5 perditesime
17:46

Prokuroria jep detaje lidhur me arrestimin e të dyshuarve për dhënie ryshfeti për votim

Dy persona në Malishevë janë ndaluar për veprën penale “Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin”.

Prokurori i Shtetit ka njoftuar dy të arrestuarit janë një vëzhgues dhe një komisioner nga qendra e vendvotimit në gjimnazin “Hamdi Berisha” nën dyshimet për shitblerje të votës.

Me urdhër të prokurorit të Shtetit, të njëjtit janë në ndalim.

“Prokurori i Shtetit dhe Policia e Kosovës mbeten të përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të tyre ligjore, në mënyrë profesionale, transparente dhe të paanshme karshi qytetarëve dhe vendit, andaj inkurajojmë të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Prokurorinë e Shtetit dhe Policinë e Kosovës dhe njëherit të raportojnë për ç’do rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor”, thuhet në njoftim.

16:30

Kelani tregon se sa policë janë të angazhuar momentalisht për procesin zgjedhor

Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani ka thënë se deri tash nuk ka pasur incident madhor që do të kishte ndikuar në pengimin e procesit zgjedhor.

Ai ka thënë se një rast ka ndodhur një ditë më herët në komunën e Kllokotit.

Sipas tij, Policia ka pranuar informacion për përfshirjen e 4 personave për blerje votash.

Kelani ka thënë se sot është evidentuar një rast edhe në Suharekë për pengim të procesit zgjedhor.

“Mund të them që ndër vite procesi i zgjedhjeve është duke shkuar më mirë dhe më me pak incidente. Policia e Kosovës urdhrin operativ e ka në katër faza, dy i kemi kaluar. Në fazën e tretë kemi mbi 3300 zyrtarë policorë për ruajtjen e qetësisë publike por edhe zyrtarë të tjerë për detyrat rutinë. Faza e katërt është deri në përfundim të procesit zgjedhor”, ka thënë ai.

Kelani ka shtuar se kanë dalë me apel zyrtar për respektimin e masave ndaj COVID-19.

14:06

Policia jep detaje për incidentin në Suharekë

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për incidentin në Suharekë, ku një votues është arrestuar për pengim të procesit zgjedhor.

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi, ka treguar se votuesi kishte refuzuar t’i nënshtrohet kontrollit me llambë fluoreshente dhe madje ishte raportuar se e ka thyer atë.

Gashi ka treguar se ai është shoqëruar në Polici dhe se ndaj tij është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.

Gashi ka thënë se është i vetmi incident deri më tash në rajonin e Prizrenit.

“Policia ka pasur një rast në Suharekë, ku është shoqëruar një person në stacion policor, për pengim të votimit. Ai me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë. Personi nuk i ka përfillur kërkesat e anëtarit të KQZ-së, ka refuzuar t’i nënshtrohet kontrollit, sipas procedurave. Është fjalos me anëtarin e KQZ-së dhe ka penguar procesin. Ai është shoqëruar në stacion”, ka njoftuar Gashi për KTV-në.

Gashi ka thënë se ka mjaftueshëm zyrtarë policorë për të mbuluar me policë gjithë qendrat e votimit në rajonin e Prizrenit dhe shpreson të mos ketë nevojë për intervenime dhe procesi të shkojë pa telashe.

12:39

Policia jep detaje rreth arrestimit të katër personave për manipulim me vota

Një qytetar i Gjilanit ka fotografuar votën e tij, por i njëjti pas shoqërimit në stacion policor është liruar ne procedurë të rregullt.

Zëdhënësi i Policisë në regjionin e Gjilanit, Ismet Hashani ka thënë se në mbulimin e shtatë komunave, ky stacion ka evidentuar vetëm këtë rast parregullsie.

"Përveç një rasti të fotografimit të votës, edhe këtu prokurori i shtetit menjëherë është kyç dhe ka urdhëruar që për momentin të mbetet vetëm me një shënim zyrtar, derisa të dihen detajet për qëllimin që e ka shtyrë për të fotografuar. Dhe në të gjitha pikat tjera në shtatë komuna tona është duke rrjedhur një proces jashtëzakonisht i qetë", ka deklaruar ai.

Hashani po ashtu ka folur edhe për rastin e djeshëm në Kllokot, ku dyshohet se katër persona janë përfshirë në shitblerje të votës.

Ai deklaron se prokurori i shtetit dhe hetuesit e Policisë e Kosovës janë duke hetuar këtë rast.

"Është raportuar një arrestim dhe ky ka ndodhur gjatë ditës së djeshme apo natës së mbrëmshme, ku katër persona në komunën e Kllokotit janë ndalur me vendim të prokurorit dhe ju ka caktuar masa e ndalimit 48 orë, pasi dyshohet se kanë manipuluar me vota dhe se provat materiale janë gjetur të një sasie të të hollave dhe disa fletëvotime që kanë qenë të gatshme për t’u përdorur për ditën e sotme", ka thënë ai.

10:53

Arrestohet një person në Suharekë për pengim të procesit të votimit

Prokurori i Shtetit ka njoftuar se është arrestuar sot një person në Suharekë për pengim të procesit të votimit.

Ai thuhet se ka prishur rendin dhe qetësinë e më pas ka thyer dritën fluoreshente. I dyshuari është ndaluar.

“Me urdhër të prokurorit të Shtetit, Policia e Kosovës ka ndaluar një (1) person, në Komunën e Suharekës, për veprën penale “Pengimi i procesit të votimit’’ nga neni 214 i KPRK-së. Prokurori i Shtetit njofton opinionin se i dyshuari ka penguar procesin e votimit duke prishur rendin dhe qetësinë dhe më pas e ka thyer dritën fluoreshente. Me urdhër të prokurorit të Shtetit i njëjti është në ndalim”, thuhet nga Prokurori i Shtetit.

09:54

Arrestohen katër persona në Kllokot për blerje të votës

Katër persona janë arrestuar pasi dyshohet se kanë blerë vota në Kllokot, ka njoftuar Prokurori i Shtetit.

Prokurori ka njoftuar se arrestimet janë bërë në mbrëmjen e djeshme. Ata janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, njoftojnë opinionin publik se mbrëmë më 16 tetor 2021 në orët e vona, janë arrestuar katër (4) persona në Kllokot, me inicialet A.D., M.K., A.T dhe Xh.B., në lidhje me procesin zgjedhor dhe me këtë dyshohet se kanë kryer veprat penale “Cenim i përcaktimit të lirë të votuesve” nga neni 210 i KPRK-së dhe “Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin” nga neni 212 i KPRK-së. Katër të dyshuarit e arrestuar me urdhër të prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje për 48 orë”, thuhet në njoftimin.