Arbëri

Rizvanolli: Kemi parandaluar keqpërdorimin e disa milionave

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në një përmbledhje të punëve të saj që kur është bërë ministre, para shtatë muajsh, ka thënë se Qeveria ka arritur të parandalojë keqpërdorimet milionëshe.

Sipas saj, fokusi kryesor i Ministrisë së Ekonomisë ka qenë në energji, teksa ka thënë se edhe pse s’është vazhduar tutje me projektin e gazit, ende po shqyrtohen mundësitë e orientimit të mjeteve për energjinë.

E pyetur se cilat janë alternativat për energji, meqenëse projekti i gazit ka rënë si opsion, Rizvanolli ka thënë se bëhet fjalë për avancim të rrjetit energjetik.

“Përfshin orë të mençura, rrjet të mençur (smart). Fusha e dytë akumulimi në energji investimi në bateri rezervë. Fusha e tretë, zhvillimi i shkathtësisë së fuqisë punëtore, kemi fokus të veçantë përfshirjen e grave”, ka thënë ajo.

“Jemi duke folur si ta ndërtojmë një gyp, ku e ki infrastrukturën? Me çfarë çmimi do ta paguash? Çmimi i gazit është në rritje, gjithandej Evropës nuk po përdoret gazi, atje po kthehen tek energjia me thëngjill sepse gazi është shumë i shtrenjtë”, ka shtuar Rizvanolli.

“Gjithmonë plani ka qenë që ne ta ndërtojmë gazsjellsin jo MCC-ja. Paratë e MCC-së do të përdoren për infrastrukturë. Opsioni i ndërtimit të gazsjellësit ekziston ende, një vendim i tillë do të merret kur ta kuptojmë që ky është një vendim i mirë ne do ta bëjmë atë”, ka theksuar ministrja.

“Deri tani janë raportuar 5 raste për krime ekonomike në borde. Janë gjetur shkelje ligjore në shumicën e ndërmarrjeve publike. Ne kishim një vizitë me kryeministrin në ‘Trepçë’, është e tmerrshme se si ndërmarrjet tona janë shfrytëzuar. Ne kemi parandaluar keqpërdorimin e disa milionave. Për mua është tepër e rëndësishme që çdo keqpërdorim të mos lejohet. Të dihet që edhe firmat që konkurrojnë për tenderë që keqpërdorimet e tilla nuk do të ecin. Ne kemi pasur disa raporte të auditimit që janë dërguar në hetuesi, por nuk është ngritur asnjë aktakuzë me vite”, ka thënë ajo në një debat në Lëvizjen “FOL”.

Rizvanolli ka thënë se synimi tash është që të ketë përfaqësim të barabartë gjinor nëpër bordet që propozohen nga Qeveria.