Arbëri

Pula: 80 prokurorë kujdestarë i kemi në terren

Koordinatorja nacionale për procesin e zgjedhjeve nga Prokuroria e Shtetit, Laura Pula, ka treguar se në ditën e zgjedhjeve janë 80 prokurorë kujdestarë në 38 komunat e Kosovës. Ajo ka treguar se ata janë në shërbim nga 7 i mëngjesit deri në mbyllje të votimit.

Pula në një intervistë për KTV ka treguar se janë evidentuar deri më tash dy raste të shkeljeve në Kosovë. Një ku janë arrestuar katër qytetarë në Kllokot për blerje vote, ndërsa e dyta një rast sot në Suharekë për pengim të procesit të zgjedhjeve.

“Në tani kemi në terren 80 prokurorë kujdestarë në 38 komuna, që kujdestarojnë nga ora 7 deri në përfundim të procesit. Kemi gjyqtarët kujdestarë, për çdo eventual, për caktime të masave të paraburgimit”, ka thënë Pula, që ka treguar se ka koordinim edhe me prokurorë në komuna veriore dhe se deri më tash nuk është raportuar për ndonjë parregullësi atje.