Arbëri

Amnesty International: Tërheqja e padive ndaj Loshajt e Gacaferit fitore për lirinë e shprehjes

Amnesty International ka reaguar pas lajmit se janë tërhequr paditë nga kompania Kelkos Energy ndaj aktivistëve mjedisorë Shpresa Loshaj e Adriatin Gacaferi.

Jelena Sesar, hulumtuese për Ballkanin Perëndimor në Amnesty International e ka vlerësuar këtë si fitore për lirinë e shprehjes. Mirëpo, ajo ka shtuar se Loshaj e Gacaferi nuk është dashur të paditen fare.

“Kelkos Energy ka përdorur këto padi që t’i frikësojë dhe t’i heshtë aktivistët në lidhje me dëmin që kjo kompani ka mundur t’ia shkaktojë mjedisit përmes shfrytëzimit të resureve natyrore të Kosovës. Vendimi i Kelkos Energy për tërheqjen e menjëhershme dhe të pakushtëzuar të këtyre padive është fitore për lirinë e shprehjes por, Shpresa Loshaj dhe Adriatik Gacaferi nuk është dashur të paditen fare”, ka thënë Sesar.

Në qershor 2020, Kelkos Energy ka ngritur padi për shpifje ndaj Shpresa Loshajt duke kërkuar EUR 100,000 për “dëmtimin e reputacionit” të shkaktuar nga fushata e saj publike kundër operimeve të kësaj kompanie në Kosovë. Kelkos Energy po ashtu ka kërkuar nga Shpresa Loshaj që të tërhiqet dhe të kërkojë falje publikisht për deklaratat e saj si dhe të përmbahet nga deklarimi i “fakteve të pavërteta” për kompaninë në të ardhmen. Në një padi të ngjashme të ngritur në vitin 2020, Kelkos ka kërkuar EUR 10,000 për dëmtimin e reputacionit nga aktivisti mjedisor Adriatik Gacaferi për shkak të një postimi në Facebook që kritikonte operimin e hidrocentraleve të kompanisë në regjionin e Deçanit. Kelkos Energy kishte kërkuar nga Gacaferi që ta tërheqë postimin e kontestuar dhe të publikojë një deklaratë për mohimin e deklaratave paraprake.

“Korporatat nuk duhet ta përdorin sistemin e drejtësisë për censurimin e kritikëve. Autoritetet e Kosovës duhet t’i lejojnë aktivistët dhe komunitetet lokale të angazhohen në debate publike, të kenë qasje në informata dhe të marrin pjesë aktivisht në procese vendimmarrëse që kanë ndikim në jetët e tyre, si dhe t’ua sigurojnë mundësinë që të ngrisin pyetje kritike pa frikë nga hakmarrja,” ka thënë Sesar.