dhe Serbia do të nisin të enjten përpjekjet për të gjetur një zgjidhje të përhershme për targat problematike të automjeteve. Grupet teknike të të dyja shteteve do të takohen në Bruksel për të diskutuar këtë çështje duke u bazuar në tri parime.

Kryeministri Albin Kurti ka refuzuar të deklarohet për këtë çështje. Por zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se në këtë mbledhje të parë nuk pritet të merret ndonjë vendim. “Zgjidhja duhet të jetë sipas standardeve dhe praktikave të Bashkimit Evropian, të jetë e aplikueshme dhe të aplikohet për të dyja palët, dhe nëse njëra palë bllokon arritjen e një zgjidhjeje të përbashkët apo nuk zbaton atë që është dakorduar, atëherë ajo është palë bllokuese e dialogut”, thuhet në përgjigjen e Kryeziut për KOHËN.

Në anën tjetër, takimet sipas zëdhënësit të Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano, pritet të jenë të rregullta. “Takimet në kuadër të dialogut nga kryenegociatorët dhe në nivelin më të lartë do të vazhdojnë ndaras nga Grupi i Punës dhe për to do të njoftoheni me kohë”, ka thënë Stano.

Por ish-kryeministri Avdullah Hoti vlerëson se lidhur me marrëveshjen për targat nuk ka çfarë të dialogohet me Serbinë. Hoti, i cili si kryeministër ka udhëhequr bisedimet për disa muaj vitin e kaluar, thotë se veprimet e Qeverisë aktuale e kthejnë Kosovën prapa në dialog teknik.

“Po bëhet dëm i madh duke e larguar fokusin nga marrëveshja finale për njohje reciproke. Marrëdhëniet me Serbinë nuk normalizohen pa marrëveshje për njohje reciproke. Problemet e përditshme që shfaqen në relacion me Serbinë janë derivat i mungesës së njohjes reciproke. Dialogu teknik, sikur ky që po zhvillohet tani në Bruksel, e prolongon arritjen e marrëveshjes finale e cila gjë i konvenon palës serbe”, ka thënë Hoti për KOHËN.

Ai vlerëson se vendimi i Qeverisë aktuale për targat ka qenë rrjedhojë e vendimit të Qeverisë paraprake dhe i bazuar në Marrëveshjen e Brukselit.

“Marrëveshja për targat ka skaduar më 15 shtator 2021. Një vit më përpara, në shtatorin 2020, në zbatim të marrëveshjes së Brukselit, ish ministri i Brendshëm e ka anuluar udhëzimin administrativ për të pamundësuar që të ketë automjete të regjistruara sipas marrëveshjes së Brukselit përtej datës 15 shtator 2021”, shton Hoti.

Kur përmend kthimin prapa Hoti thotë se Qeveria e LDK-së ka arritur progres në disa tema, pasi kishte nisur dialogun bazuar në një platformë të dakorduar me partnerët ndërkombëtarë. Ky proces, sipas tij, është nisur vetëm për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve.

Takimet e grupeve punuese parashihen në pikën e tretë të marrëveshjes për targat, të cilën dy shtetet e arritën në Bruksel më 30 shtator. Dy pikat e para të realizuara janë zhbllokimi i pikave kufitare në Jarinjë e Bërnjak dhe tërheqja e policisë nga atje, si dhe mbulimi me letra ngjitëse i simboleve shtetërore në targa.

Kjo marrëveshje u arrit pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet me targa ndaj Serbisë dhe dërgimin e Njësisë Speciale të Policisë për të mbikëqyrur zbatimin e vendimit. Në kundërshtim të tij, serbët për rreth dy javë bllokuan rrugët që çojnë në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.