Arbëri

DnV: Në mosrespektimin e masave gjatë fushatës ndikuan inspektimet e pamjaftueshme të institucioneve

Misioni vendor për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim”, përmes një konference për media, ofroi vlerësimin për fushatën elektorale për zgjedhjet lokale që do të mbahen nesër, duke u fokusuar në çështjet si respektimi i masave kundër përhapjes së pandemisë, ofertat programore dhe mënyra e shpalosjes së tyre, kandidaturat dhe shpenzimet e kandidatëve të subjekteve politike.

Sipas komunikatës së DnV-së, shumica dërrmuese e postimeve në rrjetet sociale ishin të sponsorizuara dhe se “transparenca për koston financiare të fushatave dixhitale mungon”.

“Platformat “Facebook” dhe “Instagram” janë shfrytëzuar masivisht nga kandidatët për kryetarë të komunave dhe për ata për kuvendet komunale për plasim të informatave, shpalosje të ofertave programore, shpalosje të aktiviteteve e thirrjeve për votim”.

Pavarësisht zotimit të disa subjekteve politike për shkurtim të ditëve të fushatës, DnV gjen se kjo nuk ka ndodhur.

Ndërsa sa i përket respektimit të masave anti-COVID, ato nuk u respektuan shumë nëpër tubime.

“Megjithatë, respektimi i masave dhe i kufizimeve për numrin e pjesëmarrësve në takime pothuajse u braktis në të gjitha takimet ngjarjet e organizuara në javën e fundit të fushatës. Në këtë përshkallëzim të situatës kanë pasur ndikim edhe kontrollet dhe inspektimet e pamjaftueshme të institucioneve përkatëse”.

DnV ka dhënë vlerësimin edhe sa i përket përfshirjes së grave.

“Përfshirja e grave gjatë aktiviteteve të subjekteve politike ka qenë në nivele jo të kënaqshme”.

DnV do të përcjellë procesin zgjedhor përmes 110 vëzhguesve, të cilët do të shpërndahen në nivel vendi, bazuar në një mostër të bazuar statistikore.