Arbëri

Partitë politike ende të pavendosura për koalicionet

Në zgjedhjet e fundit lokale të së dielës, qytetarët kanë vendosur që 21 komuna të shkojnë në balotazh.

Subjektet politike ende nuk kanë vendosur për koalicione për rundin e dytë të zgjedhjeve.

Elmi Reqica, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se kandidatët e saj që do të garojnë përsëri më 14 nëntor, do të bëjnë koalicione me partner që ata i konsiderojnë më të afërt.

“Unë mund të them që secili kandidat i PDK që është në balotazh do të kërkojmë të gjejnë aleanca dhe aleat dhe në kuadër të kësaj sigurisht që më të përafërt do të jenë ata aleat që janë pjesë e këtyre proceseve që janë në nivelin lokal e që në të ardhmen mund të jenë edhe në nivelin qendror”, tha Reçica.

Edhe Pal Lekaj, nga AAK-ja, nuk ka dhënë ndonjë informatë për ndonjë bashkëpunim potencial me partitë e tjera.

Ai ka thënë se kandidatët për kryetarë të komunave do ta kenë fjalën e fundit.

“Sa i përket balotazhit ne do t’i shqyrtojmë me partinë pra me subjektin tonë AAK-në, dhe në këtë drejtim do të vendosim, mirëpo duke e marrë sygjerimin e kryetarit sepse në aleancë është praktikë që të pyesim kryetarët e komunave që janë në balotazh dhe me propozimin e tyre ne vendosim”, tha Lekaj.

Arsim Rexhepi, kandidat i VV-së për kryetar të Vushtrrisë, i cili në këto zgjedhje ka përfunduar i treti, ka paralajmëruar se nuk do të rrinë neutral, por nuk e ka përmendur se cilin subjekt politik do ta përkrahin.

“Ne nuk kemi vendosur ende për këto çështje. Unë si ish-kandidat kam qartësi të plotë se çfarë do të veprojmë gjatë ditëve që vijnë. Nuk do të mbesim neutralë”, tha Rexhepi.

E, kryetari i Degës së LDK-së në Malishevë, Bajrush Hoti, është shprehur i hapur për koalicione.

“Një parakusht i yni për koalicion është që partia e cila e dëshiron mbështetjen tonë duhet të realizojë një pjesë të programit tonë që e kishim për këto zgjedhje. Përparësi do të ketë partia që prezanton ofertë më serioze”, tha Hoti.

Kandidati i LDK-së për Prishtinën, Përparim Rama, është shprehur i bindur në fitore në raundin e dytë e Lutfi Haziri në Gjilan nuk e ka përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit.

Të hapur për koalicione janë shprehur edhe kandidatët e VV-së për kryetarë të Gjilanit, Shtimes e Gjakovës.

Kusari ka theksuar se më realist e sheh bashkëpunimin me PSHDK-në.

Zgjedhjet e balotazhit do të mbahen më 14 nëntor.